Zbardhet vrasja e 2012, si u ekzekutua me plumb kokës 23 vjeçarja nga i ati dhe vëllai

  • E.K /
  • 05 September 2020 - 11:37
Zbardhet vrasja e 2012, si u ekzekutua me plumb kokës 23 vjeçarja nga i ati dhe vëllai

8 vite kanë kaluar nga vrasja e 23 vjeçares Eglantina Buci, vrasje e cila tashmë është zbardhur plotësisht dhe ka për autorë Faik dhe Shkëlzen Bucin, babain e vëllain e vajzës.

Krimi ndodhi në 2012 dhe arsyeja që shtyu Faik e Shkëlzen Bucin për të vrarë vajzën, ishte fakti se ajo i kishte çnderuar pasi ishte larguar nga banesa për të bashkëjetuar me të dashurin.

Vajza është vrarë dhe varrosur nga babai e vëllai i saj në malin me gropa. Gjithçka është planifikuar nga babai i Eglantinës, i cili i ka kërkuar të birit që të marrë peng të motrën. Shkëlzeni e ka marrë të motrën nën kërcënimin e pistoletës dhe më tutje të tre kanë shkuar në Malin me Gropa. Atje 23 vjeçarja është ekzekutuar me një plumb në kokë dhe më tutje është groposur.

Pas disa ditësh, babai dhe djali janë rikthyer sërish në vendngjarje dhe kanë nxjerrë nga toka trupin e vajzës, për ta groposur disa qindra metra më larg. Frika e tyre ishte në mos trupi i vajzës zbulohej nga ndonjë person.

Pas disa vitesh nga vrasja, një gjuetar ka gjetur pjesë eshtrash të 23 vjeçares, të cilat ishin nxjerrë nga kafshët e egra. Në hetimet e kryera në 2017, u gjetën një sërë eshtrash dhe kafka. Në pjesën e nofullës shihej qartë një goditje me armë zjarri, e cila përshkonte dhe kafkën.

Ditën e djeshme policia njoftoi se kishte finalizuar operacionin “Heshtja’ dhe kishte vënë në pranga Faik Bucin e Shkëlzenin, i cili aktualisht ndodhet në burg për një vrasje të mbetur në tentativë.

“Në kuadër të hetimeve u bë e mundur gjetja e disa pjesëve të një skeleti (eshtra) të një kufome të paidentifikuar të gjetur në datë 14.09.2012, në vendin e quajtur Mali me Gropa, Tiranë.

Pas një pune hetimore të pandërprerë që prej vitit 2017, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë rifilluar hetimet në lidhje me këtë çështje dhe mbi veprimet hetimore dhe procedurale është bërë i mundur identifikimi shkencor eshtrave, të cilat i përkasin shtetases Eglantina Buci, e datëlindjes 1989, lindur në Dibër dhe banuese në Babrru, Tiranë.”-njoftoi policia.

“Shtetasit Faik Buci dhe Shkëlzen Buci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë më armë zjarri pistoletë shtetasen Eglantina Buci dhe më pas e kanë fshehur (groposur) kufomën në Malin me Gropa, Tiranë.

Motivi i vrasjes së bërë nga babai dhe vëllai i saj lidhet me faktin që shtetasja Eglantina Buci është larguar nga banesa për të bashkëjetuar me një shtetas tjetër, pa dëshirën e familjarëve të saj”, tha dje zyrtarisht Policia.

(Kosova Sot Online)