Vëllezërit "Devolli" e kanë zhvendosur pasurinë në 'parajsa fiskale'

  • 13 July 2017 - 08:09
Vëllezërit

Vëllezërit Blerim dhe Shkëlqim Devolli, pothuajse të gjitha pasuritë e tyre i kanë bartur dhe regjistruar nëpër 'parajsa fiskale', ku edhe bëhen pastrimet e parave. Ndonëse deri vonë si aksionarë në Birrarinë "Peja" paraqitej "Devolli Group", tani edhe në ARBK pasuria e "Birra Peja" është regjistruar në emër të dy kompanive fantome, "ABRAZEN LLC" dhe "GLOBOSOS LLC", ndërkaq që emri i Blerim Devollit nuk figuron askund në ARBK. Analistët e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe me të drejtë e shtrojnë pyetjen se përse "ZMobile" është realisht i regjistruar jashtë shtetit, sërish në 'parajsë fiskale'? Ata po ashtu pyesin se përse "Klan Kosova" është regjistruar në 'British Virgin Islands'? Analistët pyesin se a po përpiqen Blerim dhe Shkëlqim Devolli që me këto veprime t'i humbin gjurmët e pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme, duke i strehuar paratë e tyre nëpër 'parajsa fiskale' vetëm e vetëm që të mos i konfiskohet pasuria nga Prokuroria e Shtetit si një pasuri e pajustifikueshme dhe e inkriminuar? Ekspertët pyesin se si do t'ia konfiskojë shteti pasurinë Blerim dhe Shkëlqim Devollit që çdo ditë po zbardhet mënyra kriminale e fitimit të saj, kur ata tanimë po i mbyllin kompanitë në Kosovë dhe po e zhvendosin pasurinë në parajsa fiskale. Ata shtrojnë problematikën se përse Prokuroria e Shtetit nuk po i heton këto veprime të paligjshme dhe pasurinë e pajustifikueshme të Blerim dhe Shkëlqim Devollit.

Image

 

Deponimet e milionave të paligjshëm në emra fiktivë

Analisti Florim Zeqa, për gazetën "Kosova Sot", tha se pas pasurimit të shpejtë dhe enorm, përrallor, tashmë të gjithë mafio-oligarkët politikë dhe ekonomikë pasuritë e tyre i kanë bartur në 'parajsa fiskale' jashtë shtetit, vende këto ku bëhet pastrimi i parave të pista. "Parajsat fiskale nga mafio-oligarkët, po shfrytëzohen për humbjen e gjurmëve të pasurive të krijuara në mënyrë të paligjshme, me qëllim që t'i shpëtojnë konfiskimit të pasurive të tyre nga Prokuroria e Shtetit, si pasuri e pajustifikueshme dhe e inkriminuar", potencoi ai. Sipas Zeqës, pas pasurimit enorm përgjatë këtyre 9-10 viteve në shtetin e pavarur, disa nga mafio-oligarkët ekonomikë kanë filluar t'i mbyllin kompanitë e inkriminuara në Kosovë, për të zhvendosur pasuritë e tyre të paligjshme jashtë shtetit dhe kontinentit evropian në 'parajsat fiskale', duke i deponuar pasuritë e tyre në emra anonimë dhe kode fiskale imagjinare. "Do të jetë tepër e vështirë për Prokurorinë e Shtetit, që të zbulojë ndonjëherë gjithë pasurinë e paligjshme të kompanive të inkriminuara, të shndërruara tashmë në kompani fantome", u shpreh më tutje ai. "Është krejtësisht e pajustifikueshme heshtja e sistemit të drejtësisë përballë këtyre manipulimeve të oligarkëve të inkriminuar, kur e gjitha ka ndodhur para syve të prokurorëve dhe gjykatësve, policisë dhe popullatës së varfër kosovare", vlerëson analisti Florim Zeqa.

