“Me pak fjalë, situata është shumë shqetësuese”/ Valë e re e Covid në Evropë, SHBA arrin në mbi 7 milionë të infektuar

  • G.G /
  • 26 shtator 2020 - 09:08
“Me pak fjalë, situata është shumë shqetësuese”/ Valë e re e Covid në Evropë, SHBA arrin në mbi 7 milionë të infektuar

Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar 7 milionë raste të konfirmuara të koronavirusit, ndërsa disa qeveri në Evropë po vendosin kufizime më të rrepta në përpjekje për të vendosur nën kontroll rritjen e infeksioneve.

Shtetet e Bashkuara e kaluan pragun historik të premten, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, pasi në fillim të kësaj jave arritën rekordin e zymtë të më shumë se 200’000 vdekjeve nga koronavirusi.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të rasteve të koronavirusit, të pasuara nga India, Brazili, Rusia dhe Kolumbia, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Në Evropë, një valë e re e rasteve të infektimit nga koronavirusi ka bërë që qeveritë në të gjithë kontinentin të vendosin përsëri disa kufizime për banorët dhe bizneset.

Kryeministri hollandez Make Rutte e quajti valën e infeksioneve në vendin e tij “shumë shqetësuese”, ndërsa Hollanda raportoi një rekord të ri ditor me 2’777 raste.

“Shifrat duken plotësisht të tmerrshme”, u tha ai gazetarëve të premten. “Me pak fjalë, situata është shumë shqetësuese dhe do të na detyrojë të marrim masa shtesë”.

Zoti Rutte tha se ai pret t’i njoftojë kufizimet javën e ardhshme.

Njerëzit në Republikën Çeke gjithashtu do të përballen me masa të reja duke filluar javën e ardhshme, tha Ministri i Shëndetësisë Roman Prymula të premten, pa specifikuar saktësisht se çfarë kufizimesh do të vendosen.

Shifrat nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tregojnë se Republika Çeke radhitet vetëm pas Spanjës për numrin më të lartë të rasteve të reja për frymë në Evropë gjatë dy javëve të fundit.

Zoti Prymula tha se kundërmasat do të ndikojnë në mbledhjet e njerëzve por nuk do të dëmtojnë ekonominë.

“Ne duam të ndjekim një strategji me një ndikim më të shpejtë, afatshkurtër”, tha zoti Prymula.

Në Spanjë, autoritetet lokale të Madridit dhe qeveria kombëtare po përplasen për shtrirjen e masave të nevojshme për të kontrolluar shpërthimin e infeksioneve të reja në rajonin e kryeqytetit.

Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa, tha të premten se qeveria dëshiron që i gjithë Madridi dhe 3.3 milionë banorët e tij të futen në izolim.

Qeveria rajonale tha se do të zgjerojë urdhërat e bllokimit, por vetëm pjesërisht, duke shtuar rreth 160’000 njerëz të tjerë mbi 850’000 personat të cilët duhej të qëndronin në shtëpi këtë javë nëse nuk do të kishin një arsye të autorizuar për të dalë.

Madridi gjithashtu ka shkurtuar numrin e njerëzve të lejuar të vizitojnë dyqanet dhe restorantet dhe ka mbyllur parqet.

Masat izlouese kanë ngjalluar protesta nga ata që thonë se po vihen në shënjestër sepse jetojnë në zona më të populluara dhe më të varfra që kanë infrastrukturë më të keqe.

Testimi i vaksinës në Britani

Në Britani, kompania Novavax me qendër në Shtetet e Bashkuara tha të premten se ka filluar një provë në fazën e vonë të një vaksine të mundshme për COVID-19.

Kompania tha se po kryente provën në Britani sepse ka një qarkullim mjaft të konsiderueshëm të koronavirusit në vend për të prodhuar rezultate të shpejta.

Prova klinike përfshin 10’000 njerëz, mes moshave 18 dhe 84, tha kompania dhe po kryhet në partneritet me grupin britanik të punës për koronavirusin.

Disneyland në Hong Kong

Disneyland në Hong Kong u rihap të premten, hera e dytë që e ka bërë këtë gjatë pandemisë.

Ka udhëzime për distancimin shoqëror, së bashku me pastrimin e shtuar në zonat më të njohura të parkut.

Parku u mbyll fillimisht mes valës së parë të pandemisë në fillim të këtij viti dhe u mbyll përsëri ndërsa një valë infeksionesh goditi Hong Kongun në korrik.

(Kosova Sot Online)