Llazar Angjeli, njeriu vetëm me një moshë, atë të punës

  • A.P /
  • 08 July 2023 - 15:45
Llazar Angjeli, njeriu vetëm me një moshë, atë të punës

Shkruan: Albert Z. ZHOLI, shkrimtar-publicist

Libri monografik i autorit Llazar Angjeli, në krye të vet ka një thënie të vjetër dhe të urtë popullore: “Fatkeqësia më e madhe për një njeri është që të mos ketë vuajtur kurrë!” Kjo shprehje, urtësia e saj, të kujton shprehje e citate të vjetra që i gjen të gdhendura nëpër mure e porta të vjetra kështjellash, apo objektesh kulti, e që shërbejnë si mësime jete, si mesazhe që vijnë nga larg e shkojnë larg... Dhe jo më kot e ka zgjedhur autori këtë shprehje, sepse ajo shërben në fakt si “çelës” që hap dyert e gjithë jetës dhe rrëfimit që shpalos autori; është historia e vet djalit nga Jerma, dhe mësimet e mesazhet që ajo ia ka gdhendur dhe jo thjesht ia ka përçuar...

Në këtë mënyrë, e gjithë jeta e autorit, skenat e gjalla nga familja, fisi, shoqëria, nga shkolla dhe puna, i ngjajnë rrjdhjes së një një burimi të vogël me ujë të pastër, me gurgullimë të ëmbël, që duke vazhduar rrjedhën bashkohet natyrshëm me rrjedha e gurgullima të tjera, derisa bëhet më pas shtrat i një lumi të gjerë, plot kthesa, prangje e oshëtima, e herë-herë i gjerë e i qetë... Në libra të tillë monografikë, sigurisht që pasqyrohet jeta e individit dhe e familjes, shoqërisë, etj. Por autori nuk mbetet thjesht në rrëfime të thata autobiografike, pra nuk ka shkruar thjesht një libër për konsum familjar. Ai, me intuitë dhe ambicie e ka kapërcyer këtë, duke na dhënë një letërsi me pretendime, të kompletuar dhe për të gjithë: me mesazhet, idetë, me moralin dhe filozofinë, me shprehjet e goditura dhe figurat letrare, përshkrimet e ndjera të mjediseve, apo dhe të shpirtit njerëzor. Pra, kësisoj, libri është një kontribut që meriton përgëzime, ku shumëkush sheh veten, sheh dhe gjen pjesë të jetës personale, të karaktereve njerëzore që e kanë shoqëruar në jetë. Kjo është pa dyshim, merita e autorit, e djalit të bujkut nga Jerma, e inxhinierit të talentuar të uzinave të armëve, e bashkëshortit dhe babait shembullor, e biznesmenit që, mbas rënies së komunizmit, diti të jetojë e të mbijetojë nëpër dallgët e lumit të jetës! Në libër shpalosen bukur dhe me realizëm vitet dhe tensionet e mëdha, kur Shqipëria jetonte e punonte në sistemin socialist, i cili, shquhej e dallohej për ideologjinë e fortë komuniste që e përshkonte, si dhe për mostolerancën ndaj zbatimin e direktivave dhe detyrave që vinin nga Partia dhe shteti! Pra, ky ishte mjedisi politik, partiak, shtetëror e shoqëror ku jetoi e kontribuoi edhe Llazar Angjeli, por edhe ku u përplas e u rrezikua jo pak nëpër vite ai dhe familja.

Por, duhet vënë re diçka: ai shmanget nga qëndrimet e interpretimet e politizuara, nga demonstrimi i frymës pasionante apo denigruese. Mundohet të tregohet sa më objektiv e i vërtetë. Ai arrin bindshëm në përshkrimet e rrëfimet e gjata, të gjejë “të mesmen e artë”. Kësisoj, i jep mundësi çdo lexuesi t’i gjykojë vetë e sa më drejt “të mirat” dhe “të këqijat” e kohës, e sistemit, por dhe të natyrës njerëzore... Kjo duket qartësisht, sidomos në momente mjaft të mprehta, siç është për shembull rasti i ballafaqimit të tij në Sekretariatin e KQ të Partisë, direkt me Enver Hoxhën, kur i raportonte këtij për ecurinë e punëve të uzinës së armëve në Gramsh; apo edhe momente të tjera tensionimi e acarimi plot rreziqe me eprorë të lartë, të cilët shpesh shikonin vetëm detyrën, realizimin e saj me çdo kusht, gjallë, ose vdekur, përndryshe...të priste ndëshkimi! Këto momente që nuk ishin të pakta, por përbënin karakteristikë të kohës, autori i trajton e i shkoqit me kujdes, duke dhënë krahas tyre edhe kënaqësinë e punës, e sukseseve, e shkollimit, e shoqërisë së pastër, krenarinë për brezat që punuan e kontribuan për të mirën e vendit, edhe pse në kushte shpesh të rënda e mes privacionesh jo të pakta ekonomike. Në fund të fundit, jeta i pleks të gjitha: të mirat dhe të këqijat; e rëndësishme është të dish të orientohesh e të mbijetosh, t’i shmangesh së keqes, të përfitosh nga e mira.

