Baleti Kombëtar i Kosovës gati për ta 'dridhur' skenën kulturore në Paris

  • 25 May 2018 - 08:59
Baleti Kombëtar i Kosovës gati për ta 'dridhur' skenën kulturore në Paris

BRAHIMAJ: Për ne është goxha një kënaqësi që të prezantohemi në Paris dhe me një shfaqje baleti

"Prezantimi i Baletit Kombëtar në skenat botërore ngrit kulturën kombëtare në piedestal, si dhe lobon për kulturën e popullit, të cilit i përket, që shpreh art, civilizim dhe pasqyrë reale për afrimin me kulturat tjera", ka potencuar Dilaver Kryeziu për gazetën "Kosova Sot"

Për tri ditë me radhë Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantohet para publikut parisien me baletin "Recomposed". Shfaqja do të bëhet në teatrin "Le Palaca", më 1, 2 dhe 3 qershor, në këtë teatër. Shfaqja është mundësuar nga Ambasada e Kosovës në Paris, Ministria e Kulturës dhe ambasada e Francës në Prishtinë. Për drejtuesit e Baletit Kombëtar, koreografët dhe njohësit e kësaj fushe, prezantimi i Baletit Kombëtar në Paris shënon një moment historik për kulturën e Kosovës. Sipas tyre, performimi në kryeqendrën kulturore të botës paraqet një rëndësi të pakontestueshme. Pjesëmarrja dhe aranzhimi i prezantimit për tri net tregon nivelin dhe 'fuqinë' që ka arritur BKK-ja, duke e ngritur këtë institucion në krye të institucioneve kulturore elitare në vend. Duhet kujtuar se pak javë më parë BKK-ja pati një tur mjaft të suksesshëm në Berlin dhe Hamburg, nga ku u kthye triumfalisht.

Momenti i krenarisë

Drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se Baleti i Kosovës do të shfaqë baletin "Recomposed" me koreografi të Christophe Beranger dhe Jonathan Pranlas- Decsours, tri mbrëmje rresht në Teatrin "Le Palace". Ai ka thënë se prezantimi në Paris i BKK-së është mundësuar nga Ambasada jonë atje, ajo franceze në Prishtinë dhe MKRS-ja. Brahimaj ka folur fjalë të mira për ambasadën tonë në Paris, ndërsa në veçanti për zyrtaren atje, Ulpiana Lama, e cila sipas Brahimajt ka bërë një punë shumë të madhe për një prezantim sa më dinjitoz të balerinëve kosovarë në "le Palace". "Për ne është goxha një kënaqësi që të prezantohemi në Paris dhe me një shfaqje baleti. A jo që na bën të ndihemi më komod me prezantimin atje, është se pjesa dërmuese e biletave për shfaqjet tashmë janë të rezervuara. Nuk presim ndonjë problem për viza", ka potencuar Brahimaj, duke konfirmuar se më 1, 2 dhe 3 qershor balerinët e BKK-së do të performojnë në teatrin 'Le Palace, në Paris. Moment me rëndësi prezantimin BKK-së në Paris e ka quajtur edhe balerini i trupës, Sinan Kajtazi. Sipas tij, paraqitja e BKK-së për herë të parë në Paris është historike."Në këndvështrimin tim, është një moment historik jo vetëm për ne si institucion, por për kulturën e Kosovës në përgjithësi", ka thënë Kajtazi, duke shtuar se Parisi është kryeqendra e kulturës botërore dhe paraqitja e tij atje sigurisht se, përveç peshës së përgjegjësisë që e kemi mbi supe, mbi të gjitha shënon një moment krenarie për të gjithë. 

Drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se Baleti i Kosovës do të shfaqë baletin "Recomposed" me koreografi të Christophe Beranger dhe Jonathan Pranlas- Decsours, tri mbrëmje rresht, në Teatrin "Le Palace

"Organizimi i kësaj ngjarje kulturore bëhet në kuadër të shënimeve për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe Ambasadat përkatëse të Kosovës në Francë dhe të Francës në Kosovë, kanë një varg aktivitetesh kulturore të organizuara, qoftë në Francë, qoftë në Kosovë", ka pohuar për "Kosova Sot" balerini i trupës, Sinan Kajtazi

Koreografë francezë

Kajtazi ka thënë se BKK në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Paris, e cila është organizatore e këtij evenimenti të rëndë- sishëm, kanë përzgjedhur shfaqjen "Recomposed". "Organizimi i kësaj ngjarje kulturore bëhet në kuadër të shënimeve për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe Ambasadat përkatëse të Kosovës në Francë dhe të Francës në Kosovë, kanë një varg aktivitetesh kulturore të organizuara, qoftë në Francë, qoftë në Kosovë", ka pohuar ai, duke shtuar se një arsye më shumë që "Recomposed' është përzgjedhur për këtë rast është se koreografët e shfaqjes janë nga Franca. Sukses performimin e BKK-së në Paris e ka quajtur edhe koreografi Dilaver Kryeziu. Sipas tij, BKK-ja po e ngrit kulturën kosovare në piedestal. "Prezantimi i Baletit Kombëtar në skenat botërore ngrit kulturën kombëtare në piedestal, si dhe lobon për kulturën e popullit të cilit i përket, që shpreh art, civilizim dhe pasqyrë reale për afrimin me kulturat tjera", ka potencuar Kryeziu për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)