Zbehet aktiviteti kryesor për bibliotekat në vend

  • 25 March 2017 - 08:32
Zbehet aktiviteti kryesor për bibliotekat në vend

PRILLI SJELL EDICIONIN E PESËMBËDHJETË TË JAVËS SË BIBLIOTEKËS NË KOSOVË
"Veçmas duhet vlerësuar kontributin e ekspertëve amerikanë, të cilët që nga themelimi i këtij aktiviteti kanë ndihmuar me eksperiencën e tyre në fushën e bibliotekarisë dhe zhvillimeve bibliotekare në vend. Ndërsa, përfituesit më të mëdhenj të javës janë bibliotekarët kosovarë, të cilët njoftohen me zhvillimet më të reja në fushën e bibliotekarisë, bibliotekat dhe librin", ka thënë ndër të tjerash Zogaj

Aktiviteti kryesor për bibliotekat dhe bibliotekarinë në vend, pa dyshim se vazhdon të mbetet Java e Bibliotekës në Kosovë. I themeluar qysh në 2003 në bashkëpunim të ngushtë në mes të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani" dhe Ambasadës Amerikane në Prishtinës, ky aktivitet për vite të tëra ka ndikuar në ngritjen dhe zhvillimin e bibliotekarisë dhe bibliotekave në vend. Edhe këtë vit, ky aktivitet do të nisë në javën e dytë të muaj prill, konkretisht më 11 prill dhe brenda një jave pritet të ndodhin mjaft aktivitete për librin dhe bibliotekat. Pavarësisht se menaxhmenit i Bibliotekë Kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani", nuk ka preferuar të flas gjatë ditës së djeshme për "Kosova Sot", lidhur me Edicionin e XV të Javës së Bibliotekë në vend, gazeta ka mësuar se edicioni i pesëmbëdhjetë do të nisë më 11 prill dhe do të zgjasë deri më 14 prill. Ndërsa janë paralajmëruar një varg aktivitetesh lidhur me bibliotekat dhe bibliotekarinë. Në kuadër të javës, nuk do të mungojnë edhe ekspertët amerikanë dhe ata shqiptarë të bibliotekarisë, shkruan gazeta Kosova Sot.

NJË AKTIVITET TASHMË TRADICIONAL

Krijuesi dhe publicisti, Shaqir Foniqi, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se tashmë java është shndërruar në një aktivitet të rëndësishëm tradicional, duke çmuar shumë rolin e amerikanëve, që kanë dhënë për zhvillimin e fushës së bibliotekarisë në vend. Ai ka thënë se më shumë se kurrë libri dhe bibliotekat janë të nevojshme për shoqërinë tonë. "Tashmë ky manifestim është bërë tradicional dhe shumë domethënës. Shqiptarët, pas bukës, më së shumti kanë nevojë për librin. Shtëpia pa libra është si kopshti pa lule. Shqiptarët kanë shumë nevojë për dije", ka thënë Foniqi, duke shtuar se ndihma amerikane për ta ndihmuar shpërndarjen e rrjetit bibliotekar është shumë e madh. "Kosova duhet t'i jetë falënderuese amerikanëve, por edhe lexuesve, sepse nëse librat i mbulon pluhuri, atëherë asgjë s'vlen", ka thënë Foniqi.

NDIHMA E PAKURSYER E AMERIKANËVE

Edhe Ajete Zogaj, njohëse e zhvillimeve bibliotekare, ka thënë se Java mbetet një aktivitet me rëndësi për zhvillimet bibliotekare në vend. Sipas saj, pesha e kësaj Jave është mjaft e rëndësishme për librin dhe bibliotekat. Ajo ka vlerë- suar edhe rolin që kanë dhënë ekspertët amerikanë të bibliotekarisë jo vetëm për organizimin e Javës së Bibliotekarisë në Kosovë, por në përgjithësi për zhvillimet bibliotekare në vend. "Veçmas duhet vlerësuar kontributin e ekspertëve amerikanë, të cilët që nga themelimi i këtij aktiviteti kanë ndihmuar me eksperiencën e tyre në fushën e bibliotekarisë dhe zhvillimeve bibliotekare në vend. Ndërsa përfituesit më të mëdhenj të Javës janë bibliotekarët kosovarë, të cilët njoftohen me zhvillimet më të reja në fushën e bibliotekarisë, bibliotekat dhe librin", ka thënë ndër të tjerash Zogaj. Edhe këtë vit, në kuadër të Javës së Bibliotekës, pritet të ketë një sërë organizimesh për librin dhe bibliotekarët, si tryeza, ligjërata, seminare, dhurime librash, shpërblime etj. Ndërsa, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushave të bibliotekarisë nga vendin dhe shtetet kontribuuese për biblotekarinë kosovare, si SHBA, Shqipëria, etj. 
 

(Kosova Sot)