Listohen autorët më të spikatur të historisë së letërsisë dhe albanologjisë

  • 20 August 2017 - 15:09
Listohen autorët më të spikatur të historisë së letërsisë dhe albanologjisë

Shkruan: Shqipe Gashi

 

Vepra "Struktura e vlerave përfaqësuese" e profesor Begzad Baliut është një nga veprat e tij pothuajse përfaqësuese për shumë arsye. E para, për temat e mëdha me të cilën merret dhe e dyta, për metodologjinë me të cilën u qaset. Në rastin e parë temat përfaqësojnë kërkime të thelluara dhe thelbësore në fushë të albanologjisë, ndërsa në rastin e dytë shquhen metodat historiko-letrare e gjuhësore, me të cilat u qaset. Madje vetë titulli i librit është një çelës interpretimi, i cili flet shumë dhe nxit kureshtjen tek lexuesi për brendësinë e tij. Prof. Begzad Baliu sikur i druhet zbehjes, shpërfytyrimit, shtrembërimit të së vërtetës së shkrimeve të studiuesve të ndryshëm për trungun dhe rrënjët e gjuhës shqipe. Ai ka trajtuar në mënyrë të detajuar krijimtarinë e disa prej autorëve më meritorë të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe ka përzgjedhur autorë shqiptarë: albanologë, krijues, gjuhëtarë, eseistë të shquar, të cilët me punën e tyre i rezistuan kohës dhe i flasin lexuesit shqiptar duke treguar vëmendje të thelluar për mundin e zhvillimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare në përgjithësi. Në radhë të parë, në këtë vëllim përfshihen studime të përmasave historiko-gjuhësore dhe historiko-letrare, sikur janë tekstet e shkruara për përvjetorë të ndryshëm: Akademik Idriz Ajetin, Profesor Jup Kastratin Profesor Rexhep Qosjen, atin e gjuhës shqipe Papa Kristo Negovanin, atdhetarin e përkushtuar të gjuhës shqipe Josif Bagerin, klasikun e përkthimit të kryeveprave të përbotshme Pashko Gjeçin, studiuesin, përkatësisht mjedianin që ia kushtoi një jetë, Mentor Qukun etj.

NJË VEND TË MERITUAR ZËNË STUDIMET PËR DISA TEMA TË MËDHA

Profesor Begzad Baliu me punën e tij në këtë libër liston autorët më të spikatur të historisë së letërsisë dhe albanologjisë. Secili nga këta autorë qëndron i fortë në themelet që ka ngritur vetë në gjuhën e në letrat shqipe. Historia ka dëshmuar se di të sublimojë, por edhe të anashkalojë shpeshherë njerëz që dhanë shumë për kulturën e popullit tonë. Prof. Begzad Baliu me mjeshtëri dhe dashuri të madhe i ka gjurmuar dhe i ka studiuar këta autorë duke i quajtur me të drejtë si arkitektë të vlerave që na përfaqësojnë si komb përballë botës, e cila jo gjithherë ishte bujare me popullin shqiptar dhe kulturën e tij. Libri sado që ofron të dhëna për autorë të mirëfilltë të përzgjedhur, të cilët ia ofron lexuesit me autorë të vlerave të njëmendta, prapëseprapë është libër i thellë për t'u kuptuar nga lexuesi pa përgatitje akademike, që do të thotë se kërkon të rilexohet për të deshifruar atë që thuhet këtu. Një vend të merituar zënë studimet për disa tema të mëdha, që nuk përfaqësojnë vetëm biografi individuale po edhe biografi të një periudhe të caktuar historike apo shoqërore. Fjalën e kemi për studime kushtuar Profesor Selman Rizën dhe projektet e Institutit Albanologjik të Prishtinës (1953-1955); diskutimin rreth letërkëmbimit të studiuesve të Kosovës me profesor Çabejin; studimin tipologjia e kontributit të prof. Jup Kastratit në studimin e botës materiale dhe shpirtërore arbëreshe apo studimin rilindja e Ndre Mjedës, analizën e dokumenteve mbi arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare në Kosovën e viteve '70 në kontekstin politik të marrëdhënieve jugosllavoshqiptare, dorëshkrimin e panjohur të profesor Jup Kastratit për bibliografinë e Sterjo Spasses, sintezën Profesor Mark Tirta dhe etnologjia shqiptare, esenë nga mjedologjia te institucioni i saj etj. Vepra "Struktura e vlerave përfaqësuese" si e tillë zë vend në të gjitha tavolinat ku historia e kulturës së popullit shqiptar çmohet dhe ruhet. Identifikimi i meritorëve dhe vlerave të punës së tyre në lidhje me historinë e të folurit e të krijuarit shqip, si dhe të bëjë të çastshme për çdo lexues, siç duket është dhunti e kauzë e prof. Begzad Baliut. Shikuar në përgjithësi, libri na ofron rezultate të kërkimeve shkencore si dhe zbritjen dhe shtrirjen në rrafshin e leximit të detajuar të analizës së përgjithshme lidhur me këta autorë që jetuan dhe vepruan në vite dhe rrethana të ndryshme kohore. Autori Umberto Eko në librin 'Emri i trëndafilit' shkruante: Librat s'janë shkruar që t'u besosh, por që t'u nënshtrohesh kërkimeve. Kur kemi një libër përpara nuk duhet të pyesim ç'thotë, por çfarë synon të thotë". E vepra 'Struktura e vlerave përfaqësuese' është një përmbledhje e kujdesshme e cila synon të thotë shumë, si e tillë është shprehje emocionale, shkencore dhe artistike e Prof. Begzad Baliut thjesht s'ka të bëjë asgjë me të zakonshmen, ngase është libër i jashtëzakonshëm që synon të edukojë lexuesin, të njohë dhe të dijë të dallojë vlerat dhe meritorët, qofshin ata autorë dhe vlera që kanë krijuar, qofshin institucione dhe histori e vlerësuar.

(Kosova Sot)