Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (2)

  • E.K /
  • 04 March 2022 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (2)

Që nga ditët më të hershme të fëmijërisë, merrja arnat, penjtë dhe gjilpërën në dorë. Kisha vetëm pesë vjet kur gjyshja më kishte mësuar bazat e qepjes. Prej atëherë vetëm shikoja si ta gjeja ndonjë leckë, ndonjë rrobë të vjetër, të cilën e humbte nëna, e unë i merrja ato dhe i shndërroja në rroba të bukura për kukulla. Shoqet e mia të vogla më thoshin sesi, një ditë, me gjasë do të bëhesha kreator i madh i modës, meqë kisha shije për rrobat e femrave. Kur isha në klasë të katërt, tani qepja me makinë dhe, pa problem, qepja funde, pantallona, këmisha dhe rroba të tjera.

Vajzat gjithmonë rrinin afër meje, jo për shkak se iu pëlqeja, por për të marrë ndonjë rrobë origjinale, të bërë nga unë. Me kalimin e kohës rrobat më interesonin gjithnjë e më shumë, mësoja dhe punoja më shumë. Arsimtarja e amvisërisë kishte vërejtur interesimin tim dhe entuziazmohej nga puna që bëja. I thirri në shkollë prindërit e mi, për t'i bindur se sa i talentuar isha, por ata nuk kish thi që t'i bindte. Pas mbarimit të shkollës fillore, prindërit donin që unë ta regjistroja shkollën e ekonomisë, por unë as që i dërgova dokumentet atje, meqë doja të regjistrohesha në shkollën e tekstilit, të arsimohesha në drejtimin që më pëlqente dhe interesonte.

E dija se i ati mjek dhe nëna juriste këtë nuk do ta pranonin kurrë, prandaj i gënjeva se isha regjistruar në ekonomi, ashtu sikur që kishin insistuar ata. Dhe, kështu shkova më shumë se një muaj në shkollë, derisa prindërit kuptuan se shkoja në një shkollë krejtësisht tjetër. As që kam nevojë të tregoj sesi reaguan ata: u çmendën. Babai menjëherë donte që të më çregjistronte nga shkolla, por nëna nuk e la. Edhe ajo ishte e zemëruar, por pasi që bisedoi me orë të tëra me mua, më la që të rrija në shkollën e tekstilit. Isha nxënësi më i mirë.

Merrja pjesë në të gjitha garat dhe kurrë nuk kthehesha në shtëpi pa e zënë vendin e parë. kreacionet e mia thjesht, i mahnitnin profesorët, por edhe disenjatorët e rrobave, të cilët përbënin juritë në garat e tilla. Sapo e mbarova shkollën e mesme, njëri nga disenjatorët më ofroi punë në atelienë e tij. Pranova me gëzim, me kusht që ta kisha një orar të shkurtuar të punës, për shkak të studimeve, të cilat i kisha regjistruar. Në punë shkoja sa herë që mundja dhe kur isha i lirë, kurse shefi mi shënonte ato orë dhe, çdo muaj, ma jepte rrogën. Përfundimisht isha i lumtur dhe i realizuar. Bëja punën që më pëlqente, studioja, isha larg familjes dhe grindjeve të përhershme midis prindërve të mi.

Atyre iu telefonoja disa herë në javë dhe kjo më mjaftonte. Nëna gëzohej kur ma dëgjonte zërin, e sa i përket babait, varej nga disponimi i tij momental, por e dija se, nga ai, as që mund të prisja më shumë. vëllai dhe motra edhe ashtu ishin të rezervuar vetëm për vete, duke më përjashtuar mua nga shoqëria e tyre. Më së shumti rrija në shoqëri të femrave. Prej ditës kur pronari i ateliesë më prezantoi si kreator të ri, me një të ardhme të ndritur përpara, nuk mund të shpëtoja nga bukuroshet, të cilat më vareshin në qafë. Kurrë më parë nuk kisha pasur lidhje serioze, e as që kisha menduar për këtë. edhe ashtu, nuk besoja në dashuri, e në anën tjetër, mendoja se isha tepër i ri që të lidhesha deri në vdekje në ndonjë martesë të keqe. Ditën e kisha të mbushur me obligime, prandaj as që kisha kohë për ndonjë shoqërim. (vijon)

(Kosova Sot Online)