Duhet theksuar një moment: autori ka punuar kryesisht në industrinë ushtarake që merrej me prodhimin e armëve e municioneve, pra në frontin më të vështirë e më me përgjegjësi në Shqipërinë e asaj kohe, por edhe më të rëndësishmin, se kishte të bënte me mbrojtjen e Atdheut. Dhe dihet direktiva e madhe e Partisë në atë kohë: “Mbrojtja e Atdheut – detyrë mbi detyrat!”, dhe ishe me “kokë në torbë”... Kontributi i autorit si inxhinier i talentuar dhe drejtues po i tillë në uzina ushtarake, nuk e ka ligshtuar atë që të ndiejë ndonjë “brerje” në ndërgjegje, siç mund të mendojë sot ndokush mendjelehtësisht... Përkundrazi, Llazi Angjeli, e shpreh qartë dhe hapur se është krenar që ka punuar në atë sektor aq jetik e nevralgjik të kohës, mes punëtorëve duarartë e kolegëve mendjeartë, që me punën e dijet e tyre e çuan industrinë shqiptare të kohës në maja të larta, që arritën të prodhonin armë gjithfarëlloj, të riparonin tanke, të riparonin avionë, nëndetëse... Autori sjell mjaft bukur rastin e konstruktorit të shquar rus Kallashnikov, autor i ndërtimit të automatikut të famshëm, me të njëjtin emër, edhe sot e kësaj dite. E pyetën pra konstruktorin se “a je penduar për shpikjen e automatikut tënd, që ka marrë kaq e kaq jetë njerëzish?” Dhe ai iu përgjigj: “Unë atë e armë e konstruktova për të mbrojtur popullin tim...” Teksti dhe nënteksti është shumë i qartë dhe i goditur!

Në libër trajtohet bukur, me një ndjenjë të spikatur respekti dashuria e autorit për familjen, për nënën e dhembshur, për babain zotni burrë, për lidhjet e forta me ta dhe gjithë motrat e vëllezërit e shumtë. Aq ngrohtësisht e hollësisht flitet për ta, saqë edhe lexuesi familjarizohet me këtë familje. Në këtë rast, autori na jep edhe një model të shëndoshë të familjes fshatare shqiptare, të funksionimit e të rolit të saj në jetë. Në të gjejmë bujkun me duar të mëdha që i vijnë erë plis, grurë e orizore, por edhe intelektualin, mësuesin, doktorin, avokatin, inxhinierin, rektorin... Pikërisht me këtë lloj familje të emancipuar, lidhet edhe ajo shprehja e pëlqyer e autorit, se “Lisi mbetet lis, rigoni nuk bëhet kurrë lis...”

Ka edhe dy kolona në libër që përbëjnë konstruksionin e gjithë lëndës monografike: Mirënjohja dhe mosmirënjohja. Duke parë e njohur jetën, punën dhe luftën e autorit, e kupton se ai nuk mund t’i anashkalonte këto dy dukuri: vlerën dhe antivlerën njerëzore! Jeta në të dy sistemet, e ka mbushur autorin me ndjenjën e respektit dhe të mirënjohjes së përjetshme për shumë e shumë shokë shkolle, universiteti, kolegë pune, kuadro të ushtrisë e të shtetit, për mësues të shkollës fillore e asaj shtatëvjeçare, me të cilët ka ndarë thuajse çdo gjë të mirë e të keqe në jetë. Ai edhe sot, në moshë të thyer, i kujton emër për emër, e u thotë “Faleminderit”! Ky është morali, kjo është vlera e njeriut! E përballë saj, fatkeqësisht janë edhe mosmirënjohja, pabesia, që të ngjallin dëshpërim e zhgënjim të thellë. Apeli i autorit është: Njeri, mos e humb mirënjohjen ndaj atyre që të ndihmojnë, që të japin dorën e zemrën kur je i rrëzuar, kur u thua “më ndihmo!”, dhe më pas i harron, i shkel me këmbë e i shpërfill! Shoqëria dhe vendi kanë nevojë për bashkëpunim e solidaritet vëllazëror, jo për veçim, konkurrencë e ndarje shtresore...

