Marrëveshja e Washingtonit, mes fitores historike dhe humbjes epokale?

Marrëveshja e Washingtonit, mes fitores historike dhe humbjes epokale?

Gani Qarri

  • 07 September 2020 - 07:40

Shkruan: Gani Qarri

“Në qoftë se brenda kësaj marrëveshje ka cenim të Kushtetutës, sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave strategjike të Kosovës, si futja e saj me statusin e një krahine serbe në “Minishengen”, një marrëveshje e tillë bëhet edhe më e rëndë dhe përfundimisht e papranueshme, ndaj pas stërzgjatjes rreth 9 vjeçare të bisedimeve me këtë shtet ish okupator, në Uashington dhe Bruksel duhet të shkohet, vetëm për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që garanton njohje të ndërsjellë, ulësen për Kosovën në OKB dhe njëherë e përgjithmonë u jep fund pazareve me territore dhe pasuritë tona kombëtare”.

Humbje epokale për Kosovën. Heqja dorë e Avdullah Hotit me kaq lehtësi nga njohja reciproke me Serbinë, futja e Kosovës në "Minishengen", si krahinë e shtetit serb, bërja e Serbisë hisedare në resurset më jetike ujore të vendit tonë si Ujmani, mostrajtimi i çështjes së shqiptarëve në Kosovën Lindore, por në vend të tyre, “të drejtat fetare” dhe eksterritorialiteti i kishës serbe, si dhe moratoriumi njëvjeçar për mos anëtarësim të Kosovës në asnjë nga organizatat ndërkombëtare, nuk e di se çfarë humbje më e madhe do të mund ti ndodhte Kosovës, përveç ndarjes së saj. Amerika ishte i vetmi vend në botë prej nga Kosova kishte shpresat më të mëdha dhe idealizonte se kurrë nuk do të kthehej kokulur dhe me humbje të tillë të paketuar zyrtare në çantë, por ja që tuba e kalamajve të dërguar nga jugonostalgjiku Isa Mustafa,në emër të dialogut, për ekskursion në SHBA, pas një dështimi epokal në bisedime, një shetitje luksi rreth njëjavore dhe bërjes me sukses të Serbisë edhe zyrtarisht hisedare me të drejta të plota në resurset e Ujmanit, do të vije të na shes me pompozitet, humbjen për sukses deri në dështimin tjetër të radhës, që me njerëz të tillë, pritet të ndodhë serish dhe shumë shpejtë. Kosova në vend se të mos pranojë fare të ulet në tryezë të bisedimeve me një kriminel si Vuçiqi, përfaqësuesit e saj kalamaj e nxorën Aleksandër Vuçiqin si fituesin më të madh të kësaj runde të bisedimeve, bashkëpunëtor e ministër i Millosheviqit si dhe bashkëpjesëmarrës në krimet dhe gjenocidin kriminal mbi shqiptarët në Kosovë, mijëra kufoma të të cilëve që nga kidnapimi i tyre edhe si ish kryeministër e president aktual i Serbisë, i mbanë ende edhe sot e kësaj dite peng në Serbi, mbi 21 vite pas lufte, i cili përveç të gjitha bëmave kriminale, me gjithë humbjen e luftës dhe dëbimit nga Kosova, e bëri Serbinë edhe zyrtarisht hisedare në resurset tona më jetike, si të ujit dhe të energjisë që prodhohet nga hidrocentrali i Ujmanit në thellësi të Kosovës, siguroi pa asnjë kompensim të gjithë tregun e Kosovës dhe disa miliarda dollar investime nga SHBA, apo ndoshta edhe më tepër, pasi që për momentin, ende nuk dihen të gjitha detajet e marrëveshjes. Kjo është jo vetëm humbje epokale, por edhe katastrofë për Kosovën.

