Hoti nis takimet në Bruksel

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 11:10
Hoti nis takimet në Bruksel

Në Bruksel po zhvillohen sot (7 shtator) takimet në nivelin e lartë në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, nga i cili Bashkimi Evropian pret edhe rezultate konkrete.

Tashmë ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Një takim bilateral me zyrtarët e BE-së më pas do e zhvillojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më pas do të zhvillohet edhe takimi trepalësh, më saktësisht takimi i Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, siç kanë paralajmëruar edhe burimet e BE-së, edhe vetë palët në dialog, pritet të arrihet pajtim për tri temat për të cilat kanë biseduar në takimet e mëhershme ekspertët.

Ato janë: çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.

Për këto tema është diskutuar në Bruksel edhe të shtunën e të dielën, në nivel të ekspertëve.

Pas këtyre takimeve, koordinatori i Kosovës për dialogun, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka pasur përafrim të qëndrimeve dhe se mund të ndodhë që të arrihet pajtim. /REL

(Kosova Sot Online)