Bekim Jashari viziton familjen e Hysni Gucatit, takon babain e flasin për arrestimin

  • A.P /
  • 29 September 2020 - 17:02
Bekim Jashari viziton familjen e Hysni Gucatit, takon babain e flasin për arrestimin

Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, bashkë me Nuredin Lushtakun kanë vizituar familjen e kryetarit të OVL’së së UÇK’së, Hysni Gucatit, i cili tashmë gjendet në Hagë.

Jashari ka treguar se kanë biseduar për arrestimin e Gucatit nga Gjykata Speciale, derisa shton se besojnë thellë në pafajësinë e ushtarëve të UÇK’së

“Bashkë me Nënkryetarin, Nuredin Lushtaku dhe me drejtorë e asambleistë, vizituam familjen e Kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, babain e tij bacën Avdullah, i cili pavarësisht sfidave që ka kaluar ende mbetet i fortë dhe krenar me luftën dhe sakrificën e djalit të tij Hysniut dhe shokëve të tij”, ka shkruar Jashari.

“Biseduam rreth situatës në vend, arrestimit të Kryetarit Gucati dhe bashkëluftëtarëve të tij si dhe shprehëm bindjen tonë të thellë se edhe kësaj radhe luftëtarët e Lirisë do të dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit tonë liridashës”, ka shtuar kreu i Skënderajt.

“Krenar me kryetarin, Hysni Gucati dhe luftëtarët e Lirisë!

Besojmë në pafajësinë tende dhe luftën e drejtë të UÇK-së i nderuar Kryetar Gucati!”, ka përfunduar Bekim Jashari.

(Kosova Sot Online)