Prokuroria në aksion, fillon shpalosja e dosjeve të qeverisjes kriminale të Shpend Ahmetit për dy mandate në krye të Prishtinës

Prokuroria në aksion, fillon shpalosja e dosjeve të qeverisjes kriminale të Shpend Ahmetit për dy mandate në krye të Prishtinës

Gani Qarri

  • 23 July 2022 - 09:08

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Më në fund, duket se Prokuroria e Kosovës, do të filloj të merret seriozisht me shpalosjen e dosjeve kriminale të ish kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, lidhur me qeverisjen dhe menaxhimin mafioz me krim e korrupsion për dy mandate të Komunës së Prishtinës.

-Një nga mega skandalet e zbuluara dhe të denoncuara në Prokurorinë Speciale ka qenë afera me ndërmarrjen Publike Banesore SH.A Prishtinë, në fund të mandatit, si dhënien truallit dhe objekteve ekzistuese për një projekt ndërtimi, që është një skandali i madh rreth projektit milionësh afaristo-banesor të NPB-së në Lakrishtë për të cilin kishte dërguar kallëzim penal në Prokurorin Speciale edhe Ministria e Mjedisit Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në një njoftim nga ndërmarrja Publike Banesore SH.A Prishtinë, thuhet se të martën pasdite Policia e Kosovës ka bastisur zyrat e tyre, ku zyrtarët policorë kanë paraqitur një urdhër kontrolli për të marrë dokumente të NPB-së, të cilat sipas kësaj ndërmarrjeje u janë dorëzuar organeve të rendit 5 muaj më parë, dokumente të cilat thuhet se ndërlidhen me projektin më të rëndësishëm të NPB-së , atë të ndërtimit në Lakërishtë.

Në lejen e lëshuar nga komuna e Prishtinës më 16.08.2021 për Ndërmarrjen Publike Banesore, mundësohet që kompania private, Made Group Construction të ketë 64 për qind të hises në projekt, por që çuditërisht është e definuar me kontratë para se të aplikohej për leje ndërtimi, kurse pjesëmarrja në hise e NPB-së, është vetëm 36%. Për këtë arsye, Ministria e Mjedisit e kishte akuzuar aso kohe Ndërmarrjen Publike Banesore përmes një akti noterial, pse ia ka dhënë pronën e paluajtshme publike në shfrytëzim të PËRHERSHËM kompanisë private Made Group Construction me qëllim të ndërtimit të objektit banesor afarist në Lakrishtë.

Sipas ministrisë, Ligji nr. 06/L-092, nuk njeh shfrytëzim të përhershëm dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, por parashihet vetëm shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë maksimumi deri në 99 vjet. Megjithatë Komuna e Prishtinës përkatësisht drejtoria e Urbanizmit dhe ajo e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm- Sektori i Mjedisit i kanë lëshuar për këtë rast tri leje: lejen mjedisore, lejen e rrënimit dhe lejen e ndërtimit për NPB-në, madje pa e përmendur fare azbestin dhe domosdoshmërinë ligjore të trajtimit të këtij materiali të rrezikshëm. Procedurat janë kryer shpejtë e shpejt, duke shkelur të gjitha normat ligjore, pasi që ishte koha e limituar e mandatit të Qeverisë komunale të Shpend Ahmetit në mandatin e tij të dytë.

Në vlerësimin mjedisor që i ka paraprirë dhënies së lejes mjedisore mungon nënshkrimi dhe emri i autorit edhe procedura e dhënies së lejeve për këtë projekt milionësh, thuhet se është kryer në një kohë relativisht të shkurtër që nuk është praktikë e zakonshme, prandaj Ministria e Mjedisit ka akuzuar Bordin e NPB-së se ka hartuar kundërligjshëm rregullore që prona e NPB-së, ti epet me përqindje një kompanie private, për çka më pas, Komisioni Komunal i aksionarëve politik ka ndryshuar statutin e ndërmarrjes për t`ia përshtatur rregullores së re.

Prandaj Ministria e Drejtësisë përmes Avokaturës Shtetërore kishte dorëzuar padi ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, për anulim të aktit noterial, kërkesë për masë të sigurisë dhe kallëzim penal ndaj zyrtarëve përgjegjës të NPB-së që pretendohet se kanë dëmtuar interesin publik duke e dhënë pronën komunale në shfrytëzim të përhershëm të një operatori të caktuar ekonomik. Dhe më 07.10.2021 Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka lëshuar vendimin për pezullimin e punimeve për shkak të skandalit mjedisor të shkaktuar me shkatërrimin e azbestit, kurse më 15 tetor 2021 Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës, me urdhër të Drejtorisë së Inspeksionit e ka shfuqizuar vendimin për rrënimin e objekteve të vjetra që ia kishte lëshuar Ndërmarrjes Publike Banesore ku fajësohet NPB-në për mos deklarim të azbestit në dokumentacionin aplikues për leje.

Kurse më 27 tetor 2021, Agjencia Kadastrale e Kosovës i ka kërkuar me shkresë Komunës rishqyrtimin e lëndës për caktimin e kufirit mes parcelave të NPB-së e AKP-së në Lakërishte si dhe marrjen e masave ndaj teknikut gjeodet që i ka tejkaluar kompetencat, për çka edhe komuna kishte pezulluar lëndën e caktimit të mexhes mes parcelave të NPB-së e AKP-së në Larishte.

Kështu që fillimi i hetimit të këtij skandali të fundit në mandatin e Shpend Ahmetit, duhet të shërbejë për të thelluar hetimet e abuzimit dhe shpërdorimet e tij dhe ish vartësve të vet, në ish Qeverinë komunale të dy mandateve, për përfitime mafioze personale dhe grupore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".