Nota për “çnjohje” nga Madagaskari raportohet se erdhi edhe në adresë të Prishtinës

  • 07 December 2018 - 13:15
Nota për “çnjohje” nga Madagaskari raportohet se erdhi edhe në adresë të Prishtinës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Madagaskari është bërë vendi i 12-të që e ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Në notën që mediat serbe raportojnë se iu dërgua edhe autoriteteve kosovare specifikohet se njohja është tërhequr deri në arritjen e një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme politike për çështjen e statusit të Kosovës, në kuadër të negociatave që janë në vazhdim e sipër.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Madagaskarit shpreh mirënjohjen e saj për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, dhe duke u thirrur letrën e 24 nëntorit 2017 në lidhje me pranimin e Republikës së Kosovës nga Republika eMadagarskaitr, ka nderin t`ju njoftojë se pas vlerësimit të situatës në detaje dhe duke dëshiruar me çdo çmim ta inkurajojë dialogun i cili vazhdon mes Republikës së Serbisë dhe autoriteteve të Kosovës me zbatimin e Rezolutës 1244 (1999) dhe gjithashtu për të lejuar të dyja palët të arrijnë një zgjidhje të drejtë, dhe të qëndrueshme politike për çështjen e statusit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e Madagaskarit ka marrë vendimin për ta tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur deri në përfundimin e negociatave të cilat zhvillohen në ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në notën verbale e cilat thuhet se i është dërguar autoriteteve kosovare.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka mohuar se ky vend ta ketë tërhequr njohjen e Kosovës.

Fatmir Haxholli, këshilltar i kryediplomatit kosovar, Behgjet Pacolli, ka thënë se Serbia përmes lidhjeve të ndryshme po bën një fushatë kundër Kosovës.

“Serbia po bën fushatë agresive, në kontinentin afrikan, dhe për këtë po shfrytëzon lidhjet e mundshme”.

“Në rastin konkret, nuk është lajm i vërtetë. E vërteta është se Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq dhe eksponentë të politikbërjes në Beograd po provojnë të shfrytëzojnë ish-ambasadorin e Madagaskarit në Rusi, për më shumë se 10 vjet, tani Ministër i Punëve të Jashtme në Madagaskar”.

 

(Kosova Sot)