Kamala Harris pranon emërimin historik si kandidate për nënpresidente

  • E.K /
  • 20 August 2020 - 11:05
Kamala Harris pranon emërimin historik si kandidate për nënpresidente

Kandidatja demokrate për postin e nënpresidentes, senatorja Kamala Harris nga Kalifornia, u bëri thirrje qytetarëve të luftojnë për “Amerikën që ne e dimë se është e mundur”, pasi ajo bëri histori me pranimin e emërimit nga partia e saj për t’u paraqitur së bashku me kandidatin presidencial Joe Biden në votimet e muajit nëntor.

Kama Harris, 55 vjeçare, një ish prokurore, është e para grua afrikano-amerikane dhe indiano-amerikane, kandidate për nënpresidente për një nga partitë kryesore. Nëna e saj ishte një shkencëtare e kancerit të gjirit që emigroi nga India. Ajo vdiq në vitin 2009. Babai i senatores Harris, një ekonomist, erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Xhamajka.

Duke folur në natën e tretë të Kuvendit Kombëtar të Demokratëve, zonja Harris kritikoi ashpër presidentin Donald Trump për trajtimin e pandemisë së koronavirusit dhe të ekonomisë, duke thënë se “dështimi i tij në udhëheqje ka kushtuar jetë”.

Më herët gjatë mbrëmjes, ish-presidenti Barack Obama, sumoi ashpër presidentin Trump, pasuesin e tij, duke thënë se presidenti Trump po e trajtonte presidencën si “një reality show”, dhe duke rrezikuar demokracinë me udhëheqjen e tij të papërshtatshme dhe në stilin autoritar.

Duke pranuar emërimin nga demokratët, zonja Harris foli për një komb me “kompleksitete dhe papërsosmëri”, dhe nevojën për t’u vënë në punë për të trajtuar të metat e tij, të tilla si luftimi i racizmit dhe realizimi i “premtimit për drejtësi të barabartë para ligjit”.

Të mos gabohemi, rruga përpara nuk është e lehtë. Ne do të pengohemi. Mund të rrëzohemi. Por unë ju premtoj se do të veprojmë me guxim dhe do t’i trajtojmë me ndershmëri sfidat tona. Ne do të themi të vërtetën dhe do të veprojmë me të njëjtin besim tek ju sikundër ju kërkojmë që të keni besim në ne”, tha zonja Harris.

Vendimi i zotit Biden për të zgjedhur gruan e parë afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane si kandidate për nënpresidente, preku shumë nga pakicat dhe gratë në parti, që shprehnin një mbështetje të vakët ose ishin kundër 77-vjeçarit Biden.

Zonja Harris u zotua se një administratë Biden-Harris do të punojë për “ngritjen e një ekonomie që nuk e lë askënd prapa”, të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, dhe të ndërtojë një komunitet që është “i fortë dhe modest, i drejtë dhe i mirë”.

“Ne duhet të zgjedhim një president që do të sjellë diçka ndryshe, diçka më të mirë dhe do të bëjë punë të rëndësishme,” tha zonja Harris. “Një president i cili do të na bashkojë të gjithëve për të ndërtuar të ardhmen që ne e duam kolektivisht. Ne duhet të zgjedhim Joe Biden”, tha ajo.

Ndërkohë, ish presidenti Obama mbajti një fjalim të regjistruar në Filadelfia, duke thënë se për gati katër vjet Donald Trump “nuk ka treguar asnjë interes për të trajtuar presidencën ndryshe, përveçse si një ‘reality show’ që ai mund të përdorë për të siguruar vëmendjen që dëshiron”.

Zoti Obama paralajmëroi se rizgjedhja e zotit Trump mund të dëmtojë demokracinë, ndërsa shtoi se kishte shpresuar që zoti Trump do ta trajtonte seriozisht punën e presidentit dhe “do të shfaqte më shumë nderim për demokracinë e vendosur nën kujdesin e tij”.

“Donald Trump nuk është i zoti i punës, sepse nuk mundet”, tha zoti Obama. “Dhe pasojat e dështimit të tij janë të rënda. 170 mijë amerikanë të vdekur, miliona vende pune të shuara… Nami ynë krenar në botë u dëmtua rëndë dhe institucionet tona demokratike u kërcënuan si kurrë më parë”, tha ai.

Fjalimi i zotit Obama ishte i jashtëzakonshëm sepse ish presidentët rrallë kritikojnë publikisht një president në detyrë.

Pasi që copëza të komenteve të zotit Obama u publikuan më herët të mërkurën, presidenti Trump u përgjigj duke kritikuar ish presidentin Obama se ishte joefektiv dhe kishte rrezikuar demokracinë në Shtetet e Bashkuara.

“Kur e dëgjoj atë dhe shoh tmerrin që ai na la, budallallëkun e transaksioneve që ai bëri. Shikoni çfarë po bëjmë ne. Ne kemi murin tonë të madh kufitar. Kemi siguri”, tha presidenti Trump në një konferencë me gazetarë. “Shikoni sa i keq ishte ai, sa i paefektshëm ishte ai”, tha presidenti Trump./voa

(Kosova Sot Online)