Gjithçka nga fillimi, MKRS-ja ndan 450 mijë eurot e para

  • 01 June 2016 - 08:35
Gjithçka nga fillimi, MKRS-ja ndan 450 mijë eurot e para

Ministria e Kulturës ka nisur nga fillimi procedurat për fillimin e ndërtimit të Objektit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Për fazën fillestare ministria ka ndarë një shumë pre 450 mije euro. Kështu kanë deklaruar zyrtarë të Ministrisë së Kulturës. Ndërtimi i objektit “Dr. Ibrahim Rugova” kishte nisur më 2006, kur ministria kushte përzgjedhur edhe projektin për ndërtimin e këtij objekti. Qysh në fillim ishte shprehur një dozë hezitim nga komuniteti artistik sa i përket seriozitetit të ministrisë, gjë që doli të jetë i saktë. Pas mosarritjes së një dakordimi mes MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës rreth një lokacioni për ndërtimin e këtij objekti, MKRS-ja i kthehet lokacionit të 2006-s, ngjitur me Objektin e Fakultetit Teknik, vendi i cili tashmë është shndërruar në një vend atraktiv vetëm për bretkosa,shkruan gazeta Kosova Sot.

Këtë vit fizibiliteti

Qysh në fillim të këtij viti MKRS-ja kishte bërë të ditur se do të ecë e vetme në rrugëtimin për bërjen e vendit me objekt të Operës dhe Baletit, duke vendosur që objekti të ndërtohet në lokacionin e caktuar vite më parë. Duke lajmëruar edhe nisjen e punës, zyrtarë të Komunës kanë thënë në një prononcim për “Kosova Sot” se vendimi i marrë në fillim të këtij viti është duke u zbatuar dhe brenda këtij viti MKRS-ja mund të ketë gati gjithë fizibilitetin dhe projektin për objektin. “Procedurat kanë filluar. Ne sivjet presim të realizojmë studimin e fizibilitetit dhe projektin për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit "Ibrahim Rugova" “, ka thënë Ndue Ukaj, këshilltar i ministrit të Kulturës. Sipas tij, për këtë fazë MKRS-ja ka ndarë një shumë prej mbi 400 mije euro. “Në projeksione buxhetore janë paraparë 450 mijë euro për këtë fazë”, ka pohuar Ukaj, duke mos dhënë informacione të tjera rreth punës që po bëhet për ndërtimin e Objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Pritja e pafundme

Në anën tjetër për njerëzit e skenës klasike vonesat në ndërtimin e këtij objekti ndikojnë direkt në zhvillimin e arteve klasike. Balerini Sinan Kajtazi, aktualisht kryetar i Këshillit Drejtues të Baletit të Kosovës, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit pa dyshim do të jetë jo vetëm përmirësim i kushteve për artistët e skenës artistike klasike, por edhe motiv i jashtëzakonshëm për vazhdimin e mbajtjes gjatë të dëshirës për artin, në këtë rast baletit. “Të jem i sinqertë, kushtet në të cilat punojmë sot janë shpeshherë dëshpëruese për ne si balerinë. Salla e ushtrimeve dhe skena janë vendet ku ne e kalojmë kohën si njerëz të këtij profesioni dhe këto kushte shpeshherë bëhen edhe pengesë në realizimin e performancave të një niveli më të lartë”, ka thënë Kajtazi, duke shtuar se Baleti i Kosovës e ka bërë punën e tij, duke arritur suksese të mëdha si në Kosovë, po ashtu edhe në festivale ndërkombëtare. “Tani mendoj që njerëzit kompetentë duhet të reflektojnë. Mendoj që ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit duhet të bëhet projekt kombëtar i Republikës së Kosovës, si mënyra e vetme për realizimin e këtij projekti madhor”, ka thënë ai.

(Kosova Sot)