Kërkimi në det që ka rritur acarimet, Erdogan i prerë në përgjigjen ndaj BE: Na kërkuan të ndalemi, por ne…

  • G.G /
  • 29 August 2020 - 10:19
Kërkimi në det që ka rritur acarimet, Erdogan i prerë në përgjigjen ndaj BE: Na kërkuan të ndalemi, por ne…

Turqia kritikoi një deklaratë për shtyp të lëshuar pas një takimi joformal të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) lidhur me aktivitetet kërkimore të hidrokarbureve të Ankarasë në Mesdheun Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shkaku i tensioneve në Mesdheun Lindor është Greqia dhe administrata Qipriote Greke, me veprimet dhe kërkesat e tyre maksimaliste në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Mbështetja e pakushtëzuar e BE-së për këta dy vende që janë duke u përpjekur të injorojnë të drejtat dhe interesat legjitime të vendit tonë dhe qipriotëve turq në Mesdheun Lindor rrisin tensionet edhe më shumë”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.

“Kritika e BE-së për aktivitetet e hidrokarbureve të vendit tonë brenda shelfit kontinental dhe kërkesa e saj për të ndaluar këto aktivitete është e tepruar”, thuhet në deklaratë.

“Siç konfirmohet nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së, BE nuk ka asnjë autoritet në këtë çështje. Kjo kërkesë është kundër legjitimitetit të BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”, shtoi ministria.

Turqia gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së që të mos mbështesin “kërkesat maksimaliste” të Greqisë nën pretekstin e solidaritetit të unionit.

“Greqia nuk është një shtet arkipelag. Është kundër ligjit dhe juridiksionit ndërkombëtar që ishujt grekë, veçanërisht Meis, të kenë shelf kontinental”, theksohet më tej.

Deklarata gjithashtu theksoi se BE “duhet të veprojë në mënyrë të paanshme dhe të jetë një ndërmjetës i sinqertë”.

Më parë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se “në mungesë të përparimit me Turqinë, mund të krijohet një listë e masave të mëtejshme kufizuese që mund të diskutohen në Këshillin Evropian më 24 shtator.”

Të hënën, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas vizitoi Greqinë dhe Turqinë, duke inkurajuar të dy vendet të përfshihen në dialog për të shmangur konfliktin në Mesdheun Lindor.

Duke kërkuar të bllokojë të drejtat e ligjshme territoriale detare të Turqisë, Greqia nënshkroi marrëveshje të zonës ekskluzive ekonomike (EEZ) me Italinë më 9 qershor dhe me Egjiptin më 7 gusht.

Ministria e Jashtme turke e ka dënuar këtë të fundit, duke pohuar se Greqia dhe Egjipti nuk kanë kufij detarë dhe se marrëveshja është “e pavlefshme”.

Ministria turke ka thënë se zona e shënuar në marrëveshje ndodhet në shelfin kontinental të Turqisë, siç është raportuar në OKB nga ana e Ankarasë.

(Kosova Sot Online)