Trumpi synon ta nominojë Amy Coney Barrett në vend të gjykatëses së ndjerë, Ruth Bader Ginsburg

  • E.K /
  • 26 September 2020 - 09:09
Trumpi synon ta nominojë Amy Coney Barrett në vend të gjykatëses së ndjerë, Ruth Bader Ginsburg

Sipas dy burimeve, presidenti amerikan, Donald Trump, planifikon që ta nominojë gjykatësen konservatore, Amy Coney Barrett, për Gjykatën Supreme.

Nëse konfirmohet nga Senati, i cili kontrollohet nga republikanët, Barrett do ta zëvendësonte gjykatësen e ndjerë, Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq më 18 shtator në moshën 87-vjeçare, shkruan Reuters.

Presidenti amerikan kërkoi nga senatorët që ta konfirmojnë propozimin e tij para zgjedhjeve të 3 nëntorit, në të cilat ai po e kërkon mandatin e dytë, ndërsa demokratët po synojnë ta sigurojnë shumicën në Senat.

Barret, 48 vjeçe, ishte caktuar nga Trumpi në Gjykatën e Apelit në vitin 2017. Nëse zgjidhet në postin ku mund të qëndrojë tërë jetën, ajo do të bëhej gruaja e pestë që shërben në Gjykatën Supreme dhe do ta zgjeronte shumicën konservatore në 6 me 3.

Përzgjedhja e saj është parë me shqetësim nga grupet liberale. Grupet për të drejtat e abortit janë shprehur të shqetësuara se kjo gjykatëse mund të ofrojë ndihmë për ta kthyer mbrapsht vendimin e vitit 1973, me të cilin aborti ishte legalizuar në nivel kombëtar.

(Kosova Sot Online)