Osmani: Kam mbrojtur Kosovën me dinjitet dhe pa u përkulur para askujt
Gjatë bisedave sy më sy me qytetarë në kuadër të platformës “HAJDE FOLIM”, ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ndaj pretendimeve që po qarkullojnë për një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues amerikanë në Nju Jork.
Përballë një pyetjeje të një qytetari, Osmani mohoi publikisht secilin pretendim dhe i quajti “gënjeshtra të fabrikuara nga manipulues profesionistë”, duke mbrojtur jo vetëm integritetin e saj politik, por edhe dinjitetin e shtetit të Kosovës.
“Ne e kemi vetëm të vërtetën në anën tonë,” deklaroi ajo, duke iu referuar sulmeve që e kanë quajtur “tradhtare” për pjesëmarrjen e saj në një takim të organizuar nga zyrtarë të lartë amerikanë me liderët e Ballkanit Perëndimor për promovimin e potencialit investues të rajonit.
Osmani hodhi poshtë pretendimet që po qarkullojnë në publik. Sipas saj, pretendimi se takimi ishte mbajtur fshehtë është plotësisht i pavërtetë, pasi aktiviteti ishte publikuar në Përmbledhjen e Presidencës zyrtarisht që në shtator, në kohën kur kishte ndodhur.
Ajo mohoi gjithashtu akuzat se ambasadori i Kosovës në SHBA nuk kishte qenë prezent, duke theksuar se ambasadori Ilir Dugolli dhe kabineti presidencial kishin marrë pjesë dhe kishin ndjekur të gjithë prezantimin për potencialin ekonomik të Kosovës.
Ajo reagoi edhe ndaj pretendimeve se takimi ishte organizuar nga gazetari Baton Haxhiu.
“Takimi ishte organizuar si tryezë SHBA–Ballkani Perëndimor dhe ishte ftuar nga Sekretari amerikan i Tregtisë, Scott Bessent, dhe ambasadori për misione të posaçme i Presidentit amerikan, Richard Grenell,”.
Ish-Presidentja rikujtoi se në atë forum morën pjesë liderë rajonalë të nivelit të lartë, përfshirë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ministra dhe përfaqësues nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe vende të tjera të rajonit.
Në përgjigjen e saj, Osmani ngriti edhe pyetjen që po dominon debatin publik: pse po sulmohet një takim zyrtar, publik dhe ndërkombëtar, ndërkohë që askush nuk jep përgjigje për takimet e mbyllura “me orë të tëra” me Presidentin serb Aleksandar Vuciq dhe emisarin evropian Miroslav Lajcak?
“Aty nuk kishte dëshmitarë dhe as transkripte,” tha ajo, duke lënë të kuptohet se transparenca duhet të vlejë për të gjithë.
Osmani kujtoi se ka përfaqësuar Kosovën në dhjetëra forume ndërkombëtare gjithmonë përballë në ballafaqim me armiqtë që kanë tentuar të mohojnë shtetësinë dhe të vërtetën e Kosovës.
“Kam mbrojtur Kosovën fort, me argumente, me dinjitet dhe pa u përkulur para askujt,” deklaroi ajo.
Sipas Osmanit, sulmet ndaj vendit nuk vijnë sepse Kosova është dobësuar e përfaqësuar keq, por pikërisht sepse është mbrojtur fort. “Nëse ata kanë propagandën, ne kemi të vërtetën”, tha ajo.
(Kosova Sot Online)