Image

 

Skema mashtruese e ndihmuar nga shteti

Analisti Faton Mehmeti tha për gazetën "Kosova Sot" se Devollët, respektivisht Blerim dhe Shkëlqim Devolli, janë maja e krimit ekonomik, korrupsionit dhe shpëlarjes së parasë. "Ata fillimisht krijuan lidhje biznesore me serbët, shtuan kapitalin e tyre dhe kështu arritën të zgjerojnë ndikimin e tyre në politikën e Kosovës. Duke qenë se politikanët tanë janë njerëz pa moral dhe idealë, shpejt ranë në kurthin e Devollëve, e kjo u shërbeu Blerimit dhe Shkëlqimit, të cilët duke shfrytëzuar politikën arritën të fusin në duart e tyre të ndyra çdo gjë që u shërbeu atyre", u shpreh ai. "Pasi futën duart në PTK, pastaj në 'Klan Kosova' si dhe 'Birra Peja' dhe 'M -Silosi', u shndërruan në mbretër të vendit. E tërë pasuria e tyre u krijua në mënyrë të pandershme, pa asnjë ditë pune, por me gënjeshtra dhe dallavere. Ndaj për ta ruajtur këtë pasuri ata e kanë bartur të gjithën në 'parajsën fiskale', pastaj pasuritë e tyre duke i regjistruar në emër të disa firmave fantome për t'i ikur përgjegjësisë nëse një ditë shteti do iniciojë nismën për të konfiskuar pasurinë e tyre të paligjshme", ka thënë ai. Sipas Mehmetit, e tëra kjo është skemë mashtrimi, e ndihmuar edhe nga vetë shteti që të dyja palët të dalin të "lara" nga kjo skemë mashtrimi dhe mafioze. "Duke ditur se edhe 'Klan Kosova' edhe 'Z- Mobile' janë të regjistruara jashtë vendit, në vendet ku lejohet regjistrimi i tyre pa i pyetur askund, prandaj themi se Devollët kanë shumë fuqi pasi jo vetëm këtu, por edhe lidhjet kriminale janë me botën e jashtme. Duke qenë prokuroria e fjetur, e gjithë kjo po ndodh para hundës së saj, që është e patolerueshme në një shtet normal dhe sadopak ligjor ", theksoi Mehmeti.

Image

 

Banditëve u ka hyrë frika në palcë

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot" se sa më parë duhen burgosur banditët 'Devolli' dhe më pas vetë do të zbulohen banditët dhe kryebanditët e majave të shtetit, mbështetësit e fuqishëm të kësaj organizate kriminale deri te zuzarët e prokurorisë, sepse është një rrezik i madh për Kosovën". Sipas tij, pasurinë e vjedhur të shtetit tonë e bartin jashtë dhe me emra të fshehur, sepse u ka hyrë lepuri në bark dhe frika në palcë se këta banditë mund t´i shpallin firmat-bandat e tyre në falimentim. "Devolli me të madhe dhe shpejt e shpejt vjedh pasuritë e vendit tonë dhe paratë e paligjshme i deponojnë në vendet e tjera për t´i humbur gjurmët e krimit", theksoi analisti BadallajZhuriani. "Përpos banditëve, kryebanditëve dhe vagabondëve të majave të shtetit, këtë bandë e përkrah dhe e mbështet edhe prokuroria", tha më tej ai. "Këta dy vëllezër, hajna pra, nuk janë vetëm, ngase këta mbështetën dhe përkrahën fuqishëm nga Serbia fashiste dhe banditët e majave të shtetit që janë lidhur si hallakat zinxhirore. Por, kohët e fundit, këtyre banditëve dhe hajnave të kalibrit evropian, banditëve të majave të shtetit dhe kryebanditëve të bandave politike dhe të sistemit gjyqësor, u ka hyrë lepuri në bark, u ka hyrë frika deri në palcë, prandaj tërë pasurinë e vjedhur të shtetit të Kosovës e bartin jashtë", ka thënë Badallaj-Zhuriani. 