Pajtimi i Avdullah Hotit & CO për heqjen e pikës 10 të marrëveshjes, menjëherë pas kundërshtimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiqi, në të cilën parashihej njohja reciproke me Serbinë dhe zëvendësimi i saj me involvimin e Serbisë në resurset e Ujmanit, i rritë shpresat Serbisë për bërjen hisedare edhe në pasuritë e Trepçës ashtu siç ka filluar menjëherë të deklaroi Vuçiqi pas suksesit që arriti edhe në Uashington, për ti hapur rrugë kështu pretendimit të tij se i gjithë Veriu i vendit tonë i takon Serbisë dhe quar përfundimisht Kosovën drejtë ndarjes, pa përmendur fare të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Ndërtimi i Liqenit të Ujmanit, sipas ish udhëheqësve të Kosovës dhe dëshmitarëve të gjallë okularë, ka nisur qysh më 1964 me iniciativën e Hidro-Ekonomisë së atëhershme të Kosovës me parat e kredisë së realizuar mes Bankës Botërore për Ndërtim e Zhvillim dhe Kosovës për projektin e Ibër-Lepencit, ndërtimi i të cilit jo vetëm që nuk është financuar as ndihmuar nga Serbia, por për aq më tepër edhe është penguar e kundërshtuar me të gjitha mënyrat më të ashpra nga ajo dhe kredia është nënshkruar nga Tito dhe jo nga Serbia. Madje përveç faktit se, dy të tretat e liqenit si dhe vet hidrocentrali i Ujmanit gjenden në thellësi të konsideruar të territorit të Kosovës dhe sipas udhëheqësve dhe punëtorëve të Hidro-Ekonomisë së atëhershme, ky liqe, ishte i paraparë vetëm për nevojat e Kosovës, kështu që shpronësimi i tokave ku duhej të bëhej akumulimi i ujit në gjithë gjatësinë , përfshi edhe pjesën e mbetur nën Serbi, është bërë me paratë e Kosovës, arsye për të cilat, Serbia ka humbur edhe kontestet gjyqësore për përdorimin e ujit të Ujmanit për vete.

Ujmani është liqeni më i madh në gjithë Kosovën me rreth 12 kilometra katrorë, ku kohët e fundit është bërë një investim i madh dhe shumë milionësh edhe nga Qeveria Gjermane dhe ajo austriake, si dhe nga vet Komuna e Prishtinës, me ç`rast mbi 35 milionë euro janë investuar vetëm për ndërtimin e Fabrikës së Ujit në Shkabaj,e cila ujin e merr nga Liqeni i Ujmanit dhe furnizon me te, tërë kryeqytetin dhe qytetet përreth. Ndaj çdo marrëveshje qoftë ajo e nënshkruar edhe nga Avdullah Hoti, Meliza Haradinaj e ndonjë kalama tjetër,që futë Kosovën si krahinë të Serbisë në të ashtuquajturin “Minishengen” serb, cenon sovranitetin, kufijtë e karakterin unitar të Republikës si dhe resurset jetike nga të cilat furnizohet populli me ujë dhe mbahet gjallë ekonomia e vendit tonë, për Kosovën dhe popullin e saj duhet të jenë të papranueshme dhe të hidhen poshtë me vendosmëri nga shqiptarët, njëherë e përgjithmonë. Madje edhe opozita nuk e ka mirëpritur fare qasjen neutrale te marrëveshjes ndaj statusit të Kosovës, e Partia Demokratike e Kadri Veselit edhe ka reaguar ashpër pas nënshkrimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi, duke akuzuar me arsye delegacionin e Kosovës në krye me Avdullah Hotin mbi shansin e humbur në Uashington për arritjen e marrëveshjes finale të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, që do të siguronte dhe ulësen në OKB.Megjithëse PDK thotë se që nga fillimi ka qenë e bindur se përfshirja e SHBA-së në dialogun mes Kosovës e Serbisë, jo vetëm se është e domosdoshme, por do të sillte edhe përmbylljen e procesit, çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë dhe që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri për qytetarët e vendit, sidomos kur ende nuk është bërë publike tërë përmbajtja e marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".