Roman dashurie: A mund të të vardisem? (8)

  • E.K /
  • 12 July 2022 - 15:50
Roman dashurie: A mund të të vardisem? (8)

"Do të bisedojmë rreth testamentit, Claire, pasi që ta merrni veten nga lajmi i hidhur. A e dini ku mund ta gjej Marc Stanley-n?" "Sekretarja e tij me gjasë mund t'ju lidhë me të", u përgjigj Claire me zë të qetë. "A duhet ta thërras ndokënd që të rri me ju?", e pyeti avokati. Marc, kthehu dhe më zgjo. Më zgjo nga kjo ëndërr e tmerrshme... "Mirë jam", tha me një zë të ftohtë, të përmbajtur. Kur të zgjohem frika do të zhduket dhe do të mbetet vetëm shija e hidhur në gojë dhe kujtimi i çuditshëm i asaj ëndrre. Ai e shikonte i tmerruar. I vinte keq nga kjo grua. Më pas përsëri tha diçka.

"Nëna juaj më luti që ta thërras z. Stanley, që ta lus të rri me juve, kur... Por, tani do ta thërras sekretaren e tij. Claire, a keni ndonjë shoqe, të cilën do të mund ta thërrisja"? "Darlene Taylor," u përgjigj Claire me indiferencë. Ndoshta Darlene do ta zgjojë. "Ma jepni numrin e saj të telefonit", i tha ai. "Shkruan aty, brenda", tha Claire duke bërë me dorë kah një fletore e zezë. Si në trans Claire shikonte avokatin sesi e hapte fletoren e adresave. Marc! O, Zot, Marc, sa më duhesh tani! Avokati e lëshoi dëgjuesen dhe u kthye kah ajo.

Claire qante, por fytyra e saj ishte pa shprehje. Jeff Nelson mbylli çantën. Falë Zotit, zonja Tylor pranoi që të vinte menjëherë. Vajza me gjasë është në shok. Marc dukej i lodhur dhe i sfilitur. "Si është ajo"? Darlene ofshau. "Nuk ka ndryshime. Mjeku mendon se ajo ka 'ndrydhur' tërë atë që ia ka thënë avokati. Marc, ajo thjesht nuk dëshiron të pranojë se Lynn ka vdekur". "Ku është tani"? "Në dhomën e saj. Ende mendon se lajmi për vdekjen e së ëmës ishte vetëm një ëndërr e keqe".

Darlene i fshiu lotët. "Ajo është e bindur që ti do ta zgjosh nga gjumi". Në fytyrën e Marcut u paraqit shqetësimi. "O, Zot! E gjora! A i rregullove gjësendet e saj"? Darlene bëri me dorë kah çantat që gjendeshin në një kënd, në korridor. "Brenda gjendet çdo gjë që i duhet". "A e ke çelësin e shtëpizës"? "Po. Mos u mërzit. Do të përkujdesem për gjithçka. Klienteve do t'iu them se vdekja e nënës e ka lënduar shumë dhe se ka nevojë për pushim". "Kjo edhe është e vërtetë. Nëse do të të duhem në fletoren e Claires e ke adresën dhe numrin tim të telefonit".

"Më njofto si është, pasi që të arrish", tha Darlene. "E, tani shko te ajo". "Faleminderit për krejt çka ke bërë për të, Darlene". "Ajo është shoqja ime. Kujdesu për të, Marc!'' I tronditur, pas disa sekondash, ai gjendej në dhomën e saj. Claire gjendej e shtrirë në shtrat dhe shikonte tavanin. Fytyrën e kishte të hirtë dhe të zbehtë, e nën sy i ishin formuar rrathë. I duhej që ta thërriste përsëri në jetë. "Claire" tha me zë të ulët, duke u kthyer kah shtrati. Ajo u ngrit përnjëherë. "O Zot, Marc! Ku ishe? Më ndihmo! Kam një ëndërr tepër të keqe, e cila nuk më largohet aspak". Marcut në sy iu shfaqën lotët, pasi që u ul në shtratin e saj dhe e kapi nga duart. "Këtu jam, zanë.

Së bashku do të shkojmë në ishull dhe do të kërkojmë gaforret. Do të shkojmë për t'u larë. Do të ta përgatis një karavidhe dhe krejt gjërat e tjera që të pëlqejnë. Do ta eksplorojmë ishullin, sikur edhe gjatë vizitës së kaluar". "Më parë më zgjo, Marc. Nuk mund ta duroj më këtë gjendje", tha ajo duke qarë. Marcu për një moment u ndie i pafuqishëm. Kishte shpresuar që vet paraqitja e tij do ta kthjellte Clairen, duke e nxjerrë nga gjendja në të cilën gjendej. Luftonte vet me veten. A duhej të priste derisa të arrinin në ishull, apo ta rrënonte menjëherë bllokadën e saj psikike? (vijon)

(Kosova Sot Online)