Machiavelli: Njeri i mirë, apo i keq?
Libri që ofron këshilla për sundimtarët
I fshehur nga legjenda dhe kundër-legjenda, Machiavelli (1469-1527), është vështirë që të nxirret në dritë. Ngjashëm me moralistin Nietzsche, Machiavelli në të njëjtën kohë është tepër familjar dhe i errët. Përpos për studiuesit, për shumicën prej nesh ai njihet vetëm si autor i librit "Princi", i cili libër pretendon të ofrojë këshilla për sundimtarët si të mos e humbin pushtetin. I botuar pesë vjet pas vdekjes së autorit, edhe pse i njohur edhe si dorëshkrim, ky libër ndau mendimet në tërë Evropën, sidomos në mesin e shumicës që këtë libër e njihnin vetëm në bazë të reputacionit të tij. Në këtë libër thuhet se, qeverisja stabile më shumë varet nga forca dhe manipulimi, sesa nga sjellja e mirë dhe nga ligjet hyjnore. Ky libër i vogël ia siguroi Machiavellit një 'jetë pas vdekjes', në të cilën autori dhe reputacioni bashkohen në një objekt të vetëm të diskreditimit apo lëvdatave, varësisht nga qëndrimet tuaja. Kritikët e quajnë predikues të poshtërsisë dhe kërcënues të rendit shoqëror, derisa mbrojtësit e konsiderojnë patriot me ideologji qytetare dhe proto-demokrat, sidomos nëse libri lexohet ashtu sikur që preferojnë mbrojtësit e tij, bashkë me shkrimet tjera politike të autorit. Pa marrë parasysh kritikat e tjera, që janë shkruar më tej, thuajse askush nuk ka mundur t'i ikte pyetjes a ishte Machiaveli njeri i mirë, apo i keq? Në mesin e ekspertëve që kanë studiuar Machiavellin, Benner bën pjesë në mesin e atyre që Machiavellin e konsiderojnë njeri të mirë. Sikur edhe në librat paraprakë (psh "Etika e Machiavellit"), Benner e konsideron personazhin e saj si armik të sundimit autokratik, i cili në librin "The Prince" kishte vendosur besimin e tij të kahmtotshëm te vullneti i njerëzve dhe sundimi i ligjit. Fatmirësisht për lexuesit e rëndomtë, libri "Be Like the Fox" më shumë supozon, sesa që sjell bindje mirë të formuara rreth qasjes ndaj Machiavellit, i cili të paktën është po aq i vjetër sa edhe Rousseau.
Machiavelli filloi që të mësonte latinisht
Libri i Bennerit mund të konsiderohet një biografi jete dhe kohe, e jo një libër që merret me interpretime. Ai na i tregon ngritjet dhe rëniet në karrierën e një njeriu të veçantë, në një kohë tepër të vështirë. Machiavelli ishte funksionar qyteti, emisar i huaj, azilant politik, student i taktikave ushtarake dhe, natyrisht, shkrimtar. Ai përshkruan papët, mbretërit, perandorët dhe kapitenët e ushtrisë të cilët i kishte takuar. Ai shkroi edhe një histori të Firences dhe një propozim për kushtetutën e këtij qyteti. Por, në anën tjetër, ai shkroi vjersha, satira, drama komike, sidomos "Madërgona", të cilën Voltaire e lavdëron për shkak të antiklerikalizmit. Ai la pas vetes me qindra letra, të cilat Benner i përdorë në librin e tij. Machiavelli kishte gjashtë fëmijë, një grua dhe një dashnore. Në letrat e tij familjare ai del të jetë një baba i kujdesshëm dhe burrë i dashur edhe pse i vështirë. I ati i Machiavellit, Bernardo, ishte avokat me borxhe të cilat e kishin penguar atë ta kryente detyrën e tij dhe të cilat borxhe ka të ngjarë që t'i kishte trashëguar edhe vet Machiavelli. Familja jetonte nga të ardhurat e dhënies me qira të tokave të vogla jashtë Firences. Kur kishte vetëm 7 vjet, Machiavelli filloi që të mësonte latinisht, edhe pse veprat e tij kryesore janë të shkruara në italisht. Sa iu përket klasikëve antikë grekë, ai bazohej te përkthimet. Ditari i t'et, i cili është burimi kryesor i informatave rreth rinisë së Machiavellit, nuk vazhdon pas ditëlindjes së 18-të të këtij të fundit. Për një periudhë dhjetë vjeçare nuk dihet asgjë rreth tij, çka kishte bërë, apo çka kishte thënë.
Pushtimi i republikës së firencës
Qeveria e Firences ishte një përzierje jo e qëndrueshme. Qyteti ishte një republikë, e qeverisur nga zyrtarët të zgjedhur. Por, klani Medici i kontrollonte zyrtarët e qytetit me anë të mitës. Machiavelli kishte hyrë në jetën publike vetëm pas rënies dhe ekzekutimit të Savonarolas, një frat puritan i cili kishte dominuar vitet e para të republikës. Në vitin 1498, Machiavelli u emërua mbikëqyrës i zyrës diplomatike të Firences dhe sekretar i komitetit ushtarak. Që të dyja këto ishin poste me përgjegjësi, por megjithatë nuk ia ofronin atij statusin e shumë dëshiruar të diplomatit. Në vitin 1505 ai bindi komitetin ushtarak të Firences që ta formonte një milici. Në përpjekjet e tij të rekrutimit, Machiavelli disi ia doli që të gjente mjaft fshatarë për paradën e 400 milicëve nëpër sheshin kryesor të Firences. Në vitin 1512, mercenarët spanjollë pushtuan republikën e Firences, dhe Medici u kthyen përsëri. I dyshuar si anti-Medicean, Machiavelli u arrestua, u torturua dhe u fut në burg. Por, pasi që një pjesëtar i familjes Medici u bë papë, pasoi një amnisti, me ç'rast Machiavelli u lirua, por karriera e tij qeverisëse kishte marrë fund. Ai filloi të jetonte në fshat dhe t'i luste miqtë që të intervenonin te klani Medici, që t'ia ndanin ndonjë post. Edhe pse post nuk i dhanë kurrë, këta të fundit e inkurajuan atë që të shkruante, bile ta bënte edhe një propozim për kushtetutën e qytetit.
(Edmund Fawcett është autor i librit "Liberalism: The Life of an Idea")
(Kosova Sot)