Ngjarje e vërtetë: Pas tërë atyre viteve (2)

  • E.K /
  • 14 July 2022 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Pas tërë atyre viteve (2)

Ata lëshuan pe. Pasi që panë se sa të dua, iu desh që të më lëshonin. Asnjëherë nuk do ta harroj atë mbrëmje të prillit, kur më prisje në stacion të autobusëve në qytet. Sa të përqafova. Me të vërtetë asgjë nuk mund të krahasohet me pasionin e dashurisë së parë. Isha tepër e lumtur. Pasi që arrita në banesën tënde, lotët më dolën nga gëzimi, meqë nuk mund të besoja se isha me ty. Pas tërë këtij malli, lotëve dhe dashurisë, edhe unë jam përkrah teje. "Atëherë, por edhe sot, pas shumë viteve, mendoj se njeriu vetëm një herë mund të dashurojë pa rezerva.

Vetëm dashuria e parë është e vërtetë, kurse tjerat janë vetëm kopje. Tash vetëm mund të them se dashuria e parë është shumë më e mirë kur e kujton, sesa kur e përjeton. Pasi u ktheva në fshatin e lindjes, fillova ta përgatisja punimin e maturës dhe mbrojtjen e të njëjtit. Mendimet ishin larg, te ti, ku gjendej dashuria e parë. Të kam pritur. Nuk erdhe. Gjithmonë të arsyetoja. Derisa shumica thoshin se unë isha naive, se ti e ke dikë tjetër, atje larg, se do të më lësh, unë nuk iu besoja aspak. Atë vit përfundova shkollën e mesme, por për shkak të gjendjes materiale nuk munda të regjistrohesha në fakultetin e dëshiruar. Më pas erdhe. Një mëngjes të gushtit erdhe në fshatin tënd të lindjes.

Nuk mund të besoja se përsëri ecje sokakut tënd. Ah, ajo lumturi! Përsëri u dashuruam. Më pas, më the diçka që më kujtohet edhe sot e kësaj dite. "Syri im, mos më prit më! Duhet të dish se jeta ime është në qytet dhe, derisa t'i realizoj qëllimet e mia, nuk e kam ndërmend që ta krijoj një lidhje serioze". U lava në lot. Me ditë të tëra, me net nuk futa gjumë në sy. Se sa mund të të lëndojë dashuria e parë e dimë vetëm ne që e kemi paguar shtrenjtë.

Më pas erdhe në qytet. Gjithmonë i njëjti. Ende shiheshim. Duheshim. Të gjithë rreth nesh e shihnin këtë, përpos ndoshta neve. Një herë Ganja ime më tha: "Shpirti im, te Llukmani dhe te ti shihet se sa vuani për njëritjetrin. Sikur të bashkoheshit, do të kënaqeshit. E dinte ajo se do të të merrja me vete në atë botë, por e dinte se edhe ti do të më merrje. Rrugët tona u ndanë, por që të dy e dinim se kë e kishim në zemër. Më pas unë u punësova dhe u regjistrova në fakultet. Megjithatë, nuk ishte kjo që më kënaqi. Doja shumë më shumë. Punoja pa asnjë ditë të lirë, fakulteti nuk ishte ai që e kisha dashur. Përsëri vuaja. Ti shkove në ndjekje të ëndrrës tënde.

E mbarove fakultetin, përparove në kompani. Isha e lumtur për ty. Unë ëndërroja që të largohesha nga qyteti i lindjes dhe të shkoja diku larg, mu sikurse ti. Më vriste ai ambient i vogël. Isha e etur për ndërtesa të larta, rrugë të gjera, metro të mëdha. Nuk është se nuk më pëlqente fshati dhe natyra, por nuk më pëlqente qyteti i lindjes. Të ëndërroja edhe ty, bashkë me mua në një fermë fshati, se si të dashuruar lozim me vajzën tonë të vogël. Eh, ëndrrat e mia të kota! Vendi im i lindjes ishte i vogël, njerëzit e njëjtë, mundësi të vogla për sukses. Çka është më së keqi, njerëzit ishin të ligj. Gjithmonë e vajtoja veten që kisha lindur në një ambient të tillë të shëmtuar, por megjithatë ngushëllohesha me faktin që prindërit e mi nuk ishin nga ai vend. Unë as që përkisja në atë vend. (vijon)

(Kosova Sot Online)