Trump përgatitet për tranzicion jopaqësor të pushtetit nëse i humb zgjedhjet

  • E.K /
  • 24 September 2020 - 14:33
Trump përgatitet për tranzicion jopaqësor të pushtetit nëse i humb zgjedhjet

Mund të mos ketë tranzicion paqësor të pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nëse Donald Trump i humb zgjedhjet e nëntorit. Presidenti aktual beson se rezultati i zgjedhjeve mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë, ndërsa sërish ka hedhur dyshime për votimin me postë.

“Do të shohim”, ka thënë Trump kur është pyetur nëse do të angazhohet për një tranzicion paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve.

Edhe në përballjen me kandidaten demokrate Hillary Clinton në zgjedhjet e kaluara në vitin 2016, Trump kishte refuzuar të angazhohej për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve. Clinton këtë e kishte cilësuar si sulm ndaj demokracisë.

Kandidati demokrat, në garën presidenciale, Joe Biden, i cilësoi si të paarsyeshme komentet e rivalit.

“Në cilin vend jetojmë? Ai po thotë gjërat më të paarsyeshme. Nuk di çfarë të them për këtë, por nuk befasohem”, ka thënë Biden.

Ndërsa senatori republikan, Mitt Romney, në një reagim në rrjetin social Twitter, ka thënë se tranzicioni paqësor i pushtetit është thelbësor për demokracinë dhe se pa të, Shtetet e Bashkuara do të ishin në Bjellorusi.

“Çdo sugjerim se presidenti mund të mos respektojë kushtetutën është i paimagjinueshëm dhe i papranueshëm”, tha ai.

Paraprakisht, Trump mbrojti vendimin për të kërkuar emërimin e kreut të ri të Gjykatës së Lartë para zgjedhjeve, pasi, siç tha, pret që rezultati të përfundojë atje. 

(Kosova Sot Online)