“Kurorëzimi” i fshehtë i Federatës së Futbollit me Devollët

  • A.P /
  • 02 September 2020 - 21:08
“Kurorëzimi” i fshehtë i Federatës së Futbollit me Devollët

Pikërisht në ditët kur fokusi i të gjithëve ishte te ndeshjet e Kombëtares së Kosovës ndaj Moldavisë e Greqisë, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e mbylli procesin e shitjes Së të drejtave televizive të Superligës. Bëhet fjalë për një tender që ishte hapur më 5 gusht dhe ishte mbyllur më 12 gusht. Vetëm sot, kur Kombëtarja ka shkuar në Itali për të luajtur, Komiteti Ekzekutiv e shpalli “Art Motion” e Devollëve fitues të tenderit përmes një procesi shumë të dyshimtë. Në anën tjetër, klubet e Superligës ishin lënë në “terr informativ” gjatë gjithë këtyre javëve dhe as sot nuk dinë asgjë se si u bë që FFK-ja të kurorëzohet me Devollët.

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë mbetur vetëm spektatorë në procesin e shitjes së drejtave televizive të kampionatit të ri që nis më 12 shtator nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndonëse klubet natyrisht se janë akterët kryesorë në futbollin kosovar.

Gazeta të martën raportoi se “Artmotion” – që është në pronësi të Devollëve, të cilët nuk lënë tender pa e fituar – do të shpallet fitues i drejtave televizive të Superligës nga ana e FFK-së, përmes një procesi shumë të dyshimtë.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e kishte hapur tenderin më 5 gusht. Kompanitë mediale kishin afat deri më 12 gusht të konkurronin. Por, fituesi është shpallur disa javë pas mbylljes së afatit të tenderimit. Kjo ndodhi sot, një ditë para ndeshjes së Kosovës me Moldavinë në Itali në kuadër të Ligës së Kombeve.

Fitorja e “Art Motion” në futbollin kosovar përflitej muaj më herët para hapjes së tenderit. Po ashtu, ofertat financiare janë mbajtur të fshehta për disa ditë. Ndërsa, praktikat dhe ligjet në Kosovës i obligojnë instucionet që ofertat financiare me i çelë në prezencë të palëve.

Krejt këto zhvillime ndodhën në këto ditë kur vëmendja e të gjithëve është kah Kombëtarja e Kosovës, e cila nesër luan në Itali kundër Moldavisë në Ligën e Kombeve, ndërsa të dielën e pret Greqinë në Prishtinë.

Krejt këto e kanë bërë shumë të dyshimtë këtë proces.

Situatën edhe më të çuditshme e bën fakti se klubet e Superligës – ndeshjet e të cilave i sheti FFK-ja te Devollët përmes një procesi të dyshimtë – janë mbajtur në “terr informativ” gjatë gjithë këtyre javëve. FFK-ja nuk e ka parë të arsyeshme ta ftojë një takim të përbashkët apo t’ua përcjell ndonjë informatë rreth këtij procesi.

Klubet si Feronikeli e Llapi janë ndër më të mëdhatë në vend. Investojnë bukur shumë financiarisht si kandidatë të vazhdueshëm për trofe. Por, ato janë lënë në terr informativ nga procesi i shitjes së drejtave televizive të ndeshjeve të tyre.

“Zakonisht, viteve të kaluara jemi ftuar në takim nga FFK-ja para nënshkrimit të kontratës. Sivjet ende nuk jemi ftuar dhe nuk kemi informata përpos atyre që po i shohim në media. Andaj, nuk di se çka të themi. Po e presim ftesën për takim paraprakisht”, tha për Express drejtori i Feronikelit, Artan Berisha. 

Edhe donatori i Llapit, Tahir Batatina, çuditet se si FFK-ja po sillet në këtë proces me ofertuesin e Devollëve.

“Asnjëherë nuk jemi ftuar në ndonjë takim, asnjëherë nuk na është dhënë ndonjë informatë, edhe pse të klubeve janë ndeshjet kampionale transmetimi televiziv i të cilave po shiten. Informata kemi marrë vetëm nga raportimet e mediave. Konsideroj se është dashtë të ketë transparencë sepse klubet po shpenzojnë shumë dhe neve na intereson një tender i hapur, konkurrues, transparent, dhe kushdo që ofron më shumë para të shpallet fitues. Nëse vërejmë që ka pasur parregullsi, nëse konstatojmë se jemi dëmtuar si klube nga mundësia e përfitimit më të madh, natyrisht se do të reagojmë”, tha  Batatina.

