Ngjarje e vërtetë: E vërteta rreth prindërve të mi (2)

  • E.K /
  • 23 July 2022 - 16:48
Ngjarje e vërtetë: E vërteta rreth prindërve të mi (2)

Të nesërmen përsëri u gjeta para derës së saj. Shpresoja që kësaj here, ajo do të sillej më mirë. E hapi derën që pas ziles së parë dhe foli e para: - Mirëdita, Ariana - fjalët e saj më habitën. Edhe pse ende kishte një shprehje serioze në fytyrë, ajo mu drejtua me mirësjellje. - Mirëdita - ia ktheva, e ajo ma lëshoi udhën, që të hyja brenda. Paksa u hamenda, meqë takimi ynë i djeshëm nuk kishte qenë aspak i këndshëm. Megjithatë, hyra në kuzhinë dhe e vendosa ushqimin në tavolinë. Bedrija jetonte në një banesë të vogël, me pak gjësende brenda.

Menjëherë vërejta modestinë e tërë banesës, por kjo nuk ishte e rrallë, meqë të gjithë shfrytëzuesit e shujtave ishin njerëz të varfër, që merrnin ndihma nga njerëzit e vullnetit të mirë. - Ariana e keni emrin? - pyetja e saj më befasoi edhe më shumë, meqë nuk kishte shumë kohë që më thirri me atë emër. - Po, e ju jeni Bedrija - thash. Nuk më tha asgjë, vetëm vazhdonte që të më maste me shikim. - Më duhet të vazhdoj tutje - thash, duke u nisur kah dera. - Punoni në "Caritas"? - më pyeti. - Bëj punë vullnetare. Përndryshe jam studente - i thash, duke pritur të ma hapte derën. - E, çka studioni? - për befasi, kësaj here ishte shumë llafatore. - Dizajnin.

 Përnjëmend? Unë jam marrë me rrobaqepësi - më tregoi. - Më nuk merreni? - thash dhe menjëherë hetova marrëzinë e pyetjes sime, meqë ishte evidente se Bedrija ishte tepër e sëmurë. - Ka kohë që nuk merrem! Disa vite më parë pata një sulm në tru. nga atëherë kam vështirësi në ecje, por megjithatë, çdo gjë përfundoi mirë. faleminderit për ushqimet - tha duke ma hapur derën. - Shihemi nesër - shtoi atë të enjte, kur e vizitova për herë të dytë. Mezi e prisja fundjavën tjetër, meqë gjatë tërë javës kisha mësuar, e kisha filluar të bëja edhe punë vullnetare. Edhe pse kjo gjë më bënte të ndihesha mirë, nga pak ndjeja lodhje.

Me Arianin isha marrë vesh që, të premten mbrëma, të shkonim në kinema. As që ëndërroja se, nga e nesërmja, do të fillonte të zhvillohej lëmshi i jetës sime. - Si po shkon puna vullnetare? - më pyeti nëna atë të premte në mëngjes, pas kafjallit. Babai vonohej në punë, e Ana tanimë ia kishte dalë që t'i nervozonte, duke iu kërkuar para për një celular të ri. ajo doli me zemërim nga shtëpia, pasi që babai i tha se nuk kishte kaluar as një vit prej se ia kishin blerë një celular të ri, e unë tash e tri vjet kisha një celular të njëjtë dhe nuk ua çaja kokën. - Bijë, a më dëgjon? Si po shkojnë gjërat në "Caritas"? - nëna e përsëriti pyetjen. - Mirë është.

Tanimë i mbaj mend të gjitha adresat dhe jam njoftuar me njerëzit - u përgjigja disi pa u përqendruar, duke menduar sesi motra ime me të vërtetë nuk më duronte fare. Dje as që më përshëndeti. - E, si të presin njerëzit që ua çon ushqimin? - Të gjithë janë tepër të sjellshëm. Vetëm një grua nuk qe aq e gëzuar që ia dërgova ushqimin unë, në vend të një djali, me të cilin ishte mësuar - thashë, duke përkujtuar takimin e parë me Bedrijen. - Çka të bësh, ka turli-turli njerëzish - shtoi babai duke dalë. - Por edhe Bedrija dje u soll më mirë. Jam e lumtur që mund t'iu ndihmoj këtyre njerëzve - thash, duke filluar t'i mblidhja enët nga tavolina. - Bedrija? - bërtiti nëna, prandaj e shikova me habi. - Ashtu quhet ajo gruaja - thashë. Babai u kthye përsëri brenda. - Ku jeton ajo? - më pyeti nëna. (vijon)

(Kosova Sot Online)