Ngjarje e vërtetë: Sekreti i heshtur (4)

  • E.K /
  • 25 June 2022 - 15:27
Ngjarje e vërtetë: Sekreti i heshtur (4)

Për ta ajo ishte e "huaj" nga vendi i varfër dhe nuk kanë ndihmuar as titujt që të mund të bëhej si ata. Prindërit i kishin vdekur dhe ishte e pikëlluar se nuk ka te kush dhe ku të kthehej në atdhe. Nuk mund të them se më ka prekur pikëllimi i saj, por krejt çfarë i ka ndodhur disi më ka shkuar përdore dhe menjëherë kam njohur mundësinë. - Kush do të thoshte se do të takoheshim në një botë të huaj. Ndoshta takimi ynë është pikërisht ardhmja? Nuk e di se çfarë do të thosha në gjithë këtë. Atëherë ishim fëmijë. Ishe shumë i dashur dhe më vinte keq që nuk mund ta dhuroja dashurinë time. Të kam konsideruar djalë të vogël, e veten si vajzë - më buzëqeshi. - Maliqe, jemi njohur që si fëmijë, e tani njihemi si njerëz të rritur.

Kam vuajtur shumë kohëve të fundit dhe nuk dua të kthehem në ndodhitë e dikurshme. Nuk kërkoj asgjë tjetër nga ti, vetëm të ma ofrosh një mundësi - iu përgjërova. Nuk më ka refuzuar. Ishte kjo shenjë që e kam pritur me vite. Mëngjesin tjetër kam lajmëruar prindërit dhe ju kam lajmëruar se për momentin kam hequr dorë që të kthehem në atdhe. Muajt që kanë pasuar, ishin periudha më e bukur e jetës time. I kam propozuar martesë dhe ajo ka pranuar. Në ndërkohë e kam shitur shtëpinë, kam blerë një pronë në shtëpi,e përmes saj kam siguruar punë për neve. Asaj i kam siguruar një ordinancë e vet kam filluar ta punoja tokën. M'u duk se jeta po më ledhatonte edhe mua përfundimisht. Për problemin tim shëndetësor me sterilitetin asaj nuk ia kam thënë asnjë fjalë të vetme.

Përsëri e kam bërë të njëjtin gabim. Po mendoja, kishte parë analizat e mia dhe pasqyrën e shëndetit dhe e dinte se për çfarë po bëhej fjalë. Kurrë nuk e kam hapur këtë bisedë se edhe ndihesha më pak mashkull në këtë drejtim. Unë po i afrohesha të dyzetave, e ajo i kishte kaluar e kam menduar se nuk po mendonte më për të qenë nënë. Po mendoja: Sikur kjo të kishte domethënie për të, që moti do të bisedonte për këtë. Një mëngjes derisa po shkonte në ordinancë, kishte kollë.

 I dashur, kam lajme të bukura. E vërteta është se është herët të flasim për këtë, por nuk dëshiroj që lajmet e bukura t'i fsheh nga ti. Nëse është fat, do të jemi të lumtur, e nëse jo, do të vuajmë së bashku - më tha. - Ke gjithë vëmendjen time, më ke bërë kureshtar me këtë fjalë - iu përgjigja. - I dashur, do të bëhemi prindër. Jam shtatzënë pothuajse që dy muaj. Jam më e vjetër dhe shtatzënia është me rrezik, prandaj dua të marr pushim mjekësor dhe të rri e qetë, të bëj të gjitha sipas këshillës së mjekut - po thoshte derisa sytë po i shkëlqenin nga lumturia. Lumturia e saj dhe hutia ime më prekën si një rrufe. Lukthi mu shtrëngua, më kapën ngërçe, mezi po merrja frymë.

Lajmet e mira për mua atë moment ishin ankth. Maliqja natyrisht, e vërejti heshtjen tim dhe shprehje në fytyrën time. - Nuk po gëzohesh për këtë lajm? Nuk dëshiron të kesh fëmijë me mua? Kurrë nuk kemi biseduar për këtë, por kjo është sepse dy herë nuk ia kam dalë ta përfundoj shtatzëninë. Tani jam edhe më e moshuar dhe e kam të vështirë të flas për këtë. /vijon/

(Kosova Sot Online)