Ngjarje e vërtetë: Shtrenjtë e pagova dashurinë time rinore (3)

  • E.K /
  • 17 June 2022 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Shtrenjtë e pagova dashurinë time rinore (3)

- Po, natyrisht, vetëm… - thashë, por ai menjëherë më ndërpreu. - Dua të të shoh këtu që në orën gjashtë të mëngjesit. Ne e hapim lokalin në orën shtatë, kështu që do të kesh mjaft kohë që t'i mësosh gjërat më elementare. Mos u mërzit, Dini do t'i tregojë të gjitha - tha duke u ngritur. Kuptova që biseda jonë kishte mbaruar. Edhe pse doja t'i merrja vesh milionë gjëra të tjera, duke ndeshur me shikimin e tij të ftohtë, shumë hoqa dorë nga kjo. - Ju falënderoj! Atëherë, shihemi në mëngjes - thashë me zë të ulët dhe u nisa që të dilja. - Dhe, po, edhe diçka! Mos më hajde nesër në pantallona.

Këtu pres një zonjë të re, të rregulluar mirë, e jo një femër-mashkull - tha me zë të ftohtë, gjë që më bëri të më skuqeshin faqet. Çfarë idioti, paramendo! Sikur unë nuk dua që të vishem bukur, por një gjë e tillë kushton. Jashtë ishte terr dhe e dija që nëna shqetësohej për mua. Megjithatë, isha krenare për suksesin tim, e dija që nëna do të ishte po ashtu e lumtur që kisha gjetur punë. Apo, ndoshta do të ishte më mirë sikur njëherë të mos i tregoja se ku dhe çka do të punoja. Do të ketë raste të tjera, pasi që të mësohesha pak, mendova. Sikur që kisha parashikuar, nëna u gëzua shumë nga lajmi që kisha hyrë në punë. Nuk kisha zemër që t'ia prishja gëzimin, kështu që e rrejta që, nga sot, do të punoja në një restorant të njohur. - E dashura ime, Diana, çka do të bëja pa ty.

Nuk e ke idenë se çfarë lehtësimi ndjej që kemi të ardhura sado kudo të sigurta në shtëpi. Por, në anën tjetër, doje aq shumë që të studioje. Sikur të isha paksa më e shëndoshë… - qau duke më përqafuar. - Mama, mos të lutem! Do të jetë gjithçka në rregull, do të shohësh. Përpos kësaj, për studime kurrë nuk është vonë - e ngushëlloja edhe pse as vet nuk isha e sigurt në vërtetësinë e fjalëve të mia. Më ka mbetur vetëm edhe ta zgjidh problemin e udhëtimit, por edhe këtë shumë shpejt e zgjidha.

Pas një të menduari të shkurtë, mu kujtua biçikleta e vjetër e babait në bodrum. Ndoshta frerët edhe nuk i punojnë më së miri, por a kam zgjedhje? Përkundër nervozizmit të lehtë, dita e parë e punës pa vështirësi të madhe. Dini m'i mësoi sekretet e zanatit të kamerieres, kështu që vetëm pas disa orësh më dukej sikur kishte kohë që e bëja këtë punë. Mysafirët ishin të mirë dhe të sjellshëm dhe askush nuk ishte më i lumtur sesa unë. Deri në fund të mbrëmjes mora edhe disa bakshishe, gjë që më bënte me të vërtetë krenare. Kur mbarova punën në mbrëmje, shefi më thirri në zyrën e tij, për t'u marrë vesh rreth detajeve. Në bazë të shprehjes së fytyrës së tij, kuptova se ai ishte goxha i kënaqur me mua.

 Pra, vogëlushe, çka thua? Nuk është keq për ditën e parë të punës, a? Nëse je e mençur, do të marrësh bakshishe edhe tri herë më shumë. Mysafirët e mi janë njerëz të pasur. Ndonjë euro më shumë, apo më pak, për ta nuk ka kurrfarë rëndësie. Dhe po, nëse ke nevojë për para hua, vetëm më trego. Nuk ka problem - filloi ai, duke analizuar veshjen time modeste. - Faleminderit, kjo nuk do të jetë e nevojshme. E dini, më duhet të kursej - thashë e hutuar, duke u skuqur. Biseduam edhe pak, e kur shefi tha se sa do të ishte rroga ime, nuk kishte njeri më të lumtur sesa unë. Rroga ishte përtej çdo shprese që kisha. Ajo punë nuk ishte edhe aq e keqe. Edhe pak dhe këtë biçikletë do ta zëvendësoj me ndonjë veturë modeste - bëja plane. Me kalimin e kohës, bëhesha gjithnjë e më e relaksuar dhe e sigurt. Edhe shefi dhe klientët ishin më se të kënaqur. E, atëherë, në jetën time hyri Toni. (vijon).

(Kosova Sot Online)