Rreth 470 balena gjenden në bregdetin e Tasmanisë, mbi 200 besohet të kenë ngordhur

  • E.K /
  • 23 September 2020 - 09:49
Rreth 470 balena gjenden në bregdetin e Tasmanisë, mbi 200 besohet të kenë ngordhur

Tasmania e Australisë e ka regjistruar numrin më të madh të balenave të ngujuara në bregdet. Nga e hëna, në këtë vend janë gjetur rreth 470 balena në bregdetin perëndimor.

Zyrtarët thanë të mërkurën se shumica e 200 balenave të gjetura së fundi duket se kanë ngordhur, shkruan BBC.

Sipas tyre, ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke u përpjekur të shpëtojnë ndonjë balenë që ka mbetur ende gjallë në ujërat e cekëta të bregdetit.

Ndonëse 25 balena të gjetura në grupin e parë u dërguan prapë në ujëra të thella, disa u kthyen prapë në bregdet nga batica, thanë zyrtarët.

“Jemi goxha të zhgënjyer që numri është rritur dhe ka rritje të numrit të balenave që kanë ngordhur”, tha Nik Deka nga Departamenti i Industrive Parësore. Megjithatë, ai tha se shpëtuesit pritet të kthejnë më shumë balena në det të mërkurën.

Të martën, një ekip shpëtuesish përmes helikopterit e vërejtën grupin e dytë të balenave të ngujuara në bregdet. Ato ndodheshin rreth 10 kilometra larg vendit ku u gjet grupi i parë.

Së paku 90 balena nga grupi i parë kanë ngordhur. Ende nuk është i qartë shkaku që i solli balenat në bregdet, por shkencëtarët thonë se ky lloj i balenave dallohet për lidhje të forta shoqërore mes anëtarëve.

(Kosova Sot Online)