Viti 2018, viti i Skënderbeut

  • 20 September 2017 - 09:26
Viti 2018, viti i Skënderbeut

KOSOVA DHE SHQIPËRIA TA KUJTOJNË BASHKË 550-VJETORIN E VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT- SKËNDERBEUT

Muhardi: Institucionet tona shkencore duhet të jenë pjesë e përbashkët në shënimin e 550-vjetorit të vdekjes se Skënderbeut

"Bëj apel që në vitin 2018, në vitin e Skënderbeut të punohet një ligj i përbashkët Shqipëri-Kosovë, që do t'i mbronte figurat kombëtare nga baltosja e çfarëdo forme. Me këtë nuk nënkuptoj që përmes këtij ligji të bëhet ndërhyrje në shkencë në asnjë mënyrë, porse përdhosja e emrit të Skënderbeut, por jo vetëm Skënderbeut, shtatores së tij dhe çfarëdo forme tjetër të sanksionohet me ligj të veçantë", është shprehur historiani Lulëzim Lajçi

Kosova dhe institucionet e saj duhet ta kujtojnë 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj KastriotitSkënderbeut, dhe t'i bashkëngjiten Shqipërisë për shënimin e këtij përvjetori, duke e shpallur po ashtu vitin 2018 si viti i Skënderbeut. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot" historianët dhe studiuesit tanë. Sipas tyre, dy shtetet duhet të koordinojnë të gjitha aktivitetet, që planifikohen të mbahen për shënimin e 550-vjetorit të Skënderbeut. Pasi, siç kanë thënë ata, Skënderbeu është kryeheroi i gjithë shqiptarëve. Në një prononcim për "Kosova Sot", historiani Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në Institutin Albanologjik, ka kujtuar aktivitetin e përbashkët Kosovë- Shqipëri për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së heroit, edhe pse rrethanat ishin të jashtëzakonshme, kohë komunizmi, dhe që ishte edhe një ngjarje historike. "Sot, kur kemi dy shtete shqiptare dhe tërë kohën flitet për bashkim kombëtar është e pafalshme, që hiç abetaren që është bërë unike, është punuar shumë pak në drejtim të bashkim kulturor, shkencor, arsimor, ekonomik", ka thënë ai. Sipas tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk është vetëm hero kombëtar, por është edhe kryeheroi ynë kombëtar, strategu e burrështetasi më i madh i shqiptarëve, që udhëhoqi luftën për liri kundër pushtimit osman, për bashkim politik-shtetëror të popullit shqiptar. "Formimi i shtetit mesjetar shqiptar me në krye Skënderbeun ishte hapi më i rëndësishëm për bashkimin politik të shqiptarëve, edhe pse nuk arriti të përfshinte të gjitha trojet shqiptare mesjetare". Sipas tij, me Skënderbeun u arrit fuqizimi dhe konsolidimi i shtetit të përqendruar shqiptar, dhe Arbëria u bë një faktor politik e ushtarak i rëndësishëm dhe aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare, se përmes Skënderbeut sintetizohet një epokë e tërë në historinë tonë kombëtare, lufta njëshekullore kundër sundimit osman. "Përmes këtij prononcimi të shkurtër, kisha bërë edhe një herë apel që në vitin 2018, në vitin e Skënderbeut të punohet një ligj i përbashkët Shqipëri-Kosovë, që do t'i mbronte figurat kombëtare nga baltosja e çfarëdo forme", ka pohuar ai, duke shtuar se me këtë nuk nënkuptoj që përmes këtij ligji të bëhet ndërhyrje në shkencë në asnjë mënyrë, porse përdhosja e emrit të Skënderbeut, por jo vetëm Skënderbeut, shtatores së tij dhe çfarëdo forme tjetër të sanksionohet me ligj të veçantë. 

Muhadri: Skënderbeu si udhëheqës institucional bashkon shqiptarët

Historiani Gjon Berisha, sekretar shkencor në Institutin e Historisë, ka thënë për "Kosova Sot" se edhe Kosova duhet të veprojë sikurse Shqipëria për të kujtuar 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Sipas tij, shënimi i këtij përvjetori të bëhet në nivel gjithëkombëtar, duke përfshirë të gjitha aktivitetet dhe do të duhej të organizoheshin nëpër qytete të ndryshme shqiptare. "Është edhe një arsye tjetër që duhej të mblidheshin forcat e përbashkëta: nëse llogarisim numrin e studiuesve që merren drejtpërsëdrejti me mesjetën apo vetëm me figurën e Skënderbeut. Ky numër është shumë i vogël dhe do të ishte joserioze që të organizoheshin veç e veç", ka pohuar Berisha, duke kujtuar figurën madhore të Skënderbeut, që siç ka thënë ai, një figure identifikuese me shtetësinë shqiptare, me unifikimin e princërve dhe territoreve arbërore, me historinë dhe identitetin shqiptar, me flamurin etj. Edhe historiani Bedri Muhadri ka thënë se edhe institucionet tona shkencore dhe të tjerat, duhet të jenë pjesë e përbashkët në shënimin e 550-vjetorit të vdekjes se Skënderbeut. Pasi, siç ka thënë ai, është viti jubilar, e më çdo mundësi duhen organizuar manifestime kulturore dhe shkencore. Ai ka thënë se kryeheroi i shqiptarëve përbën dhe shfaq identitetin tonë shqiptar në shumë aspekte. Ndërsa Qazim Namani, historian dhe ekspert në çështje të trashëgimisë, ka përmendur disa momente që duhet kujtuar se pikërisht Gjergj Kastrioti nga trevat e Dardanisë mori vendim të rëndësishëm që ta braktisë ushtrinë osmane dhe të bëjë planet për të organizuar një kuvend mbarëkombë- tar për ta formuar mbretërinë arbërore dhe dëbuar ushtrinë osmane nga tokat arbërore. 

(Kosova Sot)