Drita e Ballkani ia tërheqin vërejtjen FFK-së

Informata e konsultime FFK nuk ka bërë as me klubet tjera elitare. Kampionia në fuqi e Kosovës, Drita, i ka bërë thirrje FFK-së të mos nënshkruaj asgjë me Devollët dhe me askënd tjetër pa e marr dritën jeshile prej klubeve elitare.

“Deri më tani nuk kemi informacione rreth këtij procesi. Unë, dhe ne si klub, shpresojmë dhe besojmë shumë se Federata do të na ftojë në takim para se ta shpall fituesin apo para se ta nënshkruaj kontratën dhe ta bëjë para nesh transparent krejt procesin, madje të na njoftoj edhe rreth detajeve. Vetëm pas kësaj, me një pajtueshmëri të plotë, mund ta shpall fituesin. Në të kundërtën, nëse i grahin në të veten atëherë ne nuk do të mund të pajtohemi”, deklaroi drejtori i Dritës, Valon Zymberi.

“FFK-ja duhet ta dijë, besoj se edhe e din, që klubet bëjnë shfaqje dhe ato shfaqje tona po i shet, kështu që është dashtë të jemi në koordinim nga fillimi i procesit. Për neve si Dritë ndoshta nuk ka shumë rëndësi shuma e parave sa ka rëndësi çka ofron ofertuesi, çfarë programi, çfarë promovimi të futbollit. Pra, procesi është më i thellë sesa që mendohet veç te paraja. Deri tash ne këto nuk i dimë”, shtoi ai. 

Në anën tjetër, Ballkani është bërë njëri prej klubeve më atraktive në Superligën e Kosovës në futboll falë investimeve të mëdha të prijësve të tij. Por, drejtuesit e klubit nga Suhareka po dyshojnë në këtë proces, ndërsa konfirmojnë se nuk janë informuar për asgjë që ka pasur të bëjë me procesin.

“I kemi vërejtjet tona në këtë proces ku nuk ka pasur transparencë. Ofertat nuk janë hapur si duhet. Pastaj, konsideroj se nuk është dashtë të ketë kufizime se kush mund të konkurojë, e kush nuk mund të konkurojë. Eshtë dashtë t’u jepet mundësia të konkurrojnë të gjithë të interesuarit, qofshin ato kompani edhe të jashtme nga Kosova, sepse kështu ndoshta do të kishte ofertues edhe më të madh dhe klubet do të përfitonin më shumë. Ne po presim informata, takim, dhe varësisht se si vendosin shumica e klubeve do të veprojmë edhe ne”, tha njëri prej investitorëve më të mëdhenj aktualisht në futbollin kosovar, presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi.

Përvoja nga e kaluara tregon se klubet mund ta “shkatërrojnë” procesin nëse fituesi është përcaktuar para hapjes së tenderit. Qysh në edicionin 2015-2016 të gjitha klubet ishin bashkë me FFK-në për t’ia shitur drejtat televizive “Digitalbit”. Por, vetëm FC Prishtina ishte kundër dhe e pakënaqur. Klubi më i madh kosovar ishte ndarë prej 11 klubeve tjera që ishin me “Digitalbin”, duke ia dhënë ndeshjet e saj Radio Televizionit të Kosovës. Dhe, FFK kishte mbetur si spektatore, duke mos arritur ta bindte Prishtinën t’u bashkohet 11 klubeve tjera në “Digitalb”.

Trepça ’89 kërkon ritenderim, kritikon FFK-në

As Trepçës ’89 nuk po i pëlqen aspak procesi i shit-blerjes së drejtave televizive nga ana e FFK-së dhe “Artmotion” të Devollëve, përmes një procesi shumë të dyshimtë. Madje, presidenti i këtij klubi, Abedin Zeka, e vlerëson antidemokratik këtë proces, derisa kërkon ritenderim.

“Nuk dimë asgjë se çka po ndodh. Çfarë demokracie është kjo? Pse nuk janë ftuar tre përfaqësues të klubeve në Komision nga FFK-ja. Këtu diçka ka, por çka nuk e di. Unë do ta ngrij zërin në takim kur të ftohemi. Do të kërkoj ri-tenderim. Nëse “Artmotion” i ka ofruar 380 mijë euro, atëherë duhet të hapet një ri-tenderim nëse ka të interesuar që jap më shumë. Kushdo që jap para më shumë le t’i fitojë. Duhet t’i mundësohet edhe Digitalbit dhe çdo të interesuari tjetër. Unë ju garantoj se futbolli kosovar do të dëmtohet. Njerëzit janë të abonuar në Digitalb dhe e kanë të mundimshme ndërrimin e reserverëve”, deklaroi Zeka

“Po ashtu, duhet të shiten drejtat televizive për jashtë Kosovës. Në Shqipëri shiten drejtat televizive 1 milion euro. Kush është Komiteti Ekzekutiv i FFK-së me vendos për klube. Cka nëse ne nuk e lejojmë një media fituese të hyjë në stadium. Ndeshjet janë tona, të klubeve”, u shpreh Zeka.

