Opozita në Kirgistan e merr pushtetin me dhunë pasi futet në ndërtesat qeveritare

  • E.K /
  • 06 October 2020 - 10:49
Opozita në Kirgistan e merr pushtetin me dhunë pasi futet në ndërtesat qeveritare

Partitë opozitare në Kirgistan kanë thënë se e kanë marrë pushtetin në duart e tyre të martën pasi u futën në ndërtesat qeveritare gjatë protestave rreth dyshimeve për mashtrim në zgjedhje.

Presidenti Sooronbai Jeenbekov tha se vendi i tij, në të cilin ndodhen një bazë ajrore ruse dhe një minierë ari e kontrolluar nga Kanadaja, është duke u përballur me një përpjekje për puç. Megjithatë, ai i urdhëroi forcat e sigurisë që të mos i qëllojnë me armë protestuesit.

Qeveria e vendit të Azisë Qendrore tha se një person është vrarë dhe 590 janë plagosur gjatë përleshjeve që ndodhën natën e kaluar. Opozita tha se e ka liruar Almazbek Atambayevin, ish-president që ishte burgosur pas akuzave për korrupsion, shkruan Reuters.

Kirgistani është aleat i Rusisë dhe për një kohë të gjatë ka qenë arenë për garë gjeopolitike mes Moskës, Uashingtonit dhe Pekinit. Ky vend ka një histori të brishtësisë politike. Gjatë 15 vjetëve të fundit, dy presidentë janë rrëzuar nga pushteti përmes kryengritjeve.

Tensionet filluan të hënën pasi policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë mijëra protestues që e kundërshtuan rezultatin e zgjedhjeve të së dielës.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se këto zgjedhje, sipas të cilave dy partitë në pushtet kanë siguruar më së shumti ulëse në kuvend, janë karakterizuar me blerje votash.

(Kosova Sot Online)