Të qenit zezak dhe i varfër, apo i bardhë e i pafat, mund t'ju çojë në burgun e shtetit

  • 18 November 2017 - 12:45
Të qenit zezak dhe i varfër, apo i bardhë e i pafat, mund t'ju çojë në burgun e shtetit

SHKRUAN: TRACY K. SMITH

Bois Sauvage, Misisipi, është asi vendi ku një zezak mund të vritet vetëm për shkak të një basti të shkuar keq, dhe ku autoritetet mund të pajtohen që këtë vrasje ta cilësojnë si "fatkeqësi gjatë gjuetisë". Një vend ku injorimi i shkrimit "Ndalohet kalimi nëpër pronë private" mund të bëjë që pronari i racës së bardhë t'ju ndjekë duke ju gjuajtur me pushkë. Dhe, të qenit zezak dhe i varfër, apo i bardhë dhe i pafat, mund t'ju çojë në burgun e shtetit, e cila dikur ishte fermë me emrin "Parchman Farm" Edhe pse bëhet fjalë për një qytet të trilluar, Bois Sauvage është po aq i zhytur në historinë e vet, sa edhe, thënë sinqerisht, pjesa më e madhe e vendeve reale në Amerikë, një fakt i cili është bërë i dhembshëm që nga koha kur vrasja e Trayvon Martin'it doli në ballinat e gazetave. Ata që e kanë lexuar librin e shkrimtares Jesmyn Ward, "Salvage the Bones", do ta njohin Bois si një vend ku 14-vjeçja Esch dhe familja e saj jetojnë pak ditë para se të godiste Uragani Katrina. Në librin "Sing, Unburied, Sing", që është romani i tretë i Ward'it, ky qytet është vendbanim i 13 vjeçit Jojo dhe motrës së tij, Kayla, të cilët jetojnë aty me gjyshërit e tyre, Mam dhe Pop. Pop (gjyshi) mundohet që ta mësojë Jojon se çka dmth të jesh mashkull. Mam (gjyshja) është në etapën përfundimtare të kancerit, por megjithatë nuk jepet. Leonie, nëna e fëmijëve, herë-herë nuk bëhet e gjallë për disa ditë me radhë, për t'u kthyer më pas e droguar në shtëpi. Por, vartësia më e madhe e Leonie's nuk është ajo nga drogat, por ka të bëjë me dashurinë ndaj Michaelit, babait të bardhë të fëmijëve të saj, i cili ka tri vjet që gjendet në burgun Parchman.

SFIDAT KONVENCIONALE

Kur Michael i telefonon asaj për t'i treguar se e kanë liruar, Leonie insiston që t'i marrë fëmijët dhe të shkojë e ta marrë Michaelin. Ajo nuk mund t'i bëjë ballë rastit që përsëri ta bëjë bashkë familjen e saj, edhe nëse ajo nuk mund të qëndrojë e tillë për shumë kohë. Lidhja e saj me Michaelin nuk është e qetë. Ata grinden po aq fort, sa edhe e duan njëri-tjetrin, edhe pse gjërat që atyre iu pengojnë më së shumti kanë kryesisht të bëjnë me njerëzit rreth tyre - me prindërit racistë të Michael-it dhe me fëmijët Jojo dhe Kayla, të cilët më shumë i përkasin njëri-tjetrit dhe gjyshit e gjyshes, sesa Leonies. Për këtë shkak ajo vendosë që ta ndërmerr këtë udhë- tim, për ta marrë burrin e saj, për t'ua bërë me dije të gjithëve se ata janë familje e vërtetë. Përgjatë udhës, ata ballafaqohen me sfidat konvencionale: Kayla sëmuret dhe ajo dëshiron që vetëm Jojo të përkujdeset për të. Leonies nuk i pëlqen aspak pamja ku të dy fëmijët e saj e ngushëllojnë njëri-tjetrin, sikur ajo të mos ishte fare e pranishme aty. Ka shumë momente të butësisë emocionale midis vëllait dhe motrës, ku Ward merr kohën e nevojshme për t'i përmendur ato, duke lejuar që shkrimi i saj të shndërrohet thjesht, në një koreografi. Në këto momente duket se ajo na mëson se njerëzit e zinj mund të bëjnë edhe gjëra të tjera, pos që të vuajnë dhe të durojnë dhembje. Dashuria është diçka që ata e njohin shumë mirë. Ata e njohin edhe frikën. Edhe Leonie është e aftë që të dashurojë, por duket se ajo nuk është në gjendje që, në të njëjtën kohë, të mbajë në zemër Michaelin dhe fëmijët e tyre. Edhe pse Jojo është i vogël, ai arrin që ta kuptojë rrezikun që shkakton nëna e tyre, e cila udhëtimin për të shkuar për ta marrë burrin, kishte vendosur që ta përdorte edhe për të shitur ca drogë.

 GRATË E LODHURA I SHQEPIN DRU FËMIJËT E TYRE

Kjo situatë dramatike do të mjaftonte për shumicën e shkrimtarëve, por Ward kërkon diçka më shumë nga, apo ndoshta edhe për, personazhet e saj. Për këtë shkak, udhëtimi dhe peripecitë e shitjes së drogës, shoqërohen nga disa ngjarje më misterioze. Sa herë që është nën ndikimin e drogës, Leonie "takon" shpirtin e vëllait të saj të vdekur, Given, i cili ishte vrarë nga një kushëri i Michaelit derisa ishin duke vijuar shkollën e mesme. Shpirti i vëllait Given e shikon atë, por nuk i flet, duke ia kthyer asaj ndjenjën e pikëllimit, ku për të ikur nga ajo ndjenjë, asaj i ishin dashur shumë vjet. Derisa gjendet në Parchman, ajo vizitohet nga një fantazmë e cila duket ta kishte pushtuar burgun. Për të gjitha këto personazhe, të gjalla, apo të vdekura, ajo që mbetet pa u pyetur bëhet një pengesë jo vetëm për arritjen e lumturisë, por edhe të suksesit në përgjithësi. Në Misisipin e shkrimtares Jesmyn Ward është e rëndomtë vrasja e kafshëve për ushqim. Gratë e lodhura i shqepin dru fëmijët e tyre në publik. Njerëzit me karakter të mirë bëjnë gjëra të poshtra, për shkak të domosdoshmërisë, derisa njerëzit e këqij bëjnë gjëra ende më të këqija.

(Kosova Sot)