Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (21)

  • E.K /
  • 09 November 2021 - 15:51
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (21)

"Nëna nuk ka thirrur. Sidoqoftë... nuk ka rëndësi. A mund të besosh se Hailey e quan Henryn baba?", i thashë motrës sime të padukshme. "Nuk është se jam xheloze, por kjo më duket... e çuditshme". Shikova në ulësen e zbrazët dhe e kafshova buzën e poshtme. Ajo nuk u përgjigj. Për shkak se, kur njerëzit vdesin, ata e marrin edhe zërin e tyre me vete. E pyesja veten se a ishin ata të vetëdijshëm se, njerëzit që i kanë lënë prapa, janë në gjendje të vrasin, vetëm që ta dëgjojnë zërin e tyre edhe një herë. Derisa vozisja rrugës kryesore pashë një grup duhanpirësish që ishin mbledhur para një kafeneje. Para kafenesë së Joe. U ndala te kthesa, e parkova veturën dhe dola jashtë. Afër derës pash një mbishkrim, ku thuhej: "Muzikë live.

Pije me gjysmë çmimi. 2 dollarë një birrë". Më lart ishin lidhur ca balona të kaltër dhe rozë. Shikoja njërin nga duhanpirësit sesi bënte shaka me miqtë e tij, duke e marrë njërin prej balonave dhe duke e lëshuar në ajër. Balona thjesht u zhduk duke u ngritur lart në qiell. Do të doja që të ishte ashtu lehtë edhe për ne, njerëzit. Që të ngriheshim dhe të fluturonim. Duke e shikuar listën e gjërave që duhej t'i bëja, pashë atë që duhej ta bëja sonte. #14. Vallëzimi në një kafene. Mund ta bëja atë, qoftë edhe kundër vullnetit tim, mbasi kjo kërkohej nga letra e shkruar nga motra ime. Portieri më shikoi, ma kontrolloi letërnjoftimin dhe ma vendosi një vulë të madhe, të shëmtuar në dorë - një shenjë se isha ende e mitur dhe se nuk duhej të më shërbenin pije alkoolike.

Këtë e kisha pritur që nga fillimi, meqë zotëri Sybukuri ma kishte thënë këtë që në fillim. Ajo që nuk kisha pritur, ishin emocionet sapo hyra brenda. Aq shumë kujtime më erdhën sapo hyra aty. Bendi muzikor gjendej në skenë dhe mua më erdhën lotët, të cilët mundohesha t'i largoja me çdo kusht. Pse ndihesha kështu? Pse më vinte të qaja? "Do ta bëj këtë", kishte thënë Gabby, duke e shikuar skenën. "Pasi që të bëj më mirë, gjëja e parë që do të bëj, do të jetë performimi në këtë bar". Unë i kisha rrotulluar sytë dhe i kisha thënë motrës, duke qeshur me të. "Pasi që të bësh më mirë, gjëja e parë në agjendën tënde është që të këndosh në një kafene të ndytë?" "Çka mund të të them? Më pëlqen që të jetoj në ekstrem".

Nuk kishte kaluar as edhe një sekondë, e unë dola përsëri nga kafeneja. Duke ecur përskaj ndërtesës ndjeva sesi m'u djersitën duart. Kjo ishte e tepërt - që të gjitha ndryshimet në jetën time. Nuk mund të merrja frymë. Bile, as që mund të lëvizja. U ndala dhe fillova që të qaja. Ajri m'i mbushi mushkëritë, por nuk mund të merrja frymë me mjaft shpejtësi, kështu që filloi të më ngucte edhe lemza. Më dukej se ishte vetëm çështje kohe para se të rrëzohesha në asfaltin e nxehtë. Gjunjët filluan të më dridheshin, por para se të rrëzohesha, dëgjova një zë që vinte nga prapa kthesës. "Hej, a je mirë?", një zë i thellë, mashkullor, më thoshte derisa ishte duke m'u afruar. Fillova që të dridhesha nga ideja se ai do të më prekte. Pashë duart e tij, duke u zgjatur kah unë dhe kjo më bëri që të tërhiqesha prapa. Ai duhej ta kishte vërejtur këtë reagim, meqë u tërhoq. "Më fal", tha ai dhe unë sa nuk u ula në tokë. Kur e pash fytyrën e tij, çdo gjë sikur u ngri. Bota heshti dhe unë ua kisha ngulur sytë syve të kaltër të cilët ishin më të bukur sesa oqeani më i thellë në botë.

(Kosova Sot Online)