Pushteti qëndron pas oligarkëve të biznesit

Analisti Ragip Guraziu tha se kokat e pushtetit qëndrojnë prapa dy vëllezërve, Blerim dhe Shkëlqim Devolli. "Dhe kjo është arsyeja se Blerim dhe Shkëlqim Devolli po i mbyllin kompanitë në Kosovë dhe të gjithë pasurinë e tyre i kanë bartur dhe regjistruar në 'parajsa fiskale', aty ku bëhet pastrimi i parave. Kur kemi parasysh paraqitjen e 'Devollit Grup' si aksionarë në "Birra Peja" edhe në ARBK, pasuria e "Birra Peja", e regjistruar në emrin e këtyre dy kompanive, le të kuptojë se diç këtu po zihet dhe, siç thotë populli, 'pasulit i doli vala përmbi'", u shpreh Guraziu. Ai thotë se tani në disa raste po zihet në gojë edhe 'Klan Kosova', e regjistruar në 'British Virgin Islands'."E gjithë kjo i ka shtyrë Blerim dhe Shkëlqim Devollin që me këto veprime të humbin gjurmët e pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme, duke i strehuar paratë në 'parajsa fiskale' vetëm e vetëm që të mos i konfiskohet pasuria nga Prokuroria e Shtetit si një pasuri e pajustifikueshme dhe e inkriminuar. Prokuroria e Shtetit dhe kokat politike të shtetit dhe disa mediumeve, etj., etj. qëndrojnë prapa vëllezërve 'Devolli' dhe e gjithë kjo ka ndikuar në ekonominë e shtetit që secili nga këta, kush më shumë e kush më pak, lakminë e korrupsionit në zemër, ekonominë e Kosovës e kanë shtrirë për tokë", ka theksuar Guraziu për "Kosova Sot"

Humbja e gjurmëve të krimit

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se kohët e fundit në Kosovë nga ana e mafio-oligarkëve vendorë, përfshirë edhe Blerim dhe Shkëlqim Devollin, kanë nisur që pasuritë e tyre t'i bartin e t'i regjistrojnë jashtë vendit, që në opinionin e gjerë njihen si 'parajsa fiskale' dhe ku bëhen pastrimet e parave të pista. Shih për këtë, ai thotë se është për t'u habitur indiferenca e institucioneve shtetërore të ekonomisë dhe të drejtësisë, veçanërisht asaj të Prokurorisë së Shtetit dhe heshtja e tyre se përse po lejojnë që të bëhen këto punë të dyshimta. "Me këto veprime mafio-oligarkët vendorë po synojnë që t'i humbin gjurmët e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, duke i strehuar paratë e tyre nëpër 'parajsa fiskale ", theksoi ai. "Ka dyshime se po i bëjnë këto veprime nga frika se mos do t'u konfiskohet pasuria nga Prokuroria e Shtetit, si një pasuri e pajustifikueshme dhe e inkriminuar dhe me dyshime të mëdha se e njëjta është fituar në mënyrë të paligjshme", u shpreh Grapci. Sipas tij, po u vazhdua me këtë formë të qeverisjes së deritashme vështirë se do t'i konfiskojnë pasurinë Blerim dhe Shkëlqim Devollit, kur tanimë ata po i mbyllin kompanitë e tyre në Kosovë dhe të njëjtat po i zhvendosin pasurinë në 'parajsa fiskale'."Këtë mund ta bëjë vetëm një qeveri me duar të pastra dhe me një lider të vendosur, sepse në të kundërtën as në një të ardhme të afërme Prokuroria e Shtetit nuk do t'i hetojë këto veprime të paligjshme dhe pasurinë e pajustifikueshme të Blerim dhe Shkëlqim Devollit", potencoi Dardan Grapci për "Kosova Sot".

(Kosova Sot )