Komuniteti kulturor kërkon ndaljen e diskriminimit në paga

  • 20 January 2017 - 08:53
Komuniteti kulturor kërkon ndaljen e diskriminimit në paga

Rritja e rrogave është e kotë në një institucion, ku shkelet ligji.

"U bëjmë thirrje ta marrin përgjegjësinë për ndërhyrje urgjente në këto institucione për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që janë të korruptuar, që po e shkelin ligjin dhe po ushtrojnë diskriminim brenda tyre. Nëse kjo nuk ndodh, nuk mund të flitet për kurrfarë arritjesh, përkundrazi vetëm për regres", ka pohuar Berisha.

Miratimi nga Qeveria i Projektligjit të ri për pagat ka tërhequr vëmendjen e punëtorëve të institucioneve të kulturës. Që nga paslufta, punëtorët e institucioneve të kulturës janë diskriminuar jo vetëm në paga, por edhe në statusin e tyre dhe për vite të tëra ishin mbajtur me kontrata mbi vepër. Futja e punëtorëve të këtyre institucione në këtë ligj si kategori e veçantë, dhe premtimi i ministrit Kujtim Shala për paga të dinjitetshme është përshëndetur nga komuniteti artistik. Por, ata kanë kërkuar që kjo mundësi të mos keqpërdoret dhe të kërkojë më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga drejtuesit e institucioneve rreth zbatueshmërisë së ligjeve në fuqi.

Institucionet e kulturës cilësohen si kategori e rëndësisë së veçantë Naim Berisha, aktor rezident të Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se kategorizimi i institucioneve të kulturës si kategori e rëndësisë së veçantë është një arritje, e cila duhet të shoqërohet, normalisht dhe me rritje pagash, konform rëndësisë specifike që përfaqësojnë këto institucione dhe shkallës së përgjegjësisë të secilit punëtor të këtyre institucioneve, barazvlefshëm me pozitën që kanë. "Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës konsideron se krahas rritjes së pagave për punëtorët e këtyre institucioneve, paraprakisht duhet të merret iniciativë urgjente nga ministri që ta rikthejë zbatimin dhe sundimin e ligjit brenda tyre. "Rritja e pagave është e kotë në një institucion, ku shkelet ligji dhe ku ushtrohet diskriminim, si rezultat i shkeljes së ligjit", ka thënë Berisha, duke shtuar se ShSPTKK-ja përgëzon ministrin Shala për hapin e bërë në drejtim të krijimit të mundësisë për rritje pagash në institucionet e kulturës. "U bëjmë thirrje të marrin përgjegjësinë për ndërhyrje urgjente në këto institucione për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që janë të korruptuar, po e shkelin ligjin dhe po ushtrojnë diskriminim brenda tyre. Nëse kjo nuk ndodh, nuk mund të flitet për kurrfarë arritjesh, përkundrazi vetëm për regres", ka pohuar Berisha.

Nuk meritojnë më shumë Ndërsa krijuesi dhe publicisti, Shaqir Foniqi, duke folur për këtë problem në një prononcim për "Kosova Sot" ka thënë se si ide mund të qëndrojë, por po krijohet përshtypja se sikur të gjitha institucionet preokupim kryesor e kanë rritjen e rrogave të punë- torëve të tyre. Sipas Foniqit, para se të rriten pagat, ata duhet t'i arsyetojnë këto që i kanë. "Unë njëherë shtroj pyetjen bashkë me dilemën se a i meritojnë këto që i kanë? Sepse, ka shumë emërime politike, dhe fare pak në baza të meritokracisë. Madje, kam bindjen se një grup i caktuar janë të kudo-ndodhshëm, qoftë nëpër juri, qoftë nëpër komisione, pra aty ku ka para. Kush çan kokën për gjëra të mëdha", ka thënë Foniqi, duke shtuar se më mirë është që njëherë të zgjidhen më të mirët, jo me nepotizëm, e pastaj ka forma të ndryshme stimulative, si: rroga nacionale, çmime meritore etj. Zyrtarë të MKRS-së nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës për të mësuar më shumë rreth propozimeve të kësaj ministrie rreth rritjes së koeficientit që do t'u caktohet punëtorëve të këtyre institucioneve si kategori e veçantë. Ndryshe, në një komunikatë për medie të MKRS-së, thuhet se me propozimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që kategoritë e krijuesve, performuesve, punonjësve shkencorë në institucionet e kulturës dhe punonjësve profesionalë që, me një nen të veçantë të Ligjit për pagat, të trajtohen si kategori të veçanta. "Neni i propozuar nga ana e ministrit Shala dhe i miratuar nga ana e Qeverisë përcakton se: Çështja e kategorizimit dhe e pagave të kategorive: krijues, performues, punonjës shkencorë në institucionet e kulturës dhe punonjës profesionalë në institucionet e kulturës do të rregullohet me një akt të veçantë normativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës", thuhet në këtë deklaratë.

(Kosova Sot)