Serbia po blenë armë nga të gjitha anët e botës, por çfarë fshihet pas kësaj?

  • G.G /
  • 12 October 2020 - 10:34
Serbia po blenë armë nga të gjitha anët e botës, por çfarë fshihet pas kësaj?

Politika serbe e blerjes dhe e shitjes së armëve është 'spektakël' pa plan të qartë e qëllim, mendojnë analistët

"Më të mëdhatë", "më modernet", "më të fuqishmet" - kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiç nuk i kursente superlativët në paralajmërim të stërvitjes ushtarake të mbajtur të shtunën (10 tetor) në Peshter. "Gjithçka që qëllon, aeroplanë, dronë, bombardues, luftëtarë dhe municione luftarake. Spektakël", përshkruante me kënaqësi Vuçiq gjithçka që mund të shihej.

Sipas kritikëve, politika e Serbisë për të blerë dhe shitur armë është pikërisht ajo - një "spektakël", por pa një plan dhe qëllim të qartë. Dhe u kushton shumë taksapaguesve, shkruan Deutsche Welle.

Në fillim të javës, Vuçiç lavdëroi dronët turq Barjaktar që Serbia do të donte t'i blinte në mënyrë që vetë të "ruajë dhe mbrojë qiellin e vetë". Po të jetë kështu, droni i prodhuar nga Turqia do të bashkohej me baterinë kunDër-ajrore të Rusisë Pancir S1, të përdorur - disa thonë të konsumuar - MiG-ëve rusë dhe bjellorusë, raketave franceze Mistral, helikopterëve Airbus H145M, dronëve kinezë dhe ndoshta dronëve izraelitë Hermes 900 apo Heron.

Të gjitha këto janë punë të kontraktuara ose të shpallura në vlerë prej qindra miliona eurosh, edhe pse Plani Strategjik i Mbrojtjes dhe Plani i Pajisjes së Ushtrisë për periudhën deri në 2030 nuk janë përfunduar ende.

Vuçiq si 'agjent tregtar'

Disa analistë ushtarakë kanë shtruar pyetjen se sa ka kuptim të gjitha kur Pancir S1 ka arritur në Serbi. Siç ka thënë atëherë analisti Aleksandar Radiq për N1-në, ky sistem i mbrojtjes ajrore ka një diapazon prej njëzet kilometrash. Radiq pyetej se çfarë mund të mbrojë vendi me madhësitë Serbisë me një bateri të vetme, nëse do të jetë nevojshme?

"Presidenti Vuçiq duket si një agjent tregtar që lidh kontrata të tilla si eksportimi dhe prokurimi i armëve nëpër botë, dhe atë në fshehtësi dhe pa një ide të qartë se cilat janë fitimet dhe cilat janë pasojat për qytetarët e Serbisë, përkatësisht sa kushtojnë këto aventura të politikës së jashtme," thtë për Dë-në Maja Bjelosh nga Qendra e Beogradit për politikë të igurisë.

Ajo shpjegon se presidenti i Serbisë në çështjet e armëve - edhe pse nuk ka kompetenca të tilla kushtetuese - shpejt dhe lehtë pajtohet me udhëheqësit autoritarë, por shpenzon paratë e shtetit edhe kur është nën presion.

Ajo përkujton kërcënimin e heshtur amerikan me sanksione kundër Serbisë në fund të vitit të kaluar - për shkak të prokurimit të gjerë të armëve ruse - pas të cilit kishte një kthim të dukshëm. "Ju po na kritikoni për blerjen e armëve ruse dhe gjithçka tjetër," tha Vuçiq në një intervistë për revistën amerikane Foreign Policy këtë mars. “Mirë, unë do ta blej armët tuaja… A doni t'i shisni apo jo? A i doni paratë tona?",ofronte Vuçiq gjatë bisedës, para se të paralajmëronte se i do armë izraelite, britanike dhe amerikane.

Sipas Institutit të Stokholmit SIPRI, shpenzimet e mbrojtjes së Serbisë vitin e kaluar tejkaluan një miliard dollarë amerikanë, një shumë gati surreale për rajonin. Në të njëjtën kohë, shpenzimet janë aq misterioze sa që organi këshillimor serb që merret me çështjet e buxhetit dhe përshtatshmërinë e shpenzimeve është kritikuar nga Ministria e mbrojtjes.

Para çdo prokurimi, gazetarët përpiqen të zbulojnë çmimin, sepse Ministria kontratat e tilla  - për shembull atë për "dhurimin" e armëve nga Rusia dhe Bjellorusia - i shpall sekrete dhe nuk jep të dhëna edhe kur Komisioneri kompetent vlerëson se fajal është për informacione me rëndësi publike.

'Të painkuadruarit' duhet të blejë nga të gjithë?

Ish-ministri i mbrojtjes Dragan Shutanovac, i cili dikur insistonte në organizimin e Ushtrisë sipas standardeve të NATO-s, thotë se do të ishte logjike që një vend që është pjesë e programit "Partneriteti për Paqen" të sigurojë armë nga vendet që punojnë sipas këtij standardi. "Mirëpo, padyshim se Moska e ka kuptuar që përmes formës së ndihmës vëllazërore, duke dhuruar, për shembull, aeroplanë të përdorur, remontin e të cilave e paguam shtrenjtë, krijon një ndikim të caktuar hibrid, i cili është padyshim qëllimi kryesor," tha Sutanovac për DW-në.

