Ngjarje e vërtetë: Situata e vështirë materiale na shtyri në amoralitet (4)

  • E.K /
  • 06 nëntor 2021 - 16:52
Ngjarje e vërtetë: Situata e vështirë materiale na shtyri në amoralitet (4)

- Çka të ka ndodhur ty? - e pyeta me dyshim. Ashtu të disponuar në fund të orarit të punës nuk e kisha parë ende. - Emanuela më ndodhi! - Emanuela? - e pyeta, duke hetuar sesi më vlonte thartira në lukth. - Ky është emri i saj artistik - tha ai, qetë-qetë. D.m.th. ajo e përdalë përsëri i paska shkuar në punëtori. Tanimë isha e gatshme që të shpërtheja, por vazhdimi i bisedës më habiti. - Erdhi me burrin e saj. E, këtë me të vërtetë nuk e kisha pritur. Demiri gjatë tërë kohës më fliste për pasaniken e pacipë, e cila e ka vërshuar me komplimente dhe ia kishte bërë një ofertë jo të moralshme. Se edhe një femër e tillë do të mund të kishte burrë, kjo kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend. Por, më duhet ta pranoj, ai lajm menjëherë më qetësoi paksa. - Dhe? Çka deshi kësaj here? - e pyeta me kujdes.

Asgjë. Përfundimisht ia vura atë pjesën origjinale që ia kisha porositur, e ajo edhe një herë më tha se i duhej me të vërtetë ndihma në atë shtëpinë për të cilën më kishte folur. Vazhdimin e prisja e tendosur. - Dhe? Si iu përgjigje në këtë? - I tregova se çka mendon ti për këtë. - Jo, hejdi! - u tmerrova unë. - Po, hejdi! I thashë se gruaja ime nuk pajtohet që unë të punoj te ajo, e ajo më tha se mundesh lirisht edhe ti të vish me mua. Bile më tha se e kuptonte reagimin tënd, sepse me të vërtetë duhet të kujdesesh mirë për një mashkull sikur që jam unë. - Tërë këtë ta tha në prani të burrit të saj? - pyeta duke mos mundur të besoja. Assesi të pushoja së habituri rreth kësaj situate. Sapo Demiri tentoi të thoshte diçka, kur në gjysmë të fjalës e ndërpreu ardhja e vajzës sonë të madhe në kuzhinë.

 Bijë e dashur - i tha Demiri, duke ia lëmuar flokët.- Çfarë planesh ke për të shtunën? - Nuk kam ndonjë plan, babi - tha ajo, e habitur nga pyetja e tij jo e rëndomtë. - Atëherë motrën tënde dhe ty do t'ju lëmë te gjyshja dhe gjyshi. Unë dhe nëna e kemi njëfarë pune - i tha ai. - A me të vërtetë kemi ndonjë plan, a? - e pyeta, duke mos kuptuar gjë. - Po, kemi. Duhet të fitojmë 200 euro! - Dyqind euro? - thash duke i rrahur qepallat nga habia. Ajo shumë e parave më dukej joshëse, por diçka më thoshte se vazhdimi i asaj që do të thoshte Demiri, nuk do të më pëlqente. Ai priti edhe pak që vajza ta pinte gotën me qumësht dhe të dilte nga kuzhina, e më pas u kthye kah unë. - Emanuelës dhe burrit të saj të shtunën i vjen një kamion me gjësende. Meqë, sipas saj, ato janë shumë gjëra, atëherë iu duhet dikush që do t'iu ndihmojë për t'i futur kutitë brenda.

 Dhe për këtë punë do të na paguajnë 200 euro? - përsërita me cinizëm. - A me të vërtetë beson në një rrenë të këtillë, a? - bërtita me zemërim. Naiviteti i burrit tim ndonjëherë më çmendte. Në një kohë kur punëtorët fizikë për një punë të tillë paguheshin 15 euro në ditë, ai besonte se neve do të na jepnin 200 euro të buta! - Kështu tha Emanuela. - Emanuela, Emanuela, Emanuela! - nuk munda të përmbahesha më. Çfarë emri ishte ky? Artistik, tha Demiri. A nuk janë artistët më shumë të varfër dhe të papranueshëm nga rrethi, e jo të tillë që blejnë vila dhe vozisin vetura sa një autobus? Athua çfarë artisteje e hamamit ishte ajo, sikur ta dija? - Pse lodhesh për të menduar rreth një gruaje e cila të ofroi seks, që në takimin e parë? - e pyeta, tani e zemëruar sa s'ka më. Sepse ajo më kërkoi falje për një gjë të tillë. Tha se ishte shprehur gabimisht dhe se ajo, si artiste, trupin tim e kishte konsideruar vetëm si model. (vijon)

(Kosova Sot Online)