Çështje problemore, serioze në marrëveshjen e Washingtonit

Çështje problemore, serioze në marrëveshjen e Washingtonit
Çështje problemore, serioze në marrëveshjen e Washingtonit

Riza Smaka

  • 14 September 2020 - 07:32

Shkruan: Prof. Dr. Riza Smaka

“Barazimi i obligimit të palës kosovare për të pezulluar aktivitetin politik për njohje të Kosovës nga shtete që akoma nuk e kanë pranuar në një anë me atë të palës serbe për moratoriumin e propagandimeve kundër njohjeve përkatësisht për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga shtete të caktuara, është bizar, irritues, hegjemonist dhe krejtësisht i padrejtë ,nga se ,në rastin e parë, fjala është për të drejtë themelore origjinare të shtetit sovran – Kosovës e, në të dytin, për aktivitete agjituese e propagandistike tendencioze e malevolente të një shtetit tjetër, të Serbisë kundër shtetit tjetër – Kosovës! Grantimet eventuale në favorin e shtetit serb për trafikun ajror e tokësor nëpër Kosovë deri në bregdetin shqiptar, do të ishin një nga formulat e këqija e të dëmshme sikundër për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Në vend të grantimeve të privilegjeve serbe të pretenduara në trafikun ajror e tokësor, pala kosovare do të duhej të qëndronte me konsekuencë dhe konsistencë në parimin e reciprocitetit dhe të standardeve ndërkombëtare për trafikun ajror, tokësor e ujor”.

Nga këndi akademik, në Marrëveshjen e Washington-it, do të mund të identifikoheshin jo pak segmente problematike për vendin tonë.

Në radhë të parë, rezulton të jetë temë problematike: diskursi referuar statusit politik e juridik të Ujmanit, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, moratoriumi njëvjeçar për pezullim të lobimeve për njohje vijuese të Kosovës, nga ana jonë e, nga ajo serbe, për pezullimin e agjitimeve propagandistike kundër njohjeve si dhe për tërheqje të njohjeve të deritashme si dhe statusi i privilegjuar eventual në favorin e Serbisë për trafikun ajror e tokësor nëpër Kosovë deri në bregdetin shqiptar! Përkitazi me statusin politik e juridik të Ujmanit duhet konsideruar faktin se Ujmani nga viti 1945 e deri në ditët e sotme ishte përbrenda territorit të Kosovës, i projektuar, i financuar dhe i menaxhar nga autoritetet e Kosovës. Ndaj, shteti serb nuk mbanë asnjë adut as të drejtë për tu bërë aksionare apo hisedare në Ujmanin as në produktet e tij. Kosova, sipas Kushtetutës dhe rendit juridik të vetë është shtet unitar e qytetar. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, para se do të amendohej e që nuk do të duhej të amendohej, nuk lejon krijim të asnjë farë asociacionit as entitetit politik, juridik as administrativ që do të trazonte statusin unitar e civil të Kosovës. Ndaj Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë më parë gabimisht i parafuar dhe i sponsoruar nga z. Isë Mustafa , ishte në kolizion me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në atë rast Gjykata Kushtetuese ka pas reaguar drejtë ashtu që e ka pas abroguar Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Ndryshe sipas Propozimit për Statusin Politik të Kosovës të projektuar nga Presidenti Ahtisari,të inkorporuar dhe miratuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, serbët kosovarë janë më të privilegjuar nga cili do minoritet në UE-në. Rezoluta Kornizë për Minoritetet e UE-së , nuk sanksionon aq të drejta, privilegje dhe favore sa garanton për serbët kosovarë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ndaj nuk ka vend as justifikim për diskurs politik për formimin e Asociacionit në fjalë. Kur pala serbe apelohet “në obligimin e autoriteteve kosovare për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe në Kosovë”rezulton arbitrare e tendencioze nga se Marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk ka pas hyrë në fuqi nga se ka qenë abrroguar nga Gjykata Kushtetuese e RK-së dhe nuk ka qenë ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës!

Gjithsesi nuk duhet lënë anash faktin se marrëveshjet, në përgjithësi, janë tipe të kontratave të cilat konsistojnë në koncesione të ndërsjella dhe për aq janë reale e jo ideale me kushtin që koncesionet të jenë të ballansuara dhe ekuivalente”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".