Ai thotë se "mesazhi i qartë politik" ajo se disa anëtarë të NATO-s nuk duan t'i shesin Serbisë sisteme mbrojtëse. "Në vend që të përgatitemi për sfidat e shekullit 21, ne jemi akoma në dekadën e fundit të shekullit 20," thotë ish-ministri nga Partia demokratike.

Maja Bjelosh vëren se kjo politikë "e paqëndrueshme" - duke notuar midis palëve të ndryshme - mund të përfundojë "tragjikisht" për Serbinë. "Ashtu që Serbia në vend të subjekt të jetë objekt në marrëdhëniet ndërkombëtare, një monedhë për kusuritje ose poligon për demonstrimin e ndikimit. Ose është shantazhuar për të blerë lloje të ndryshme të armëve nga partnerë të ndryshëm ".

Kur armatosni dy palë ndërluftuese

Afera "Krushik" vitin e kaluar tregoi se gjërat nuk janë aspak më të lehta me eksportin e armëve sesa me importet. Mediat e shkruara si BIRN dhe NIN kanë ofruar prova se njerëz të afërt me autoritetet po eksportojnë armë në dëm të kompanive shtetërore.

Problemi që mund të shkaktojë kjo u pa në mes të korrikut, kur media azerbajxhanase njoftoi se pala armene kishte granatuar fshatra me municion të prodhuar nga serbët. Pas kësaj, presidenti Vuçiq tha se Serbia eksporton shumë më tepër armë në Azerbajxhan. Por se eksporton edhe në Armeni.

"Pavarësisht nga fakti që tregtia e armëve ose municionit është pothuajse gjithmonë e mbështjellë me një dozë të panevojshme sekreti, thelbi i pyetjes është nëse Serbia shkel sanksionet e KB-së dhe eksporton në vendet në listë të zezë," thotë Shutanovac, kryetar i Këshillit për politika strategjike. "Është kjo vija e kuqe që Serbia nuk e ka kaluar".

Në teori, asnjë plumb nuk mund të raportohet pa miratimin e katër ministrive dhe Agjencisë së informacionit e të sigurisë. Kështu, praktikisht çdo pjesë e armës shkon në botë me vulën e shtetit.

Mirëpo, siç thekson Shutanovac, asgjë prej asaj që prodhon Serbia nuk mund të jetë game changer në një fushëbeteje - sepse nuk bëhet fjalë për armë të sofistikuar që do t'i jepnin njërës palë avantazh të pazëvendësueshëm. Megjithatë, paralajmëron bashkëbiseduesi, pa peshuar me kujdes politik edhe shitja e armëve mund t'i prishë marrëdhëniet me këtë apo atë vend.

Tepër e vegjël për dilema morale?

Edhe ish-qeveria, të cilës i përkiste Sutanovac, dhe posaçërisht ajo aktuale, ka justifikuar gjithmonë eksportin e armëve me nevojën për të angazhuar industrinë e dedikuar dhe për të ruajtur vendet e punës. Ky argument po e humbë forcën e tij, beson Bjelosh, sepse "është pikërisht industria e dedikuar shkatërrohet duke u dhënë përparësi kompanive private të cilat ndërmjetësojnë në eksportin e armëve dhe tregtinë e paligjshme".

Ajo shton se marrëveshjet për armë shpesh kryhen në dëm të parave të taksapaguesve, por edhe të drejtave të njeriut, jetës dhe sundimit të ligjit diku në botë. Sipas mediave, armët nga repartet në Serbi përfundojnë jo vetëm në Kaukaz, por edhe në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka shumë indikacione se më pas sistematikisht bien në duart e paramilitarëve ose terroristëve në fushëbetejat nga Jemeni në Siri.

Nga ana tjetër, publiku shpesh dëgjon argumentin se Serbia është shumë e vogël për të menduar nëse është e moralshme të eksportosh armë. Sepse, lista e eksportuesve më të mëdhenj drejtohet nga fuqitë më të mëdha si SHBA-ja, Rusia dhe Kina, dhe në krye janë edhe anëtaret e BE-së, Gjermania dhe Franca.

"Unë vetëm mund të shpreh keqardhje që Serbia nuk ka zhvilluar, të themi, prodhimin e luleve si Hollanda në të kaluarën, në mënyrë që çështja e moralit të eksportit të mos ngrihet kurrë," vëren me sarkazëm Shutanovac. "Nëse e di që industria e mbrojtjes ushqen më shumë se 10,000 familje dhe se Serbia respekton rregulloret e KB, atëherë ata që mund të marrin vendime për sanksionet në KB le të merren me moralin."

Nëse gjithçka shkon sipas planit, një dron modern vendor Pegasus, i aftë për zbulim, bartje armësh dhe ndoshta i përshtatshëm për ushtrime ushtarake që transmetohen drejtpërdrejt në televizion, së shpejti duhet të futet në arsenalin e ushtrisë në Serbi.

(Kosova Sot Online)