Grabitje e armatosur në Prishtinë, hajni godet në kokë një person, lëndon edhe policët

  • E.K /
  • 23 September 2020 - 10:59
Grabitje e armatosur në Prishtinë, hajni godet në kokë një person, lëndon edhe policët

Një grabitje e armatosur ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në Prishtinë. I dyshuari ka goditur në kokë një person i cili ishte në vendin e tij të punës. Për shkak të rezistencës së grabitësit, lëndime trupore kanë pësuar edhe zyrtarët policorë

Policia ka njoftuar se i dyshuari kishte qenë i maskuar dhe nën kërcënim të armës, ku kishte grabitur një shumë të parave.

“Dy viktimat meshkuj kosovarë kanë raportuar se derisa kanë qenë në vendin e punës, një person i maskuar nën kërcënim të armës kishte grabitur një shumë të parave. I dyshuari pasi e kishte kryer grabitjen, e kishte goditur në kokë njërin prej viktimave pastaj me një veturë ishte larguar nga ai lokacion”, njofton policia.

Njësitet policore kanë tentuar ta ndalojnë të dyshuarin, por ai nuk është ndalur, në këtë mënyrë i ka rrezikuar edhe policët.

“I dyshuari nga njësitë policore është tentuar të ndalohet, por i njëjti nuk ishte ndalur duke i rrezikuar kështu zyrtarët policor. Pas braktisjes së veturës në një lokacion, i njëjti ka vazhduar në këmbë dhe është arritur që të arrestohet nga njësitë policore, ku si pasojë e rezistencës, gjatë arrestimit të tij kanë pësuar lëndime zyrtarët policor”, bëhet e ditur në raportin e policisë.

Pas arrestimit të të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar para të gatshme, dy telefona, dy pasaporta dhe një fishek të armës së zjarrit.

“Gjatë kontrollit te i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar 766 euro para kesh, dy telefona celular, dy pasaporta në emrin e tij, dhe një fishek i armës së zjarrit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore është konfiskuar edhe vetura të cilën  e kishte përdorur  i dyshuari”, njofton policia.

(Kosova Sot Online)