Autori na dëshmon edhe karakterin dhe vullnetin e tij të paepur, që nuk u “dorëzua” mbas rënies së komunizmit dhe nuk e humbi toruan edhe në ekonominë kaotike e të egër të ekonomisë së tregut. Duket si e pabesueshme, por ai demonstroi forca e vizione të tilla, që e bënë një biznesmen të suksesshëm, i cili mbijeton bindshëm edhe sot e kësaj dite. Ai edhe pse sot është mbi 80 vjeç, nuk e njeh dhe nuk di se ç’është mosha e pensionit, e pushimit. Se ai ka vetëm një moshë: atë të punës!

 

Kush është Llazar Angjeli?

 

Lindur më 05.02.1940, në Jermë të rrethit të Sarandës.
Nga viti 1947, deri 1954, mbarova shkollën 7-vjeçare. Nga viti 1954 deri më 1958 mbarova shkollën e mesme, Politeknikumi “7 Nëntori”, në Tiranë. Nga viti 1958 deri në vitin 1962, punova si mekanik në fermën e Vurgut të rrethit të Sarandës (në fillim motorist, përgjegjës i ofiçinës dhe në vitin e fundit Kryemekanik i fermës). Në vitin 1962, deri në vitin 1967, vazhdova studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Në vitet 1967, deri në vitin 1976, kam punuar si inxhinier në Uzinën Ushtarake të Armatimit dhe baterive në Gramsh. Në fillim teknolog e më pas kryemekanik i uzinës e deri Kryeinxhinier i saj. Gjatë kësaj periudhe jam specializuar në Republikën Popullore të Kinës për prodhimet e armatimit që ishte projektuar uzina. (Automatikun AK-47 ose siç njihet botërisht automatiku Kallashnikov, pushkën gjysmë automatike Simonov dhe mitralozin e lehtë Dektjarov. Në vitin 1976, deri në vitin 1979, kam punuar në detyrën e zëvendës kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Gramshit. Në vitet 1979-1986 kam punuar në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me detyrën e kryetarit të Degës Autonome të Objektivave të Reja të Industrisë Ushtarake. Në vitet 1986, deri më Korrik të vitit 1993, kam punuar si drejtor i Uzinës së Prodhimit të Mjeteve Mbrojtëse kundër Armëve Kimike në Tiranë. Nga viti 1993, e deri më sot kam punuar në fushën e biznesit duke ngritur një grup kompanish në disa fusha. Fillimisht në fushën e importit për herë të parë në Shqipëri të bananeve si dhe përpunimin e tyre në frigorifera me teknologji të përparuar të kohës. Kjo qendër u ngrit në fillim në Tiranë dhe më vonë u zgjeruam në Vaqarr të Tiranës ku veprojmë edhe sot. Pas këtij aktiviteti filluam tregtimin e karburanteve me shumicë nëpërmjet shoqërisë ANOIL, Sh.a., me bazë deposh në Tiranë, në Sarandë dhe në Porto-Romano të Durrësit, kjo e fundit me kapacitet 20.000 ton. Kemi mbështetur aktivitetin e tregtimit me shumicë të karburanteve me rreth 50 pika karburanti të shitjes me pakicë nga të cilat 16 u ndërtuan nga shoqëria si pronë e saj.
Ambicia për të eksploruar në ambientin shqiptar na shtyu që të shtrijmë aktivitetin në fusha të tjera duke ngritur kështu shoqërinë e sigurimeve SIGAL me bashkëpunëtorë dhe mikun tim Shyqyri Durakun, aktualisht në këtë fushë vazhdojmë me kompaninë familjare ANSIG Sh.a. etj...

(Kosova Sot Online)