Historiani amerikan: Pse është vështirë të rehabilitohet plotësisht Mid’hat Frashëri, shteti mund të kishte qenë…

  • 03 March 2019 - 09:21
Historiani amerikan: Pse është vështirë të rehabilitohet plotësisht Mid’hat Frashëri, shteti mund të kishte qenë…

Në një intervistë historiani amerikan Bernd J. Fisher, krahas qendrimit te tij rreth situates ne Shqiperi dhe aktualitetit politik, ndalet edhe ne nje zhvillim qe u pasua me debate te shumta: kthimin ne atdhe te eshtrave te Mid’hat Frashërit.  

 Sipas tij, “Frashëri ishte pjesë e historisë së Shqipërisë dhe sjellja e eshtrave të tij në atdhe ishte e ligjshme. Ndoshta shteti mund të kishte qenë më pak entuziast, për të mos krijuar idenë e një festimi, por një përkujtimi”.

I përket një tjetër periudhe, por nuk ka se si të mos lidhet edhe me politikën e ditës, përderisa edhe kthimi i tij në atdhe ishte një vendim i saj. Ç’mendoni për rivarrosjen e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri?

Ne kemi kaluar një situatë të tillë me monumentet e Konfederatës. Pas Luftës Civile (1865), në Jug u ngritën statujat e drejtuesve të Ushtrisë së Konfederatës. Ende vijon debati se ç’do të bëhet me to. Shumë ishin që ato të rrëzoheshin, por unë jam kundër kësaj, sepse bashkë me to do të shembej dhe një aspekt i historisë. Për shembull, unë jam kundër shembjes së Piramidës, e cila duhet të ruhet si një simbol, jo për të festuar, por si simbol i një periudhe të caktuar që nuk duhet harruar. Në këtë kontekst, Frashëri ishte pjesë e historisë së Shqipërisë dhe sjellja e eshtrave të tij në atdhe ishte e ligjshme. Ndoshta shteti mund të kishte qenë më pak entuziast, për të mos krijuar idenë e një festimi, por një përkujtimi. Ka një ndryshim të madh mes të dyjave. Nëse kalohet linja e përkujtimores, atëherë kemi të bëjmë me politikë. Gjithnjë jam shprehur kundër përdorimit politik të historisë.

Rivarrosja e tij në Tiranë u shoqërua me debate. Ishin të shumtë ata që kundërshtuan, duke kujtuar faktin se ai ka qenë bashkëpunëtor me pushtuesin nazifashist. A quhet Mid’hat Frashëri kolaboracionist?

Është e qartë që ai ka punuar me regjimin pushtues. Kushdo që bashkëpunon me regjimin është vetësakrifikuar. Regjimet gjithnjë duan të gjejnë njerëz që të drejtojnë qeveritë e tyre të kukullave. Një pjesë e atyre që bashkëpunuan, jo të gjithë e kanë justifikuar këtë si të keqen më të vogël, por regjimi pushtues mund të kishte qenë edhe më i keq se ai që ishte. Nuk besoj se ka më paqartësi në këtë pikë. Kushdo që bashkëpunon me pushtuesin është vetësakrifikuar dhe të quajturit “tradhtar” nga ana e njerëzve, është një haraç që ata duhet ta mbajnë. Pikërisht për shkak të kësaj periudhe bashkëpunimi, nuk mendoj se ai do të rehabilitohet plotësisht.

(Kosova Sot)