Ngjarje e vërtetë: Pas tërë atyre viteve (1)

  • E.K /
  • 13 July 2022 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Pas tërë atyre viteve (1)

Lindi një ditë e vranët mbi qytet. Ishte muaji mars. Ishte ora tetë. Vendosa që të rrija edhe pak në shtrat. Gjumi do të më bënte mirë. Këtë ditë e kisha pritur tash e njëzet vjet. dashuria ime e parë dhe unë sonte do të dalim për darkë. Do të bisedojmë rreth viteve të kaluara, rreth ngritjeve dhe rënieve, rreth asaj që kishim ëndërruar dhe imagjinuar para njëzet viteve. Ende çuditem sesi ky qytet nuk na kishte bashkuar më parë. Ai vinte këtu, por me gjasë fati nuk deshi që më parë të na i bashkonte udhët. Nëpër kokë më kalonte dita e djeshme. Dje shkova për t'i marrë librat, të cilat mi kishte dërguar një kolege. Duke pritur librat, një zotëri në të hirta më pyeti: - Kërkoj falje zonjushë, apo zonjë.

Nuk mund të besoj - mendova. Pas kaq vitesh, përsëri shikoheshim sy më sy. Ai dhe unë. Të njëjtit! Vitet nuk e kishin ndryshuar. Vetëm ndonjë rrudhë tek e tuk dhe ndonjë fije e bardhë e flokut. E shikoj dhe përqendrohem te dora e tij e djathtë. Dëshmia e përhershme e dashurisë. Unaza. E, çka?! Kush ma ka fajin që kurrë nuk jam martuar …? - Suzana? Nuk paske ndryshuar fare! - Llukman, as ti nuk paske ndryshuar fare. Për çudi që nuk jemi takuar më parë? - Nuk kam qenë gjatë tërë këtyre viteve këtu. Kam jetuar në Suedi. Ti e di ëndrrën time.

Suedia. Ndonjëherë kam ardhur këtu, por nuk kam qëndruar shumë. - E di, e di! Nuk mund të besoj. Me të vërtetë nuk paske ndryshuar thuajse aspak. - As ti, as ti! Tani me të vërtetë jam për ngutë. Jam këtu me fëmijët. Kur të kesh kohë hajde të bisedojmë dhe t'i qajmë hallet? - Nesër është e diel. Pasditen e kam të lirë… - Mundet, natyrisht. Nëse dëshiron të pres këtu në orën 16:00? - Shihemi! Më kapluan ndjenjat. Kishin kaluar njëzet vjet. Njëzet vjet të plota prej se ishim parë për herë të fundit në qytetin tonë të lindjes. Më pas rrugët na ishin ndarë.

Gjithmonë kisha besuar se do të takoheshim diku. Ishim njoftuar 25 vjet më parë. Isha një 18-vjeçare dhe vijoja shkollën e mesme ekonomike, duke ëndërruar që një ditë të bëhem profesoreshë. Ai studionte në një qytet tjetër dhe ëndërronte që të bëhej i suksesshëm. Nuk kishte rëndësi në çka, vetëm që të bëhej i famshëm dhe i pasur. Ramë në dashuri. Butësisht dhe me sinqeritet sikur që mund të duhet vetëm për herë të parë. Kënaqesha në çdo shikim të tij, prekje. Dëgjoja fjalët e saj dhe ëndërroja që, një ditë, do të shkoja në atë qytet të largët.

Ti ishe dielli im, qielli, buzëqeshja... Atëherë erdhi dita e kthimit tënd. Të kam thënë 'do të të pres'. Ti kishe buzëqeshur. Më kishe thënë: "Mos më prit, jeto, kënaqu, ëndërro, imagjino, dil…, do të gjesh shumë të këtillë si unë, derisa rinia jote nuk do të të kthehet më". Jo, megjithatë do të të pres, mendova. Më je lajmëruar sa herë që ke mundur dhe sa ke mundur. Në atë qytet të largët ke studiuar dhe punuar. Vendlindjen e ke lënë në moshën 18-vjeçare, në kërkim të një jete më të mirë. Gjithmonë ke qenë ambicioz, për dallim prej meje. Nuk erdhe. Unë vuajta, por në të njëjtën kohë isha e lumtur që të kisha, diku atje. Mu ty! Të prisja, të prisja. Kur erdhe, nuk mund të besoja se kisha pritur ditën e kthimit tënd. Përsëri isha e lumtur, e buzëqeshur, merrja frymë. Ishim dashur. Duheshim brigjeve të lumit tonë. Në ulëset e fëmijërisë tonë. Ëndërroja sikur unë do të vija te ti, ku do të jetonim bashkë dhe do të ishim të lumtur. Me rastin e ndarjes, më the se do të doje që unë të vija te ti. Për shkakun tënd çdo ditë mësoja dhe i bëja punët e përditshme, në mënyrë që prindërit të më linin të vija te ti. (vijon).

(Kosova Sot Online)