Zeqa: Mundësia e arritjes së një marrëveshjeje mes Kurtit dhe Abdixhikut është më tepër se minimale!

Zeqa: Mundësia e arritjes së një marrëveshjeje mes Kurtit dhe Abdixhikut është më tepër se minimale!
Zeqa: Mundësia e arritjes së një marrëveshjeje mes Kurtit dhe Abdixhikut është më tepër se minimale!

Florim Zeqa

  • 18 April 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Kanë mbetur edhe pak ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri nga Kuvendi i Kosovës. Nëse nuk arrihet një zgjidhje brenda këtyre ditëve, atëherë me automatizëm shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme! Mundësia e arritjes së një marrëveshjeje mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës është më tepër se minimale!

 

-Arsyeja është e thjeshtë, LDK-ja e vogël, e ndarë dhe e fragmentizuar në Kuvendin e Kosovës, tashmë pas emërimit të kryesisë së re nga kryetari Abdixhiku, e ka ndarë në dysh këtë subjekt politik!

Që i bie se nga 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës, afërsisht gjysma e tyre nuk do të votojnë në Kuvend për marrëveshjen eventuale të Abdixhikut me Albin Kurtin!

Mungesa e transparencës në komunikimin publik rreth negociatave për zgjedhjen e presidentit të ri e ka lëkundur besimin e qytetarëve edhe në Albin Kurtin, duke e vënë kështu në mëdyshje stabilitetin politik të vendit tonë.

Nëse Albin Kurtit ia premtojnë votat për zgjedhjen e presidentit, megjithatë nuk i mjafton LDK-ja për stabilitet politik në Kuvend dhe qeverisje afatgjatë!

Nuk i duhet vendit përsëritja e qeverisjes “Kurti 1”!

Shpresa e vetme për të mos shkuar në zgjedhje është arritja e një marrëveshjeje politike mes LVV-së dhe PDK-së!

Kjo marrëveshje do të paraqiste stabilitet politik për vendin dhe mundësi optimale për Albin Kurtin për të qeverisur me komoditet edhe për katër vitet e ardhshme.

Në të kundërtën, zgjedhjet mund të sjellin ndryshime të lehta numerike në përfaqësimin e partive politike në Kuvend.

Ajo çka është më e keqja, kriza politike do të thellohet akoma më shumë dhe ngërçi institucional do të vazhdojë edhe për një kohë të pacaktuar në Kuvendin e Kosovës!

Pasojat do të jenë të mëdha dhe zinxhirore si në planin e brendshëm, ashtu edhe në raportet me aleatët, shkaku i krizës globale!

Humbja e besimit të ndërkombëtarëve në institucionet e shtetit të Kosovës mund të jetë fatale për të ardhmen e vendit tonë.

Në kohën kur fqinji ynë verior - Serbia po armatoset nga të gjitha anët dhe po përgatitet për luftë, paradoksalisht politikanët tanë po mendojnë vetëm për zgjedhje dhe pushtet në shtetin e brishtë, pa institucione stabile dhe pa mbështetje të qëndrueshme ndërkombëtare!

Zot, ndihmoji shqiptarët nga shqiptarët!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".