Mijëra gjermanë protestojnë kundër masave kufizuese të pandemisë

  • A.P /
  • 04 October 2020 - 14:30
Mijëra gjermanë protestojnë kundër masave kufizuese të pandemisë

Policia gjermane tha të dielën se mijëra njerëz kanë protestuar në pjesën jugore të vendit kundër kufizimeve të vendosura për shkak të koronavirusit, ndonëse organizatorët e protestës dështuan që të tubonin numër të mjaftueshëm të njerëzve për të formuar një zinxhir përreth Liqenit të Konstancës.

Megjithatë, mijëra protestues të krahut të kundër u shfaqën gjithashtu në të njëjtin vend për t’i përkrahur masat e vendosura nga qeveria dhe për t’i kundërshtuar përkrahësit e së djathtës, shkruan Retuers.

Në përgjithësi, policia tha se rreth 10.500 deri 11.000 persona morën pjesë në protesta të ndryshme të shtunën dhe dy të tretat e tyre vazhduan edhe të dielën. Një zëdhënës i policisë tha se moti me diell mund të ndikojë që të shtohet numri i protestuesve.

Organizatorët e protestave kundër masave kufizuese fillimisht kishin shpresuar se do të arrijnë t’i tubojnë më shumë se 20.000 njerëz.

Në këto protesta po marrin pjesë kryesisht aktivistët e të drejtave civile, personat që i kundërshtojnë vaksinat, përkrahësit e neonazizmit dhe anëtarët e grupeve të së djathtës ekstreme, përfshirë partinë opozitare, Afd (Alternativa për Gjermaniën).

Ndryshe, Gjermania deri më tani ka arritur që t’i mbajë nën kontroll shifrat e viktimave dhe infektimeve pasi ka shpëtuar më mirë se Britani, Italia, Spanja dhe Franca.

(Kosova Sot Online)