Vlen të përmendet se përpos “Artmotion”, kishte konkurruar edhe “Kujtesa” dhe një tjetër media tjetër po ashtu. Kurse, “Digitalbit’ iu kishte pamundësuar konkurrimi për shkak se është subjekt i jashtëm (nga Shqipëria), ndonëse “Digitalbi” në tetë vjetët e fundit rresht e kishte të drejtën e transmetimit të futbollit kosovar. Kjo platformë nga Tirana e ka kritikuar ashpër FFK-në ditë më parë, derisa ka paralajmëruar ankesë deri në gjykatë e në UEFA. Edhe klubet elitare konsiderojnë se tenderi do të duhej të ishte sa më i hapur, edhe për subjekte të jashtme, sepse kështu do të mund të kishte më shumë ofertues dhe çmime më të mira, dhe në saje të kësaj edhe përfitime për klube.

Arianit Ahmeti: Agim Ademi e devijoi rregullin e Fadil Vokrrit në tenderin që po ua jep Devollëve

Arianit Ahmeti, ish zëvendëssekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i shkarkuar muaj më parë nga pozita, e ka thyer heshtjen karshi procesit të shitjes së drejtave televizive të Superligës nga ana e FFK-së për kompaninë e Devollëve, “Artmotion”, përmes një procesi shumë të dyshimtë.

Në një prononcim Ahmeti veç çka i ka forcuar dyshimet rreth kurdisjes së tenderit nga ana e FFK-së në favor të Devollëve.

“Qysh në janar të vitit 2017 e pata filluar punën në FFK. Pas pak kohësh presidenti i ndjerë, Fadil Vokrri, fillimisht kishte kërkuar nga klubet autorizim për hapjen e tenderit për shitjen e drejtave televizive dhe negocimin e tyre”, kujton Ahmeti.

“Vetëm pasi klubet ia kishin dhënë autorizimin, Vokrri e pati krijuar komisionin e FFK-së për këtë punë. Në atë komision kam qenë edhe unë anëtar sikurse Diturie Hoxha që ishte anëtare. Kurse, Agim Ademi atëherë ishte nënkryetar i FFK-së, u pati emëruar kryetar i atij komisioni. E kam fjalën për kryetarin aktual që e ka ozurpuar pozitën. Atëherë patën konkurruar Digitalb dhe Artmotion. I patëm ftuar përfaqësuesit e të dyja kompanive dhe mediat dhe para të gjithëve janë hapur zarfet, janë bëtë të ditura shumat e parave që kishin ofruar, dhe është shpallur fituesi. Procesi ishte krejt i rregullt dhe korrekt”, thotë Ahmeti, raporton ex.

Kurse, tani – sipas Ahmetit – Agim Ademi e ka ndërruar për të keq krejt procesin duke i shtuar dyshimet për kurdisje të tenderit.

“Cka ndodh tash? Vet ish kryetari i atij komisioni, Agim Ademi tani e ka ndryshuar krejt formën. Pa autorizim të klubeve, pa bërë të ditur asnjë detaj, me një proces të mbyllur, i shet të drejtat televizive. I fton ndaras përfaqësuesit e kompanive dhe u thotë rrite ofertën. Pra, janë hapur zarfet, janë këqyr ofertat, e pastaj kanë vazhduar…vet pronari i Kujtesës më ka thënë mua personalisht se është ftuar në takim nga dy p takim nga dy përfaqësues të federatës të cilët i kanë thënë ta rrisë ofertën. Pra, zarfet janë çelur. Pse ka ndodhur kjo, por edhe për shumë “pse” të tjera pyetni Agim Ademin të përgjigjet. Këto “pse” e bëjnë të dyshimtë këtë proces”, shprehet Ahmeti.

“Po i shoh reagimet e klubeve. FFK nuk ka marrë autorizim nga to siç marrte në kohën e Vokrrit. Nuk e kuptoj FFK-në pse kështu. Nuk e kuptoj pse nuk ua ka mundësuar klubeve që vet ato ta krijojnë një komision me anëtarë të tyre dhe vet t’i shesin drejtat televizive sepse ato para u shkojnë klubeve. Pse FFK-ja me marrë këtë detyrë?!”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online)