Ngjarje e vërtetë: Sekreti i heshtur (3)

  • E.K /
  • 24 June 2022 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Sekreti i heshtur (3)

Fjalëve të saj nuk iu dhashë rëndësi edhe ashtu për mua ishte njësoj kush do të më kontrollonte. Pasi që përfundimisht hyra në ordinancë, pashë disa sy të njohur për mua. Sa nuk u rrëzova nga befasia e madhe. Para meje gjendej femra të cilën me vite e kisha ëndërruar, e kisha dëshiruar, të cilën e konsideroja gruan më të bukur dhe më të mirë në botë. Zemra më rrihte si e marrë dhe gjëja e vetme që doja ta bëja, ishte ta përqafoja atë. - A je ti ai djali që më blinte çokollata dhe më përshëndeste në kinema? - me këto fjalë m'u drejtua. - Ai jam, dora vetë - thashë duke buzëqeshur dhe duke i kujtuar ato ditë të fëmijërisë. - Qenke rritur dhe paske ndryshuar - vazhdoi Maliqja. Nuk mund t'ia shqisja sytë. Ishte aq e bukur, e rregulluar, e disa rrudha të imta që i ishin paraqitur rreth syve, vetëm sa ia shtonin bukurinë.

Dukej edhe më bukur sesa që e paramendoja. Më erdhi shumë mirë që më njohu, por në të njëjtën kohë u ndjeva i turpëruar për shkak të pamjes sime. Dy vite të cilat i kisha kaluar duke vajtuar nuk më kishin bërë më të bukur, apo tërheqës, por përkundrazi. Vetja ime më dukej sikur një anije e vjetër, që kishte mbetur në të thatë. Dhe, derisa qëndroja para saj, pash qartë se sa i madh ishte dallimi midis nesh. Pa marrë parasysh që ishte më e vjetër se unë, ajo ishte tepër e bukur. Një grua në vitet më të mira të saj. Në një moment mu hidh që të dilja nga ordinanca e saj me vrap. - Fatkeqësisht, ndryshimi nuk ishte për të mirë. Nuk është se jeta më ka kursyer edhe aq - thashë me sinqeritet. - Janë të paktë ata që i kursen jeta. Jeta është luftë. I shikoj analizat e tua dhe, duke pasur parasysh rrethanat, nuk janë keq. Më vjen shumë mirë që këtu shoh dikë timin. Fjalët e saj ishin si një muzikë për veshët e mi. Në botën e largët, të huaj, unë isha dikush i saj. Oh, sa shumë doja që ato fjalë të bëheshin realitet. - Doja që të kthehesha në vendlindje. A mund të rri i qetë sa iu përket analizave? - e pyeta, derisa ajo ma dha një përgjigje pohuese. Mi dha disa këshilla dhe mi shkroi disa ilaçe, të cilat i pija rregullisht.

 Maliqe, a ke kohë për kafe, apo darkë? - më interesonte. Ajo buzëqeshi dhe e pranoi ftesën për dalë për darkë. Sa i lumtur që isha! U nisa për në shtëpi, i lehtë sikur lëpendër, duke kënduar në vete një këngë të vjetër. Sapo arrita në shtëpi, e hapa ormanin, zgjodha rrobat më të bukur që kisha, i telefonova një restoranti të njohur, rezervova vendin, e më pas fillova që të rregullohesha. Përnjëherë më dukej se çdo gjë e kishte një qëllim. Rrugës për në restorant bleva një buqetë të mrekullueshme lulesh dhe çokollatën më të madhe që e gjeta. Maliqja arriti mu në kohë. Dukej sikur një muzë nga Olimpi. Një femër e tillë do ta frymëzonte çdo mashkull. Biseduam këndshëm, duke marrë vesh kështu shumë imtësi nga jeta e saj personale.

Edhe Maliqja qenka shkurorëzuar. Më tha se burrin e kishte pasur plëngprishës dhe keqbërës. Shpesh e kishte maltretuar edhe fizikisht. Ajo kishte shpresuar që ai do të ndryshonte dhe do të bëhej më i mirë ndaj saj, por kur kishte kuptuar se kjo nuk do të ndodhte, e la. Patën një shkurorëzim të rëndë, nga i cili ajo doli e dëmtuar, për çka vendosi që ta linte atdheun. E la edhe punën, e kur iu tregua mundësia për të punuar këtu, në ordinancë, këtë mundësi e pranoi me të dyja duart. Kolegët e respektonin deri-diku, por kurrë nuk e trajtonin sikur të barabartë me ta. (vijon)

(Kosova Sot Online)