Roman dashurie: A mund të të vardisem? (7)

  • E.K /
  • 11 July 2022 - 15:51
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (7)

Claire e shikoi gruan e re. "Supozoj se ndiheni sikurse unë. edhe unë në disa raste me dëshirë do të vishja rroba më komode". "Po, kjo është e vërtetë. Por, më duhet të përparoj në këtë punë, prandaj më duhet që të përkujdesem për pamjen time". Claire pohoi me kokë. "E shikova reportazhin tuaj këtë javë. Jeni e sigurt derisa flisni dhe keni zë të këndshëm. Me rroba adekuate me siguri do ta arrini qëllimin tuaj. A do të mund t'i provonit gjërat që i kemi këtu? Në Panairin e modës do të interesohem për rroba të cilat do t'ju përshtateshin". mGruaja e re e shikoi e shqetësuar. "Mendoj... ju e dini se kam buxhet të vogël"? Claire buzëqeshi. "Puna me ju më intereson.

Do ta gjejmë një çmim të arsyeshëm". "Ju falënderoj për këtë", tha Gale me lehtësim. mKur dy gratë shkuan në hapësirën ekspozuese, Claire nxori kostumin e kaltër, me ngjyrë të syve të Gale-s. Krahas tij nxori disa këmisha, bluza dhe funde, të cilët mund t'i provonte në kabinë. Disa minuta më pas Gale shikonte vetveten me kënaqësi në pasqyrë. "Jam dashuruar në këtë pallto të kaltër, e më duket se edhe kualiteti është i mrekullueshëm". "Krejt çka ju pëlqen mund t'i merrni në shtëpi", tha Claire. "Mbani rrobat veshur për disa minuta, për të parë se a ju rrinë me të vërtetë mirë.

Më thirrni pas disa ditësh. Javën tjetër do t'ua përgatis disa gjëra, të cilat do të mund t'i kombinoni". Pasi që Gale u ndërrua, ajo u falënderua edhe një herë dhe mori gjërat me vete. Kur, pas disa minutash, doli nga zyra, Claire mbeti vetëm. U ul afër tavolinës dhe filloi ta studionte dosjen e Gale-it. Me këtë kliente më shumë do të humbë, sesa që do të fitojë para. Marc do të mendonte se ishte çmendur. Paratë janë para, e kishte zakon të thoshte ai.

Kur diçka nuk premton fitim, më mirë të mos e praktikosh fare. Përnjëherë ndjeu një nevojë që të bisedonte me Marcun për mijëra gjëra. Nga mendimet e tërhoqi zilja në derë. E shikoi orën. Gjashtë... kush do të mund të ishte? Ndoshta Gale kishte harruar ndonjë gjë. U ngrit dhe shkoi te dera. Aty ishte një njeri rreth 50-vjeçar. Ishte i veshur me rroba të kaltra dhe kishte një çantë në dorë. Claires i dukej i njohur, por nuk e dinte nga ku. Ai ishte serioz. "Me gjasë as që më njihni më, Claire. Unë jam Jeff Nelson. Jemi njoftuar disa vite më parë, kur e keni vizituar nënën tuaj në San Francisko".

Tani iu kujtua kush ishte ai. "Ju jeni avokati i nënës sime, apo jo"? "A mund të hyj? Ka shumë rëndësi". "Natyrisht. Kërkoj falje për sjelljen jo adekuate. Në momentin e parë nuk e dita kush jeni". Pasi që avokati u ul përballë Claire-s, disi me siklet e hapi çantën e tij. "Unë... në fakt, kam një lajm tragjik për ju, Claire. Disa ditë më parë, nëna juaj ka pësuar një aksident trafiku në Londër". Claire filloi që të ndjente dhembje të fortë në gjoks. "Si... si është ajo tani"? Jeff Nelson e shikoi me keqardhje.

"Lynn vdiq disa orë pas aksidentit. Në spital për një kohë të shkurtër ishte me vetëdije dhe e kishte lutur burrin e saj që të më thërriste". Claires i dukej sikur dilte nga trupi i saj dhe e shikonte avokatin nga largësia. Natyrisht që ëndërronte. Me gjasë e kishte zënë gjumi pasi që ishte larguar Gale. Dreqin! Këto ëndrra të këqija janë duke u bërë gjithnjë e më të këqija. Njeriu në ëndrrën e saj fliste qetë, pyeste për Marcun dhe i thoshte që Lynn dëshironte t'i digjej trupi. Fliste edhe për njëfarë testamenti... Claire ishte trashëgimtarja e vetme. (vijon)

(Kosova Sot Online)