Roman dashurie: A mund të të vardisem? (1)

  • E.K /
  • 01 July 2022 - 15:48
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (1)

Ditët e pranverës i afroheshin fundit. Claire Barron mendonte se si në Florida gjithmonë erret shpejt, sapo të zhduket dielli prapa horizontit. E përshpejtoi hapin dhe ua hodhi një vështrim vlerësues varkave që gjendeshin të lidhura në limanin plot me palma. Duke parë një jaht të bukur, me stoli të mesingut, shikimi i ndaloi, duke analizuar sesi ishte emri i anijes. "Zana e detit". Sytë e saj u hapën dhe gjaku i shkoi në faqe. Më pas ndjeu në sup një prekje të fortë. "Marc, më frikësove për vdekje!" Mashkulli, i cili përnjëherë u gjet prapa saj, e kapi për duarsh dhe e puthi në faqe.

"A bleve në Nju-Jork shumë rroba të bukura?" "Oh, moda e re vjeshtore është thjesht fantastike... por kjo nuk të intereson ty. Kur Darlene ma dha porosinë tënde, nuk e kisha të qartë pse dëshiron që të takohesh me mua mu këtu. Jahti? Me këtë emër!" Rreth syve të tij u paraqitën rrudhat e buzëqeshjes. "A nuk është e mrekullueshme? Ideale për udhëtime të shkurtra". "Shoqet tua me gjasë do të gëzohen". Ai hezitoi për një çast."Nëse hyjnë në jaht, me gjasë do të gëzohen. A të hipim pak?" Claire e ngriti kokën dhe shikoi fytyrën e tij të rrezitur. Flokët e tij kafe të errëta, me tufa të nxira nda dielli, binin mbi jakën e bluzës së tij polo. Në qëndrimin e Marcut kishte paksa arrogancë, kur i vendoste duart në xhepat e pantallonave të tij të zbardhur.

Buzëqeshja e tij ishte e ngrohtë dhe e njohur, por Claires i dukej sikur në të shihte pak frikë dhe pasiguri. Ai e mori për dore dhe e çoi në drejtim të jahtit. Derisa ecnin dokut, ai i fliste për gjëra të parëndësishme. Clarie ishte e lumtur që nuk i duhej të fliste shumë, meqë prekja e tij e befasoi tërësisht, sa që u dridh nga ajo. Çka ishte duke ndodhur me të? A nuk ishte mësuar vite më parë t'i kontrollonte ndjenjat? Kur hynë në ambientet e brendshme të jahtit, Claire buzëqeshi. Kishte përshtypjen sikur ndodhej në banesën e ndonjë beqari. Enterieri ishte rregulluar me tone bezhë dhe të kafenjta, e në dysheme gjendej një tepih i trashë. "Shumë snobiste", tha Claire. Ai buzëqeshi. "Ka vite që më thua se jam snob".

E vendosi dorën rreth belit të saj dhe Claires pak iu turbulluan mendtë. I duhej të pushonte paksa para se të nisej më tej. Kur ishte e lodhur, ekzistonte rreziku që të mos mund t'i fshihte ndjenjat sesi ndihej kur ishte në afërsi të Marcut. "Ulu, rehatohu, zanë", tha Marc, duke u nisur kah bari i drunjtë. "Ka kaluar të paktën një muaj prej se të kam parë për herë të fundit. Hajde të pimë diçka së pari, para se të ta tregoj jahtin". Claire u rehatua në kauç, duke u mbështetur në jastëkë. Ndjeu sesi, me luhatjen e anijes, i relaksohej trupi. Disa minuta më pas, Marc i solli "Lime Daquiri". U ul afër saj, i zgjati këmbët dhe piu një gllënjkë të uiskit. "Sa klientë i ke deri më tani?", e pyeti. "Rreth tridhjetë. Darlene dhe unë mezi arrijmë t'iu dalim në krye". "Do të duhej ta zgjeroje punën, të punësosh më shumë njerëz dhe të kërkosh hapësirë të re. Kur mbërrite në shtëpi?" Claire u mërrol."Së pari, nuk mendoj rreth dimensioneve të njëjta sikur ti dhe, e dyta, në qytet ka vetëm pak orë që erdha. Me të vërtetë mendoja se ishe në Hong Kong. Në vend të kësaj, humbë kohë në lojën tënde të re". (vijon)

(Kosova Sot Online)