Serbët paralajmërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës, nëse bllokohet formimi i Asociacionit

  • G.G /
  • 13 tetor 2020 - 14:54
Serbët paralajmërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës, nëse bllokohet formimi i Asociacionit

“Nëse Prishtina thjesht vendos të mos përmbush detyrimet e nënshkruara para Bashkimit Europian, do të shqyrtohet mundësia e braktisjes së të gjitha institucioneve qendrore të Kosovës dhe shuarjen e të gjitha institucioneve të Kosovës në mjediset me shumicë serbe në Kosovë”, kanë njoftuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës pas takimit me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviqi, dhe me drejtorin e deritashëm, Marko Gjuriqin, raportojnë mediat serbe.

Siç citohet të kenë thënë, refuzimi i Prishtinës që të bisedohet për Asociacionin e Komunave Serbe paraqet goditje në interesat vitale të popullit serb dhe rrezikon të drejtat e tijkolektive politike, ekonomike dhe sociale, thekson komunikata për media.

“Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është interes strategjik i serbëve në Kosovë, ndërsa injorimi i detyrimit që ai të formohet me të gjitha ato kompetencat që i takojnë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit do të trajtohen si sulm i hapur në të drejtat e fituara të popullit tonë.

Serbët kanë kanë pranuar që të marrin pjesë në institucionet e Prishtinës, siç e quajnë ata Republikën e Kosovës, pikërisht pse u është garantuar fuqishëm respektimi i të drejtave kolektive përmes Asociacionit (Bashkësisë) të Komunave Serbe, prandaj ndër të tjera kanë pranuar të formojnë pushtetin lokal dhe institucionet e tjera sipas sitemit të Prishtinës”, theksohet në konkluzione, raporton portali Kosovo Online në gjuhën serbe.

Theksohet se nëse Prishtina njëanshëm vendos të mos përmbush detyrimet e nënshkruara para Bashkimit Europian, nuk vlejnë as detyrimet serbe të dala nga dialogu i Brukselit, ndërsa do të shqyrtohet edhe mundësia e braktisjes së të gjitha institucioneve qendrore në Prishtinë dhe shuarjen e të gjitha institucioneve sipas sistemit të Prishtinës në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, theksohet në komunikatë, e cila shfaq shqetësimin, siç shprehen ata, për sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj pjesëtarëve të popullit serb, pronave dhe objekteve të tyre të kultit, sidomos ndaj fëmijëve.

Ky kërcënim i serbëve vjen në prag të vizitës së Miroslav Lajçakut, emisarit special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, i cili paraprakisht ka paralajmëruar se në Kosovë vjen për të “zhbllokuar formimin e Asociacionit”, në rrethana që kryeministri Hoti ka thënë se “për Asociacionin s’ka çfarë të bisedohet” dhe se ai do të formohet sipas ligjeve të Kosovës.

(Kosova Sot Online)