Kërkohet kujdes maksimal për të mos pësuar disfatë, si herën e kaluar

  • 27 April 2017 - 09:38
Kërkohet kujdes maksimal për të mos pësuar disfatë, si herën e kaluar

Fazliu: Institucionet duhet të tregohen serioze në ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Kosova duhet të riaplikojë për anëtarësim në Organizatën Botërore për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). E për ta bërë këtë institucionet tona duhet të punojnë me përkushtim dhe punë profesionale në përgatitjen e Dosjes për aplikim, për përfshirje në listë, duke filluar nga përkrahja institucionale, karakteristikat teknike, legjislative, kapacitetet teknike, formimin e grupit punues profesional, përpilimin e planit të punës, planin e konservimit, planin e menaxhimit, si dhe planin e shfrytëzimit të promovimit të monumentit. Kështu kanë thënë ekspertë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos pësojë disfatë, sikurse herën e parë të tentimit për anëtarësim në UNESCO. Megjithatë, institucionet tona ende nuk kanë bërë të ditur se çfarë realisht do të vendosin të riaplokojnë përsëri, apo të presin deri në sigurimin e politikës për anë- tarësim. Madje ka një heshtje të përgjithshme sa i përket këtij fakti, gjithë puna për anëtarësim, jo vetëm në UNESCO, por bëhet në një heshtje të kujdesshme. Përderisa në anën tjetër shteti serb ka intensifikuar përpjekjet për të penguar me çdo kusht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke konsoliduar çdo mekanizëm të tij., raporton gazeta Kosova Sot

Riaplikim të kujdesshëm

Në një prononcim për "Kosova Sot", Migjen Fazliu ka thënë se Kosova duhet të aplikojë përsëri në UNESCO vetëm nëse paraprakisht punohet në sigurimin e votave për anëtarësim dhe jo të pësojë disfatë si herën e kaluar. Ndërsa ka thënë se institucionet duhet të jenë të vetëdijshme dhe të tregohen serioze në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ndërsa, Ylber Vokshi, ka thënë se synimi kryesor i Kosovës duhet të jetë anëtarësimi në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë ku UNESCO ka vend të rëndësishëm, prandaj aplikimi i serishëm duhet të jetë detyrë primare jona. E për ta bërë këtë, sipas tij, kërkohet punë e përkushtuar profesionale në përgatitjen e dosjes për aplikim, për përfshirje në listë, duke filluar nga përkrahja institucionale, karakteristikat teknike, legjislative, kapacitetet teknike, formimin e grupit punues profesional, përpilimin e planit të punës, planin e konservimit, planin e menaxhimit, si dhe planin e shfrytëzimit promovimit të monumentit."Janë këta hapat kryesorë, të cilët duhet harmonizuar me kërkesat detale të UNESCO-s. Nuk mjafton vetëm plotësimi i disa kushteve elementare, si formimi i Task-Forcës apo Strategjitë e trashëgimisë kulturore, duhen veprime konkrete për t'u treguar atyre se sa jemi të interesuar dhe të përkushtuar që të jemi anëtarë fuqiplotë të UNESCO-s", ka thënë ai. 

Drejt UNESCO-s, pa pozitë e opozitë

Sipas Vokshit, veprime të tilla deri më tani kanë munguar edhe si rezultat i një informimi të mangët dhe jotransparent me punën që institucionet tona janë duke bërë për konkurrim sërish në qershor në UNESCO, për sesionin vjeshtor të Asamblesë së UNESCO-s. Më tej ka thënë ai angazhimi në këtë proces shumë të vështirë të aderimit në UNESCO duhet të jetë gjithëpërfshirës."Nuk ka pozitë dhe opozitë në këto raste, por duhet angazhim permanent i ekspertëve të shumtë, intelektualëve të pavarur, që të përfaqësojmë sa më mirë shtetin e Kosovës. Nga ne pritet që shteti ynë si anëtar i ardhshëm fuqiplotë i UNESCO-s të tregojë një seriozitet maksimal, të tregojë nivelin e përkushtimit, mënyrën e trajtimit, mekanizmat e menaxhimit, në ndarjen e fondeve realiste për mbrojtjen dhe restaurimin apo renovimin e objekteve, të cilat kanë hyrë në Listën e Trashëgimisë botërore", ka pohuar eksperti Vokshi. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me punën që po bëhet rreth riaplikimit në UNESCO. Ndërsa zyrtarë të MKRS-së nuk kanë dashur të prononcohen pasi procesi drejt UNESKOS është në dorë të MPJ-së dhe MKRS-ja do të përfshihej vetëm nëse i kërkohet. Në nëntor të 2015, Kosova dështoi të bëhet pjesë e UNESCO-s. Ajo nuk arriti t'i marrë dy të tretat e votave të nevojshme të vendeve anëtare të kësaj organizate, për vetëm 3 vota.

(Kosova Sot)