Enver Hoxha i dërgoi ushtarët në Jugosllavi për t’i ndihmuar “vëllezërit” sllavë (Foto)

  • 28 March 2017 - 10:25
Enver Hoxha i dërgoi ushtarët në Jugosllavi për t’i ndihmuar “vëllezërit” sllavë (Foto)

Rreth një muaj pas çlirimit të vendit, pasi ka kaluar kufirin shqiptar në veri, Ushtria Nacional Çlirimtare kishte kaluar në terrenin jugosllav duke luftuar forcat gjermane krahas ushtrisë jugosllave. 

Me 23 dhjetor 1944, nga Divizioni i V-të, Ramiz Alia i shkruan Komitetit Qendror në Tiranë për të treguar pikat e dobëta të këtij divizioni dhe punën e mangët në drejtimin e edukimit partiak, shkruan Shqiptarja.

Po një fakt me interes është ai lidhur me dezertimet nga radhët e ushtrisë në fund të dhjetorit 1944. Kushtet e vështira të motit, terreni i vështirë dhe luftimet në tokë të huaj, ndërkohë që vendi ishte çliruar plotësisht, duket se ishin shkaqet kryesore të dezertimeve në përgjithësi. Por, në këtë letër raport të Ramiz Alisë vihet re se dezertimet po ndodhnin në mënyrë të organizuar dhe kryesisht në radhët e të mobilizuarve muajve të fundit para çlirimit.

Alia raporton edhe për punën e dobët në radhët e njerëzve të Partisë dhe nevojën për të forcuar propagandën përmes revistave, gazetave etj., sikurse edhe për disiplinën ushtarake e cila nuk ishte në nivelin e duhur. Më poshtë po sjellim të plotë dokumentin që mban datën 23 dhjetor 1944, shkëputur nga fondi 14 në AQSH.

Letra e plotë:

“Të dashur shokë,

Për herën e parë, me datën 22 Dhjetor, u mblodh Komiteti i Partisë së Divizionit V-të. U vunë në dukje sukseset që organizatat e Partisë në Divizion kanë patur, suksese këto të dukëshme, por u panë dhe disa të meta që në përgjithësi shifen si të harruara nga shokët t’onë, të meta e gabime që shkaktojnë pengesa në vajtjen e punës Partisë përpara. Me qëllim që të forcohen organizatat t’ona të Partisë në Divizion, këtu posht po u vejmë në dukje disa të meta me randsi të cilat duhet të zhduken me punën t’onë.

1. - Nji send që vihet re në radhët e Divizionit t’onë, janë dezertimet. Nga të tri Brigadat elementa të mobilizuem rishtazi dezertojnë, dhe çka asht ma keq, shpesh herë në mënyra t’organizueme. Dezertimit i duhet dhënë përfundimi. Asht detyra e gjithë antarve të partisë dhe përgjegjësve të Partisë ndër Kompani e batalione që me punën e tyre dhe jetën e tyre së bashku e partizanët të ndalojnë këto dezertime. Puna e squar dhe e efektshme e antarve të Partisë do jetë shkak kryesorë për të penguar këto dezertime. Aty ku ka dezertime tregon se puna e Partisë nuk asht ba e mirë, në radhë të parë përgjegjesija u bije byrove.

2. – Puna politike nuk asht ba si duhet ndër Kompanitë. Bëhen konferencat jo me qëllim që të kuptohen nga partizanët por sepse asht caktue në plan. Duhet me i spjegue partizanve gjithë landën e Frontit Nacional Çlirimtar që u asht dërgue, me i a tregue mirë vijën e punës së re. Me i skjarue partizanët t’onë e sidomos të mobilizuemit e fundit, për luftën t’onë e të popujve Jugosllav, me i a luftue shovinizmin, por që ta kuptojnë duhet spjegue sa ma thjesht. Orët e mësimit (të lira) faktor me randsi për pajisjen politike të partizanve, janë lanë mbas dore; prandaj të bëhen orët e mësimit sa ma të shpeshta. Me elementin e ri t’i jepet rëndsi zhdukjes së analfabetizmit.

3. – Niveli teorik i kuadrove t’ona do të mbetet gjithnji i ulët në se celulat nuk i bëjnë mbledhjet edukative të rregullta e të shpeshta. Ma tepër rëndsi ngritjes s’onë edukative.
4. – Disiplina e Ushtrisë s’onë duhet të jetë disiplina e nji ushtrije të rregullt. Të dallohet dashurija kundrejt nji shoku me respektin që duhet pasë për përgjegjsin që ai ka. Shokët antarë Partije le të punojnë për me forcue sa ma tepër këtë disiplinë, konditë kryesore për të shkuar përpara Ushtrija e jonë Nacional Çli.

5. – Sidomos këtej nga jemi neve, ku na mungon materiali propagandistik, paraqitet shumë ma urgjente puna e dendun për agit-propin. Duhet të mirret seriozisht nga shokët randsija që ka agit-propi. Rivistat e Brigadave, gazetat e xhepit për Batalione, buletinët e Brigadës e Divizionit duhet të qarkullojnë sa ma dendur. Për të shkrue këtej gjejnë mjaftë subjekt, mjaft janë eroizmat e shokve t’onë.
Këto janë në përgjithsi disa nga të metat kryesore, të cilat brenda pak kohe me punën e dendur t’antarve të Partisë dhe udhëheqësve do të plotësohen.

Të fala shoqnore
Për Komitetin e Partisë të Div.V-të
(Ramiz Alia)”.

(Kosova Sot)