Trumpi mban tubim zgjedhor në mjedis të mbyllur, pavarësisht rrezikut nga koronavirusi

  • E.K /
  • 14 September 2020 - 09:43
Trumpi mban tubim zgjedhor në mjedis të mbyllur, pavarësisht rrezikut nga koronavirusi

Në kundërshtim me rregulloret shtetërore dhe me vetë udhëzimet shëndetësore të administratës së tij, presidenti amerikan, Donald Trump, të dielën e mbajti tubimin e parë zgjedhor në mjedis të mbyllur që nga qershori.

Në një sallë të mbushur plot, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se vendi është duke e bërë kthesën e fundit në mposhtjen e virusit, shkruan The Guardian.

Një numër relativisht i vogël i personave të pranishëm në tubim kishte maska, por ata që qëndronin pas shpinës së presidentit e kishin obligim t’i vendosnin ato, me shumë gjasë për shkak të pamjeve që do të dilnin në televizion.

“Nuk do ta mbyllim vendin përsëri. Mbyllja do t’i shkatërronte jetët dhe ëndrrat e miliona amerikanëve”, deklaroi udhëheqësi i shtetit me mbi 330 milionë banorë.

Ai e shfrytëzoi këtë tubim për ta sulmuar rivalin në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, duke thënë se kandidati demokrat është i butë ndaj krimit.

Në anën tjetër, ish-nënpresidenti amerikan e ka akuzuar presidentin e tanishëm për mbajtjen e tubimeve që i rrezikojnë njerëzit nga koronavirusi, nga i cili kanë vdekur mbi 194,000 persona në Shtetet e Bashkuara.

(Kosova Sot Online)