I moshuari francez e do vdekjen, ligji s’ia lejon

  • S.A /
  • 01 September 2020 - 13:42
I moshuari francez e do vdekjen, ligji s’ia lejon

Fiks pas dy javësh, Alain Cocq, thotë se do të fillojë vdekjen e tij të ngadalshme, duke refuzuar ilaçet që po e mbajnë gjallë.

Por, para se të vdesë, ia ka caktuar vetes një amanet: t’i bëjë thirrje presidentit francez Emmanuel Macron për të ndryshuar ligjin me qëllim që mjekët ta bëjnë vdekjen më të lehtë dhe me pak dhimbje.

Cocq vuan nga një sëmundje degjenerative që nuk ka trajtim. Është i palëvizshëm për më shumë se 34 vjet.

Gjithçka mori të keqen kur në moshën 23 vjeçare mbeti i palëvizshëm gjatë një aksidenti të vogël në të cilin theu këmbën.

Doktorët zbuluan se në këmbët e tij nuk kishte qarkullim gjaku dhe se i kishte të paralizuara.

Gjendja e tij vazhdoi të përkeqësohej dhe dy vjet më parë mbeti i ngujuar në shtrat.

Shtetet fqinje të Francës si Zvicra, Belgjika dhe Holanda, kanë ligjet që mundësojnë vdekjen e asistuar në disa raste.

Mirëpo, Franca u ka rezistuar thirrjeve, kryesisht nga presioni i madh i Kishës katolike që mëson se jeta duhet të marrë fund vetëm me vdekje të natyrshme.

Ndërkaq, Cocq ka aq shumë dhimbje sa 50 mikrogramë morfinë që i jepen çdo orë nuk i mjaftojnë.

Më 4 shtator do të ushtrojë të drejtën e tij sipas ligjit francez, që të pushojë së ushqyeri dhe së mjekuari.

Atij do t’i duhen tri deri në pesë ditë për të vdekur.

Mirëpo, ai nuk do që të jetë i vetëdijshëm në momentet e fundit. Vetëvrasja e asistuar do t’ia mundësonte këto, por është e jashtëligjshme në Francë.

Atij i është mundësuar një takim përmes videothirrjes me dy këshilltarë të Macronit. Në këtë takim synon që rasti i tij të shërbejë për ndryshimin e ligjit.

Ditët e veta të fundit do t’i transmetojë në rrjetet sociale. Thotë se është e rëndësishme që njerëzit të dinë për vuajtjet që përjetojnë njerëzit si ai.

Ka filluar të përgatisë edhe funeralin. Planifikon që të varroset përkrah prindërve. Në funeral ka kërkuar muzikë ciganësh.

Thotë se nuk është i pikëlluar se fundin e ka afër. Paqja është në mendjen e tij.

(Kosova Sot Online )