SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë kompromisin që Kosova të mos ngadalësohet në proceset euroatlantike

SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë kompromisin që Kosova të mos ngadalësohet në proceset euroatlantike
SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë kompromisin që Kosova të mos ngadalësohet në proceset euroatlantike

Qani Shabani

  • 18 April 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Në politikë, marrëveshjet nuk lindin nga afërsia personale apo nga retorika publike, por nga një logjikë e ftohtë dhe e qartë për interesin shtetëror. Në rrethanat aktuale në Kosovë, kjo logjikë po bëhet gjithnjë e më e dukshme në raport me nevojën për zgjedhjen e presidentit dhe stabilitetin institucional.

-Afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vendosur sistemin politik përballë një realiteti të pakontestueshëm: mosarritja e marrëveshjes sjell kosto më të madhe sesa vetë kompromisi. Në këtë pikë, politika nuk flet më për kategori dëshirash, por për kategori të domosdoshme.

Në këtë kuadër, komunikimi dhe raporti mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut duhet lexuar përmes një prizmi racional. Të dy liderët janë të vetëdijshëm se çdo bllokadë institucionale do të prodhonte pasoja të drejtpërdrejta: dobësim të funksionimit të shtetit, rritje të pasigurisë politike dhe humbje të besimit publik.

Në këtë kuptim, kalkulimi i ftohtë politik është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm: nëse arrihet marrëveshja, vendi fiton stabilitet institucional dhe vazhdimësi politike. Është e qartë se edhe faktori ndërkombëtar, SHBA-ja dhe BE-ja, me çdo kusht do të kërkojnë kompromisin që Kosova të mos ngadalësohet në proceset euroatlantike.

Mendoj se ky ekuacion tashmë është i qartë për të dy palët dhe për gjithë elitën politike, prandaj mund të themi se marrëveshja është më afër se kurrë më parë. Sepse politika, në thelb, vepron mbi parimin e shmangies së humbjes më të madhe, jo domosdoshmërisht të fitimit maksimal.

Prandaj, marrëveshja nuk duhet parë si kompromis i dobët, por si vendim strategjik. Ajo mund të materializohet përmes një figure konsensuale për presidentin ose përmes një formule politike që balancon interesat e të dyja palëve, pa e rrezikuar stabilitetin institucional.

Në këtë proces, përgjegjësia nuk është vetëm partiake, por shtetërore. Sepse liderët nuk gjykohen vetëm nga pozicionet që mbrojnë, por nga aftësia për të marrë vendime që garantojnë funksionimin e shtetit në momentet kyçe.

Në fund, logjika e ftohtë e politikës në këtë rast është e qartë: marrëveshja është opsioni më racional, më i përshtatshëm dhe më i dobishëm për t’u arritur. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo nuk është vetëm e mundshme – por edhe shumë e mundshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".