Hoti takohet me përfaqësuesit e BERZH-it: Mbetet një partner tepër i rëndësishëm i vendit

  • A.P /
  • 05 October 2020 - 16:59
Hoti takohet me përfaqësuesit e BERZH-it: Mbetet një partner tepër i rëndësishëm i vendit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, zhvilluan sot një takim virtual me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me të cilët biseduan për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it dhe avancimin e mëtejmë të tij.

Hoti foli për prioritetet e Qeverisë në parandalimin dhe menaxhimin e situatës së krijuar me pandeminë COVID–19, pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe për hapat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit në përmirësimin dhe krijimin e një ambienti më të mirë të të bërit biznes.

“BERZH-i mbetet një partner tepër i rëndësishëm i vendit tonë, ngaqë përkrahja dhe mbështetja e tyre e vazhdueshme në realizimin e projekteve tona zhvillimore është një storie suksesi, ndaj u jemi tepër mirënjohës për besimin dhe mbështetjen e dhënë ”, tha Hoti.

Ndërsa, përfaqësuesit e BERZH-it premtuan se do të vazhdojnë t’i mbështesin projektet në Kosovë, duke u përkushtuar edhe në sfidat afatgjate ekonomike, mbështetjen e sektorit privat, ndërtimin e strategjive të përbashkëta dhe të tjera.

(Kosova Sot Online)